Lodhja e muskujve

Gjatë tkurrjes së muskujve shpenzohet energji në formën e energjisë kinetike (lëvizëse, motore), të energjisë termike, bioelektrike etj. Sa më shumë të tkurret një muskul, aq më tepër energji shpenzohet dhe aq më tepër energji termike (nxehtësi) prodhohet. Kjo është arsyeja pse kur vrapojmë ose kur luajmë ndjehemi të ngrohtë dhe djersitim, Me anën e djersitjes organizmi ynë kërkon të mënjanojë nxehtësinë e tepërt që është krijuar e të ruaj të pandryshuar temperaturën e trupit. Nëse tkurrja vazhdon për një kohë të gjatë e të përsëritur, te muskujt shfaqet lodhja: muskuli nuk është më në gjendje të punojë. Studimet e kryera kanë treguar se lodhja e muskujve ndodh për shkak se harxhohen produktet energjetike si, p.sh., karbohidratet, përbërjet fosfatike etj., që janë burimi i energjisë së tyre, si dhe për shkak se te muskujt grumbullohen mbeturina të ndryshme si, p.sh., gaz karbonik, acid laktik etj., që i helmojnë muskujt e që i paralizojnë ata. Që muskuli të rifillojë përsëri të punojë, duhet që më parë të çlodhet.

Çlodhja e muskujve është një gjë e domosdoshme, që organizmi ynë te mund të rifillojë përsëri veprimtarinë e tij normale. Për të përballuar lodhjen është e nevojshme që të ushqehemi mirë me lëndë energjetike, si p.sh. me karbohidrate, me proteina, me yndyrna, si dhe me vitamina etj. Gjithashtu pushimi ditor, pushimi javor e vjetor, gjimnastika e sporti, shëtitja në ajër të pastër, gjumi i mjaftueshëm etj., janë faktorë që parandalojnë dhe mënjanojnë lodhjen. Rëndësi të veçantë për të mënjanuar lodhjen ka pushimi aktiv. Asnjë njeri nuk i përdor në masë të njëllojtë të gjithë muskujt e trupit. Kështu, p.sh., nëse për shumë orë të ditës lexojmë, kemi vënë në punë muskujt e syve dhe sistemin përkatës nervor, ndërsa muskujt e gjymtyrëve nuk janë aktivizuar fare. Në këtë rast këshillohet që për një punë të lodhshme mendore, të merremi me punë fizike ose me ndonjë lloj sporti dhe e kundërta. Ky është pushimi aktiv dhe që jep rezultate shumë të mira në mënjanimin e lodhjes. i Është me vend të theksojmë se pirja e duhanit dhe e pijeve alkoolike nuk e mënjanon lodhjen, por përkundrazi e rëndon atë, sepse sjell çrregullime në sistemin qendror nervor dhe helmon organizmin.

Trupi — Ynë

[cite]