LUGINA E OSUMIT
✤ Luginë në pjesën VL të Krahinës Malore Jugore, në rrethet e Skraparit e të Beratit me gjatësi rreth 139 km dhe gjerësi 1 deri në 2-3 km (Uznovë). Është e ndërtuar nga gëlqerorë të kretakut dhe paleogjenit si dhe nga flishi, ka prejardhje kryesisht gërryese. Pjesa më e madhe e saj çan gati tërthor strukturat, me përjashtim të antiklinalit të Çorovodës ku kalon pothuajse nëpër boshtin e tij, duke krijuar kanionet e njohura të Osumit. Në L. e O. dallohet pjesa e sipërme prej burimit deri në Çorovodë dhe ajo e mesme deri në Berat. Në pjesën e sipërme ka ngushtime dhe zgjerime të shumta që zëvendësojnë njëra-tjetrën. Ngushtimet janë në viset e ndërtuara nga gëlqerorët (Miçan, Çorovodë), kurse zgjerimet në viset flishore. Kanionet madhështore të Osumit, me gjatësi pothuaj 12 km, fillojnë prej fshatit Miçan (Përmet) e vazhdojnë me ndërprerje të vogla deri në Çorovodë, faqet e tyre duket sikur janë sharruar në masivet e shkëmbinjve gëlqerorë. Në pjesën e mesme vërehen zgjerime e dredha të shumta të shtratit (në Jaupas, Mbrakull, Vërtop, Fushë-Peshtan, Vodicë, Uznovë), si dhe disa nivele tarracash lumore në toka pjellore që shfrytëzohen për pemëtari dhe për drithërat e bukës. Klima e L. së O. është mesdhetare me temp. mesatare vjetore 15°C (Berat) e 14.4°C (Çorovodë). Sasia mesatare vjetore e reshjeve është rreth 1000 mm, një pjesë e vogël e tyre bien në formë bore. Bimësia përfaqësohet nga zona e shkurreve mesdhetare të tipit të makjeve dhe e lisit në shpatin e majtë të luginës. Në shpatet e luginës janë mbjellë blloqe të mëdha të pemëve frutore (qershi, mollë, kumbulla, kajsi, pjeshkë) e vreshta. Të njohura janë blloqet e fiqve të Uznovës e Rroshnikut (nga e djathta) dhe ullishtet nga e majta (në Bilçe). Në vendet e mbrojtura (Berat) rriten edhe agrumet. Ka qendra të banuara të shumta me popullsi të dendur si Berati e Çorovoda si dhe fshatrat Miçan, Çepan, Zogas, Kakruk, Mbrakull, Vertop, Vodicë, Uznovë. etj.
(N.M.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Lugina E Osumit
[cite]