LUFTA E KODRËS SË KUQE
✤ (7.10.1942). Një nga luftimet më heroike të zhvilluara në qytet gjatë vitit 1942. Vojo Kushi (shih) komandant i njësiteve guerile të Tiranës, bashkë me shokët e tij Sadik Stavileci dhe Xhorxhi Martini (shih) më 7.10.1942, u gjendën të rrethuar befasisht në shtëpinë e patriotes Ije Farka, bazë e rëndësishme e Partisë në lagjen Kodra e Kuqe të kryeqytetit. Komunistët kishin si armatim një automatik, tre revolverë dhe një sasi të vogël bombash dore. Në operacion merrnin pjesë 200-300 fashistë me 6 tanke e autoblinda, që drejtoheshin nga drejtori i përgjithshëm i polieisë dhe prefekti i Tiranës. Armiku hapi zjarr me të gjitha llojet e armëve dhe bëri disa sulme për të mposhtur qëndresën heroike të komunistëve, por u thye me humbje. Pas 4 orë luftimesh ranë në fushën e betejës Xhorxhi e Sadiku. Kundër Vojo Kushit armiku hodhi në sulm dy tanke, që rrëzuan murin e shtëpisë dhe çatinë e dhomës ku ai luftonte. Heroi u vërsul mbi njërin prej tyre, me qëllim që të hapte kapakun e çeliktë dhe të asgjësonte ekuipazhin, por u godit për vdekje nga tanku tjetër. Epopeja zgjati 6 orë. Ajo çoi peshë popullin e Tiranës dhe pati jehonë të madhe në të gjithë vendin. Për këtë akt të rrallë heroizmi shoku Enver Hoxha shkroi dy artikuj të posaçëm në gazetën «Zëri i popullit».
(M. II.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Lufta E Kodrës Së Kuqe
[cite]