12.3 Poezia në Fushën e Mëllenjave
Poezia gjithmonë ka qenë në ballë të letërsisë në Kosovë dhe ka gëzuar më shumë
popullaritet ndër shkrimtarë e lexues sesa proza. Kjo imagjinatë poetike ka rrënjë të thella në
këtë tokë e në popullin e saj të mbrujtur me aspiratat, mundimet dhe ëndrrat e veta. Kështu,
poezia e Kosovës, si një organizëm i gjallë, kurrë nuk i ka humbur lidhjet me popullin. Deri në
fillim të viteve tetëdhjetë në Kosovë ishin botuar rreth 70 romane, 40 përmbledhje me tregime
dhe 50 drama përkundër 300 vëllimeve me poezi. Arsyeja e kësaj prirjeje nga poezia, e
skajshme për normat perëndimore, qëndron në mungesën e një tradite të fortë të prozës në
letërsinë shqiptare përgjithësisht, e pa dyshim në faktin se shkrimi dhe këndimi në këtë krahinë
u bë i masave relativisht vonë. Kalimi nga një traditë gojore në poezinë e shkruar, që i ruan në
thelb nga e para ritmet dhe tingëllimin e pasur, është bërë më me lehtësi sesa kalimi te veprat e
gjata në prozë.
Shkrimtari që konsiderohet përgjithësisht si ati i poezisë shqiptare të sotme në ish-
Jugosllavi, Esad Mekuli2 (1916-1993), nuk ka lindur në Kosovë, por në qytezën legjendare të
Plavës në Mal të Zi, pranë kufirit të sotëm shqiptar, ku ende mbahen lart traditat kombëtare.
Mekuli shkollën e bëri në Pejë në anën kosovare të grykës së thellë të Rugovës, kurse studimet
e larta i kreu për veterinari në Universitetin e Beogradit. Atje u njoh me mësimet marksiste dhe më pas mori pjesë në lëvizjen partizane të Luftës së Dytë Botërore. Më 1949 themeloi revistën
letrare Jeta e re, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Mekuli ishte poet i angazhuar me
ndërgjegje shoqërore, revolta e të cilit për padrejtësinë, dhunën, gjenocidin dhe shtypjen
krahasohet me atë të poezisë pararevolucionare të mesianikut Migjeni (1911-1938) nga
Shkodra. Përmbledhja e tij e parë, Për ty, Prishtinë 1955, i kushtohej popullit të Kosovës.
Përveç vëllimeve të mëposhtme me poezi prej mjeshtri, Avsha Ada, vjersha nga ishulli,
Prishtinë 1971, Vjersha, Prishtinë 1973, Midis dashurisë dhe urrejtjes, Tiranë 1981, Brigjet,
Prishtinë 1981, dhe Drita që nuk shuhet, Prishtinë 1989, Mekuli ka botuar mjaft përkthime nga
letërsia jugosllave, ndër to edhe veprat e poetit-princ malazez Petar Njegosh (1813-1851), si
dhe përkthime në serbishte të mjaft librave nga letërsia shqiptare. Nga poezia e tij me temë
sociale mund të përmendet në veçanti vjersha e njohur A asht fajtor shqiptari?, e shkruar më
1938 kur mësoi për Memorandumin famëkeq të Çubrilloviqit më 7 mars 1937, i cili bënte
thirrje për dëbimin e qindra mijë shqiptarëve etnikë nga Kosova për në Turqi:
“A asht fajtor Shqiptari pse nën kët qiell jeton,
Nën kët qiell – në trojet e të parëve të vet?
A asht fajtor pse asht, e përkundër të gjithave qindron,
Shqiptari, rob e njeri që do i vetvetes të jet?!
A asht fajtor Shqiptari pse sytë flakë i vetojnë
Tue shikue se si tjetri nga plangu e shtëpia e dëbon?
A asht fajtor pse asht dhe kur të mos jetë dishirojnë,
Pse për votër derdh gjak dhe i gjallë nuk e l’shon?
A asht fajtor Shqiptari pse, si të tjerët, po don
Të jetojë si Njeri në të vetat sot e përjetë?
A asht fajtor pse përkundër dhunës qindron
Nën qiellin e Kosovës loke, në trollin e të parëve të vet!”
Shtytje të ndjeshme zhvillimit të poezisë në fillim të viteve pesëdhjetë i dhanë dy
përmbledhjet poetike të Martin Camajt (1925-1992). Poet dukagjinas i brezit të parë, Camaj pas
pak kohe do të largohej nga Kosova për të ndjekur karrierë akademike në Itali e Gjermani. Nji
fyell ndër male, Prishtinë 1953, dhe Kânga e vërrinit, Prishtinë 1954, janë frymëzuar pikërisht
nga vendlindja, malësia e Shqipërisë së veriut.
Enver Gjerqeku (l. 1928) ka lindur në Gjakovë, ka studiuar për albanologji në
Universitetin e Beogradit dhe ka dhënë letërsi shqiptare në Fakultetin Filozofik në Universitetin
e Prishtinës. Vëllimi i parë me poezi, me titull Gjurmat e jetës, Prishtinë 1957, qe një pasqyrim
melankolik i fëmijërisë së tij të vështirë. Më pas erdhën nëntë përmbledhje të tjera lirikash
meditative, herë-herë ekspresive elegjiake, ndër to Bebzat e mallit, Prishtinë 1960, Ashti ynë,
Prishtinë 1972, Pengu, Prishtinë 1977, Pengu i dashurisë, Prishtinë 1978, dhe Sogjetar
amshimi, Prishtinë 1982. Gjerqeku ka prirje për forma më klasike e të ngurta, për sonetin për
shembull. Ndonëse një pjesë e vargjeve të tij kanë një farë artificialiteti, Gjerqeku është
mjeshtër i metrit.
Din Mehmeti (l. 1932) është ndër përfaqësuesit klasikë më të njohur të poezisë së sotme
në Kosovë. Ka lindur në fshatin Gjocaj të Junikut afër Gjakovës dhe ka studiuar për gjuhë e
letërsi shqiptare në Universitetin e Beogradit. Mehmeti gjithashtu ka dhënë mësim në shkollën
pedagogjike në Gjakovë. Ndonëse ka botuar prozë, kritika letrare dhe një pjesë teatrore, ai
njihet kryesisht për poezinë e tij plot figuracion, e cila ka dalë qysh më 1961 në dymbëdhjetë
vëllime, ndër të cilat Rini diellore, Prishtinë 1966, Mallkimi i gjakut, Tiranë 1972, Ikje nga vdekja, Prishtinë 1978, Fatin tim nuk e nënshkruaj, Prishtinë 1984, dhe As në tokë as në qiell,
Prishtinë 1988. Poezinë e Mehmetit e karakterizon ndjeshmëria popullore. Ai mbështetet, si dhe
Ali Podrimja (l. 1942), edhe ky nga Gjakova, në shumë nga figura, metafora dhe simbole të
poezisë popullore të Shqipërisë së veriut, dhe e gatuan e e ngjesh lirikën e tij të shqetësuar me
vizionin stoik të malësorëve. Me gjithë flladin e lehtë romantik që fryn në poezinë e tij,
sikundër është shprehur një herë kritiku Rexhep Qosja, ky asimilim krijues i folklorit shkrihet
bukur me një rrjedhë realizmi dhe herë-herë ironik, që i ka rrënjët pjesërisht në moralin e
revoltës së traditës së Migjenit (1911-1938) dhe Esad Mekulit (1916-1993). Megjithatë,
shqetësimi poetik i Mehmetit nuk mblidhet e përqendrohet në protestë mesianike apo kritikë
sociale, por në krijimtari artistike dhe përsosje individuale. Titulli i ciklit poetik Barka ime
mbahu, nga një vëllim i fundit, shpreh në mënyrë simbolike praninë e letrave shqipe, madje të
popullit shqiptar, në Jugosllavi. Ai vjen nga vjersha Dialog me liqenin, të krijuar në Strugë buzë
liqenit të Ohrit, gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Strugë (gusht 1987):
“Liqeni u nxi
Liqeni u çmend
Barka ime mbahu
Këtej i ke shkëmbinjtë
E eshtrave
Andej ëndrrat e pavdekshme
Barka ime mbahu
Daljen kërkoje
Në zemrën tënde
Kepi i shpresës është larg
Lulet e gjakut
Do të arrijnë
Baraka ime mbahu.”

Po nga Gjakova është poeti dhe filologu Besim Bokshi (l. 1932). Që i vogël, Bokshi
emigroi me gjithë familje në Shqipëri, dhe shkollën e bëri në fshatin Dukat afër Vlorës e pastaj
në Tiranë. Më 1945 u kthye në vendlindje, Gjakovë, e më pas studioi në Fakultetin Filozofik në
Universitetin e Beogradit. Mbrojti doktoratën në Universitetin e Prishtinës, ku edhe dha mësim.
Edhe pse në të vërtetë ka botuar pak, vendi i Bokshit në brezin e dytë të poetëve kosovarë është
i merituar, së bashku me Enver Gjerqekun (l. 1928), Fahredin Gungën (l. 1936), dhe Din
Mehmetin (l. 1932). E njohur për karakterin përsiatës, poezia e tij doli në vëllimin Në pritje,
Prishtinë 1966, të cilin e ribotoi më 1978. Ajo është një poezi e përpikërisë eliptike, dhe që
mbahet mend për shumë figura origjinale.
Adem Gajtani (1935-1982) është poet i lirikës së njomë të dashurisë dhe natyrës. Ka
lindur në Podujevë; studioi për drejtësi dhe punoi si gazetar në Shkup, ku dhe vdiq më 19 gusht
1982, duke lënë si testament poetik nëntë vëllime vjershash të holla intime, ndër to Drita në
zemër, Prishtinë 1961, Ti kangë, ti zog i largët, Prishtinë 1968, Amfora e fundosur, Prishtinë
1977 dhe Kënga e mjellmës, Prishtinë 1980. Vizioni poetik neoromantik, të cilit i mbeti besnik
në gjithë veprën, është vizion bukurie e magjie, i pacenuar nga problemet sociale e nga realiteti shpesh i trishtuar i ekzistencës njerëzore. Sikundër e ka shprehur kritiku Agim Vinca (l. 1947),
bota e tij poetike “i ngan një oaze plot lule e blerim, plot flutura e zogj, shumë rrallë pikojnë
djersa dhe gjaku3”.
Entuziazmi karakteristik i poezisë kosovare të viteve gjashtëdhjetë mund të vërehet në
veprat e para të Fahredin Gungës (1936-1997) nga Mitrovica. Gunga kreu studimet në
Beograd dhe më pas punoi në shtëpinë botuese Rilindja në Prishtinë. Vëllimi i tij i parë poetik
me harmoni ritmi Pëshpëritjet e mëngjezit, Prishtinë 1961, i cili doli edhe po atë vit me
përmbledhjet e para poetike të Din Mehmetit, Adem Gajtanit dhe Ali Podrimjes, ishte elegjiak
për nga toni, ku duket edhe një farë ankthi për vdekjen. Vëllimet e tjera, me nivel artistik të
ndryshëm, ndër ta Mallkimet e fjetuna, Prishtinë 1970, Kepi i shpresës së mirë, Prishtinë 1973,
Psalmet e gurta, Prishtinë 1977, Nokturno për Orkidenë, Prishtinë 1981, dhe Mallkimet e
zgjuara, Prishtinë 1985, e kanë dëshmuar si poet të kërkimit, ndonëse herë-herë idetë e
mjegullta, me simbolizmin abstrakt dhe metaforat e errëta të tyre, dashur pa dashur shpesh
marrin një kthesë surrealiste.
Kritiku i shquar i poezisë në Kosovë Agim Vinca, edhe vetë poet i njohur, e ka cilësuar
Azem Shkrelin (1938-1997) si poet idesh dhe gjykimesh kritike të thella. Azem Shkreli ka
lindur në malësinë e Rugovës afër Pejës dhe ka qenë drejtor i Kosova-Filmit. Ai është poet i
mendimit, ashtu si bashkëkohësi i vet Ali Podrimja, megjithëse pa diskutim proliks, por me fuqi
shprehëse. Perceptimi qytetar i sendeve i ka dhënë një kuptim të ri përvojës së jetës fshatare
mes njerëzve të malësisë së thepisur të luginës së Rugovës rrëzë Bjeshkëve të Nemuna me
urtësinë dhe mënyrën e tyre tradicionale të jetesës. Vëllimet e para me vjersha, si Bulzat,
Prishtinë 1960, Engjujt e rrugëve, Prishtinë 1963, dhe E di një fjalë prej guri, Prishtinë 1969,
vizatojnë me mjeshtëri portrete të banorëve legjendarë të maleve. Ndër vëllimet e mëvonshme
janë Nga bibla e heshtjes, Prishtinë 1975, Vjersha, Prishtinë 1977, Pagëzimi i fjalës, Prishtinë
1981, dhe Kënga e hutinit, Prishtinë 1986 (Përkth. angl. The call of the owl, Prishtinë 1989), një
vepër solide vrojtimesh të pjekura e të heshtura. Peizazhi idilik që pikturon, edhe pse i ndërtuar
në mënyrë të veçantë, nuk i zë sytë Azem Shkrelit për të mos parë problemet e moralit. Një
pjesë e poezisë së tij u kushtohet popujve të shtypur të botës së tretë, duke shprehur një
solidaritet poetik me ta kundër shfrytëzimit. Shkreli është gjithashtu autor i përmbledhjes
emocionuese me tregime Sytë e Evës, Prishtinë 1965. Romani i tij Karvani i bardhë, Prishtinë
1960, bën portretin e Dyl Mehmetit, një malësor rugovas, që, si mjaft evropianë gjatë Luftës së
Dytë Botërore, merr anë të gabuar. I bindur për drejtësinë e veprimeve të veta, Dyl Mehmeti
është i shtyrë më fort nga qëndresa tradicionale kundër ndryshimeve sesa nga bindjet politike,
dhe ndërkaq, ai përballet me një dilemë morale.
Një poet në evoluim të vazhdueshëm e që ka dhënë ndihmesë të konsiderueshme për
modernizimin e poezisë shqiptare në Kosovë, është Rrahman Dedaj (l. 1939). Dedaj ka lindur
afër Podujevës dhe ka ndjekur studimet për gjuhë e letërsi shqipe në Prishtinë para se të bëhej
kryeredaktor në shtëpinë botuese Rilindja. Veprat e tij poetike karakterizohen nga një shprehësi
e pasur, emocionale, nga një përpikëri gati matematike në strukturë e semantikë, dhe nga
kërkimi për një barazpeshë midis traditës dhe bashkëkohësisë. Përmbledhja e tij e parë, Me sy
kange, Prishtinë 1962, trajtonte motive intime e shoqërore. Në Simfonia e fjalës, Prishtinë 1968,
lirikat e tij të ndjeshme marrin tone më neoromantike, në shumë anë si Adem Gajtani, me një
botë orfeane lulesh e fluturash. Vëllimet e mëvonshme, sidomos Baladë e fshehur, Prishtinë
1970, Etje, Prishtinë 1973, Poezi, Prishtinë 1978, dhe Gjërat që s’preken, Prishtinë 1980,
përurojnë një etapë të re në poezinë kosovare, më në harmoni me simbole e mite kontekstuale.
Kjo poezi neosimboliste shpesh harliset e shfrenuar pas metaforash me kafshë e bimë të
sistemuar në struktura eliptike e të disiplinuara. Dy përmbledhjet e tjera, Jeta gabon, Prishtinë
1983, dhe Fatkeqësia e urtisë, Prishtinë 1987, mbahen përherë e më tepër në tema historike e
letrare.
Ali Podrimja (l. 1942) ka lindur e është rritur në Gjakovë rrëzë Bjeshkëve të Nemuna.
Pas një fëmijërie me halle, studioi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Prishtinë. Autor i më se dhjetë
vëllimesh me poezi të fuqishme tonesh të larta që më 1961, ai njihet në Kosovë e në Shqipëri si
poet i shquar novator. Madje, përgjithësisht merret si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme
shqiptare në Kosovë dhe është, pa dyshim, poeti me emër më të madh në shkallë
ndërkombëtare.
Përmbledhja e parë e Ali Podrimes, me vargje elegjiake, Thirrje, Prishtinë 1961, u botua
kur ishte ende nxënës në shkollën e mesme në Gjakovë. Vëllimi i dytë, Shamijat e
përshëndetjeve, Prishtinë 1963, është pak a shumë në po atë shtrat. Dhimbë e bukur, Prishtinë
1967, që të kujton pakëz ‘dhimbën krenare’ të Migjenit, shfaqi elemente të reja në repertorin e
poetit, prirjen për simbole e alegori. Vëllimet e mëvonshme deri në mesin e viteve shtatëdhjetë:
Sampo, Prishtinë 1969, Torzo, Prishtinë 1971, Folja, Prishtinë 1973, dhe Credo, Prishtinë 1976,
e dëshmojnë si simbolist të pjekur, me dorë të sigurt në një larmi të madhe rimash e metrash.
Pas Sampo 2, Prishtinë 1980, dhe Drejtpeshimi, Prishtinë 1981, botoi përmbledhjen mjeshtërore
Lum Lumi, Prishtinë 1982, e cila shënoi një moment kthese në poezinë e sotme kosovare. Ky
homazh për Lumin, djalin që i vdiq, solli një preokupim ekzistencialist me dilemën e qenies, me
elemente të vetmisë, frikës, vdekjes dhe fatit. Tipike është vjersha elegjiake E ti i vdekur nga
cikli Të jetosh:
“Ishte verë
Mbi kokë dielli
Hije ti rreth Evrope
Nga ai udhëtim i tmerrshëm
Ktheve ‘i ditë syzgurdulluar
Në poezinë e babait hyre pa trokitur
Aty je më i sigurt Lumi
Për besë nuk të gjen
Asnjë e zezë
Verë ishte
Dielli në perëndim
E ti i vdekur dhe”
Vëllimi Fund i gëzuar, Prishtinë 1988, ishte një vërshim tjetër i ankthit sizifian të
Podrimes për fatin e njerëzimit, një përpjekje ironike dhe e pandërprerë për të kapur fillin e
ekzistencës në një pirg dikotomish alegorike – e kaluara kundrejt të sotmes, periferikja kundrejt
bërthamës, miti kundrejt realitetit, e veçanta kundrejt së përgjithshmes. Cikli i parë i kësaj
vepre, A ju kujtohet, evokon elemente të historisë dhe mitologjisë shqiptare me protagonistët e
tyre. Këtu, sikundër ndodh shpesh gjetiu, qëndresa ndaj tiranisë së huaj dhe mbrojtja e lirisë
hyjnë në sferën e alegorisë. Figura e Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar (1405-1468) që u
bëri ballë me guxim turqve në shekullin e pesëmbëdhjetë, nuk e ka bjerrë aspak gjallërinë e vet
si burim frymëzimi për letërsinë shqiptare. Cikli i dytë e ai i tretë, A ju dëgjon harrimi dhe
Rekuiem për pyllin e prerë, që përbëjnë palcën e vëllimit, udhëton nëpër ngulimet e diasporës
shqiptare në Itali e Greqi. Poeti, pasi u ka kënduar simboleve të qëndresës dhe kulturës fshatare
tradicionale, bëhet plotësisht i vetëdijshëm se trashëgimia e arbëreshëve shqipfolës të Kalabrisë
e Sicilisë dhe e arvanitëve të Greqisë qendrore dhe Moresë tani po humbet në detin e medias globale e të teknologjisë së lartë, në kushtet e të cilave qëndresa mund të konsiderohet si e kotë
dhe e dhimbshme, për të mos thënë diçka më tepër. Rrallë ka ndodhur që një poet i sotëm
shqiptar, me përjashtim të vetë shkrimtarëve arbëreshë si Vorea Ujko (1931-1989), të ketë
mundur të shprehë kaq thellë përvojën historike e kulturore të arbëreshëve. Cikli i katërt dhe ai
i pestë i librit, Këngë shendi, dhe Hija ime, përvijojnë krizën sociale, ekonomike, politike e
morale të shoqërisë së sotme me një larmi të gjerë temash, shpesh duke hedhur një vështrim
ironik mbi trillet e fatit, mbi mallin, mundimet dhe utopinë.
Ali Podrimja është poet i kursyer. Poezinë e ka të ngjeshur e të lidhur në strukturë, kurse
figuracionin konkret, shprehës e pa fjalomani prolikse artificiale. Çdo fjalë ka funksionin e vet.
Çka e mahnit lexuesin shqiptar është mjeshtëria e lartë për të stolisur këtë peizazh shkëmbor të
kursyer, që të kujton folklorin shqiptar, me metafora të pazakonta, struktura sintaksore të befta
dhe rima të gjetura. Vepra e tij gurgullon nga metaforat. Dritëro Agolli (l.1931), ish-kryetar i
Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në Tiranë, ka thënë: “Ali Podrimja i
shpërndan metaforat, ashtu siç shpërndahen sheqeri dhe arrat në bakllava dhe nuk hidhen vetëm
në një thelë të saj, pasi atëherë do të na velnin.”4
Forma dhe struktura kanë vazhduar të evoluojnë në veprën e Ali Podrimes, si në
vëllimet Zari, Prishtinë 1990, dhe Buzëqeshje në kafaz, Tiranë 1993. Ai ka sjellë për herë të
parë dhe ka trajtuar tema të reja, ndonëse brenda kontekstit të obsesionit të tij klasik e pa iu
ndarë atij.
Poeti më bashkëkohës i brezit pas Ali Podrimes është Eqrem Basha (l. 1948) nga Dibra
e Madhe. Deri para disa kohësh ishte redaktor i dramës në televizionin e Prishtinës. Basha është
autor i dhjetë vëllimeve të shkruara me një gjuhë bukur të punuar, ndër to më të fundit janë:
Atleti i ëndrrave të bardha, Prishtinë 1982, Udha qumështore, Prishtinë 1986, dhe Brymë në
zemër, Prishtinë 1989. Ai ka shkruar edhe proza të shquara dhe ka përkthyer shqip vepra të
Zhan Pol Sartrit (Jean-Paul Sartre, 1905-1980), Eugjen Joneskos (Eugène Ionesco, 1912-1994),
Albert Kamysë (Albert Camus, 1913-1960), Xhuzepe Ungaretit (Giuseppe Ungaretti, 1888-
1970), Andre Malrosë (André Malraux, 1901-1976) dhe Samuel Beket (Samuel Beckett, 1906-
1989). Basha ka një vështrim qytetar mbi realitetin dhe i shijon absurditetet e jetës së
përditshme. Nuk ka më të huaj e më të largët për të sesa frymëzimi nga traditat e pasura
folklorike të malësorëve të veriut e sesa poezia e angazhuar sociale. Poezia e tij është me
humor, bisedore dhe më pak deklamative se ajo e paraardhësve. Ajo ka një kumbim melankolik
surrealist, si veprat e Zhak Preverit (Jacques Prévert, 1900-1977), i cili vihet re në vjershën e
njohur të Bashës Hyrje në kuptimin e një vetmie:

“gjendet dikund një shtëpi e braktisur
mure gërvishtur me kulm të përkulur
në oborrin e saj bari i paprerë
pluhuri i pafshirë dera e patundur
një qen e ruan
një njeri i vogël i harruar
mjekërr parruar flokë kërleshur
shëtit lart e poshtë sillet si i çmendur
fytyrë humbur shpresë këputur
qenin e kërkon”
Lindur në Dumnicë afër Podujevës në Kosovën verilindore, poeti dhe kritiku Sabri
Hamiti (l. 1950) ka studiuar për letërsi krahasuese në Zagreb dhe në Ecole Pratique des Hautes
Etudes në Paris, ku dhe u ndikua mjaft nga gjysmë-perënditë e strukturalizmit francez. Mbrojti
doktoratën në Universitetin e Prishtinës dhe punoi aty në shtëpinë botuese Rilindja. Hamiti
është autor i shumë vëllimeve me poezi, prozë dhe dramë si dhe me kritikë novatore. Si kritik
ai ka sjellë nocione dhe koncepte të reja në studimin e letërsisë shqiptare, duke këmbëngulur në
një interpretim të pavarur nga proceset jashtëletrare. Duke u përqëndruar në kodet tematike,
nocionet e statusit tekstual, dhe në strukturat narrative e poetike të të gjitha shkrimeve shqipe,
ai e sheh këtë letërsi si një organizëm strukturor që duhet të shqyrtohet sa të jetë e mundur,
jashtë optikës, vlerave dhe ideologjive të epokës në fjalë. Po të kemi parasysh filtrin e imët
ideologjik nëpër të cilin detyrohej të kalonte çdo fjalë e shkruar në Shqipëri, është e qartë se ky
qëndrim ka ndihmuar shumë në zhvillimin e letërsisë shqiptare.
Si poet, Hamiti mbetet më i lidhur me mendimin se me ndjenjën, edhe pse ka afri të
fortë me panteizmin mistik të Lasgush Poradecit (1899-1987). Ndër përmbledhjet më të fundit
me vjersha janë: Thikë harrimi, Prishtinë 1975, Trungu ilir, Prishtinë 1979, Leja e njohtimit,
Prishtinë 1985, dhe Kaosmos, Prishtinë 1990. Nga përmbledhja e vitit 1985 kemi vjershën
Verbimi, kushtuar poetit dhe kritikut nihilist argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges,
1899-1986):
“Do të vdesësh Horhe i dashur një ditë
Një natë, krejt i vetmuar e i harruar!
A nuk e ndien që me vite je i dënuar
Me vite ëndërron në terr, je i pa sy?
Me gishta e lexon ‘Komedinë hyjnore’
Lahesh me pluhur qytetesh të harruar
Si tojat i lidh nyje ndjenjën e kujtimin
I shti të merren ngryk hapësirat në kohë.
Do të vdesësh Horhe i dashur një natë
Një ditë, krejt i vetmuar e i harruar,
Shumë shumë do të jesh një grimë pluhur
Që era e bart në shkretirat e Arabisë.
Labirinti yt është shpikje e vetmisë
Kurthë që e zë për gushe mjerimin.
A nuk e ndien Horhe i mjerë, që me vite
Je i dënuar me ëndrrën e territ?”
Nga poetët e tjerë kosovarë me emër, të afirmuar me poezinë e tyre në vitet shtatëdhjetë,
duhen përmendur: poeti dhe romancieri Abdylazis Islami (l. 1930) nga Tetova në Maqedoninë
perëndimore; Muhamed Kërveshi (l. 1935) nga Mitrovica; Qerim Ujkani (l. 1937) nga Peja;
origjinali Mirko Gashi (1939-1995) lindur në Kraljevo; Jusuf Gërvalla5 (1943-1982), poet dhe
veprimtar politik i vrarë në Gjermani, i cili me vdekjen e tij është bërë figurë simbol; poeti dhe
prozatori Beqir Musliu (1945-1996) nga ana e Gjilanit; Agim Vinca (l. 1947), kritik i shquar
i poezisë dhe poet nga Veleshta afër Strugës, poezia lirike popullore e të cilit mbështetet fort në
tokën e vendlindjes e në vitet e fëmijërisë; Nexhat Halimi (l. 1949) nga Podujeva; arkeologia
Edi Shukriu (l. 1950) nga Prizreni, e cila e gjen frymëzimin në të kaluarën iliriane.
Të shumtë janë poetët e brezit të tanishëm, veprat e para të të cilëve në vitet tetëdhjetë
kanë dhënë prova për larminë dhe dinamizmin e poezisë së sotme kosovare: gazetari Agim
Mala (l. 1952) nga Gjakova; Adem Gashi (l. 1953) nga krahina e Drenicës; Shaip Beqiri
(l. 1954) nga fshati Gllamnik i Llapit; gazetari Ramadan Musliu (l. 1954) nga Vitia; poeti dhe
tregimtari Ibrahim Berisha (l. 1955); gazetari Milazim Krasniqi (l. 1955) i lindur në Breznicë
afër Prishtinës; Kim Mehmeti (l. 1955) nga Shkupi; i talentuari Abdullah Konushevci
(l. 1958) nga Prishtina që, edhe pse i dhënë pas arkaikes e mitologjisë, dëshmon një gjuhë
poetike moderne; Naim Kelmendi (l. 1959) nga Ruhoti afër Pejës e që tani jeton në Zvicër;
Basri Çapriqi (l. 1960) nga Ulqini; Lindita Aliu (l. 1963), ish pedagoge e gjuhës angleze në
Universitetin e Prishtinës; si dhe letrarja befasuese Lindita Ahmeti (l. 1973) po nga Shkupi.

_____
2 kr. Gjerqeku (red.) 1995.
3 Vinca 1985, f. 233.
4 Një udhëtim i shkurtër në poezinë e Ali Podrimjes në vëllim ‘Ali Podrimja, Poezi’ (Tiranë 1986), f. 6.
5 kr. Rexha 1993.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]