Mesha Mesh/ë-a:
(Term nga Kodikët e Shqipërisë)

Nga lat. “missa-ae”. Shërbesa themelore e kishës, në të cilën evokohet sakrifica e kryqëzimit të Krishtit, që shenjohet në mënyrë ceremoniale me përngjasimin e bukës dhe verës së kuqe me trupin dhe gjakun e Jezuit. Mbahet për çdo të diel, për të kremte të tjera, si dhe çdo ditë kur populli mblidhet vetë. Meshë mbahet edhe për raste të tjera të rëndësishme. Ka meshë të ulëta, në të cilat rënkohet dhe nuk këndohet. Meshët e kënduara quhen meshë të mëdha. Të tilla janë edhe mesha e mesnatës së Krishtlindjes dhe mesha e natës së të Shtunës së Shenjtë. Mesha e mbajtur prej Papës quhet meshë papnore. “Mesha e shenjtë është flijimi pa përgjakje që përmban Dhjata e Re. Në meshën e shenjtë merren frytet e flijimit të Jezuit në kryq, sepse mesha e shenjtë dhe flijimi i Jezusit në kryq janë i njëjti flijim” (Heffler, Konrfeind, Kolarek). Prej shekullit të 14-të janë kompozuar vepra të mëdha vokale për meshë, pa shoqërim instrumental. Kjo traditë vazhdoi deri në shekullin e 16-të. Më pas kompozimet për meshë u shoqëruan edhe me instrumente muzikore (organo veçmas). Përmbajtja e tyre duhej të ilustronte tekstet liturgjike që do të predikoheshin prej ipeshkvinjve. Kompozitorët më të famshëm të muzikës së meshës janë Palastrina, Lotti, Bach, Mozart, Hayden, Beethoven, Shubert, Liszt, Guno, Drukne, Stravinskij etj. Mesha e parë në shqip është mbajtur më 1908. Kjo meshë u kompozua dhe u celebrua në Boston nga imz. Fan. S. Noli. Lënda muzikore e kësaj meshe u kompozua nga vetë Noli. Një meshë përkujtimore me këtë lëndë u mbajt në vitin 1978. Një kopje e regjistruar e kësaj meshe ruhet në fonotekën e AQSH-së. Muzikë për meshim ka kompozuar edhe Martin Gjoka. Në kuptimin kishtar mesha është “evokim / kujtim / i shfaqjes, jetës dhe vdekjes së Jezu Krishtit”.

Lista e fjalëve të fjalorthit
* Kodikët e Shqipërisë

[cite]