METAMORFIZMI
✤ Shndërrime teksturore, strukturore dhe të përhërjes mineralore të shkëmbinjve parësorë magmatikë e sedimentarë, si pasojë e ndryshimit të kushteve fiziko-kimike të mjedisit gjeologjik. Këto shndërrime ndodhin nën veprimin e nxehtësisë, të trysnisë së orientuar, të trysnisë hidrostatike dhe pjesërisht të agjentëve kimikë. Sipas shkallës së ndikimit të _këtyre faktorëve,. ndryshon edhe shkalla e shndërrimeve metamorfike dhe llojet e M. Dallohen këto lloje: M. krahinor, M. termal, M. kataklasik, M. metasomatik dhe ultrametamorfizmi. Shndërrime të tilla kanë pësuar edhe shkëmbinjtë sedimentarë dhe magmatikë të Albanideve, sidomos ata të formuar gjatë erës paleozoike dhe mesozoike. Ndërmjet shkëmbinjve paleozoikë të Zonës së Korabit ka edhe mjaft shkëmbinj që kanë pësuar M. krahinor, të temp. të ulëta si rreshpe filitike, rreshpe të gjelbra, ranorë metamorfikë, kuarcite etj. Në ofiolitet e zonës së Mirditës ka edhe shkëmbinj të shndërruar nga M. metasomatik-hidrotermal, si shkëmbinj kloritikë, kuarcorë etj. dhe sidomos serpentinite. Po në këtë zonë takohen edhe shkëmbinj të shndërruar nga M. kataklastik.
(M. Sha.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Metamorfizmi
[cite]