LIRIKA POPULLORE
✤ Gjini e poezisë popullore që përfshin krijime në të cilat shprehen ndjenjat, shqetësimet, dëshirat e përjetimet intime të popullit. Shpesh këndohen gjatë kërcimit të valleve, të shoqëruara me vegla muzikore popullore. Në Lirikën Popullore bën pjesë një larmi e madhe këngësh të cilat dallohen nga motivet, mendimet dhe ndjenjat që shprehin. Midis tyre, vend të veçantë zënë këngët e punës, të cilat prej kohësh janë larguar nga karakteri i tyre i lashtë ritual duke u shndërruar në këngë që u këndojnë punëve në bujqësi, blegtori, mjeshtërive etj.

Përhapje të gjerë kanë sidomos këngët lirike familjare (për lindjen, martesën dhe vdekjen). Ato e kanë humbur karakterin ritual të hershëm, po kanë ruajtur mjaft elemente zakonesh të vjetra. Përfshijnë ninullat (këngët e djepit), që shquhen për figuracion të pasur e ritëm të larmishëm, aq sa shpesh anojnë edhe nga lodër-vallet, këngët e dasmës, vajet ose ligjet. Ato përbëjnë një pasuri të madhe të krijimtarisë popullore dhe ruajnë elemente epokash e krahinash të ndryshme. Një lloj i veçantë shumë i përhapur dhe i gjerë janë edhe këngët e dashurisë ose këngët e buta, si u thotë populli. Në to ruhen gjurmë konceptesh të mjediseve dhe të epokave të ndryshme për ndjenjën e dashurisë, po në tërësi shquhen për fuqinë dhe larminë e mjeteve shprehëse. Në Lirikën Popullore hyjnë edhe këngët e mërgimit (të kurbetit) ushtarak e ekonomik, të cilat i përshkon dhembja familjare e shoqërore, si dhe një larmi këngësh të tjera satirike. Një grup jo të vogël e përbëjnë vargjet e lodrave, këngët zbavitëse, këngët e fëmijëve, këngë festash e ditësh të shënuara etj. Probleme të Lirikës Popullore janë trajtuar nga Zihni Sako, Dhimitër Simon Shuteriqi etj.
(S.H.)

Gjatë kohës së periudhës komuniste dhe realizmit socialist në Shqipëri, lirika u përdor si vegël nga sistemi i asaj kohe për të propaganduar komunizmin dhe mbajtur në sundim popullin shqiptar, duke krijuar këngë që asokohe konsideroheshin me vlera të larta dhe me frymë revolucionare. Lirika e realizmit socialist njëlloj si edhe ideologjia e kohës i ndante gjërat në dy klasa, në klasën punëtore dhe klasën shfrytëzuese. Edhe pse nuk mund të hidhet e gjitha poshtë e gjithë krijimtaria e asaj kohe, nuk ka diskutim që iu bë një dëm i madh krijimtarisë shqiptare dhe autorëve që guxonin të dilnin jashtë vijave udhëzuese të partisë, të cilët konsideroheshin disidentë, kritikoheshin, censuroheshin, burgoseshin madje edhe pushkatoheshin.
(shqipopedia)

Disa shembuj:
Ninullë

Këngë kurbeti

Këngë humorisike
https://www.youtube.com/watch?v=kXk5F6ALR7Y

Këngë partizane

Këngë për lindjen

 

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lirika Popullore
● ⌘

[cite]