LIQENET E DUMRESË


LIQENET E DUMRESË
✤ Liqene karstike në krahinën e Dumresë (shih). Janë gjithsej 85 liqene, me sipërfaqe të përgjithshme 14.2 km2 dhe me një vëllim ujor 26 milionë m3. Shumica e tyre shtrihet në formë brezi me drejtim të përgjithshëm VL-JP. Kanë formë rrethore ose vezake dhe gjenden në lartësi 25 deri 160 m. Më të mëdhenjtë janë liqeni i Çestijes me 96.8 ha, i Seferajt, me 87.5 ha, i Merhojës me 65.5 ha, i Degës me 37.4 ha, i Peraskës me 27.4 ha dhe i Belshit me 26.9 ha. Vëllim më të madh të ujit ka liqeni i Merhojës me 11.3 milionë m3. L. e D. në përgjithësi kanë thellësi mesatare rreth 7 m, me përjashtim të liq. të Merhojës, që ka thellësi mesatare 17.5 m dhe më të madhen 61 m. Temp. mesatare e ujërave sipërfaqësore të L. të D. në dimër zbret në 7.5°, ndërsa në verë arrin në 26°C. Përmbajtja e oksigjenit në -15 m ka vlerën 1.5 mg/lit. Në thellësitë më të mëdha se 15 m, fillon të shfaqet acidi sulfhidrik. Ujërat e L. të D. shfrytëzohen për peshkim dhe për ujitje.

(N.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Liqenet E Dumresë


[cite]