NDËRTIMI I VESHIT
Veshi i njeriut është në radhë të parë një receptor, një marrës, ai ka aftësinë të kapë morine e ngacmimeve që vijnë nga mjedisi rrethues (zëra, tinguj, zhurma), e t’i shndërrojë ato në impulse nervore, të cilat nervi i dëgjimit i transmeton në tru, në qendrën e dëgjimit ku analizohen e përcaktohen.
Si veshi, që kap tingujt, ashtu edhe analizatori, qendra përkatëse e trurit që i analizon ata, kanë një shkallë të lartë përsosurie. Ata kanë aftësinë që jo vetëm të kapin në përgjithësi tingujt, por edhe t’i dallojnë ata, të përcaktojnë lartësinë e tyre, forcën, timbrin, drejtimin nga vijnë e largësinë. Por vesh nuk është vetëm organ i dëgjimit, ai është njëkohësisht dhe organ i ekuilibrit. Në sajë të tij ne jemi në gjendje të ruajmë ekuilibrin (baraspeshën) dhe të orientohemi në hapësirë, qoftë kur rrimë në qetësi, qoftë kur kërcejmë e rrotullohemi me shpejtësi. Organi i dëgjimit ka një ndërtim tepër të ndërlikuar. Ai është i përbërë nga tri pjesë kryesore: nga veshi i jashtëm, nga veshi i mesëm dhe nga veshi i brendshëm. Secila nga këto pjesë ka një ndërtim të veçantë. Veshi i jashtëm është i përbërë nga llapa e veshit dhe nga kanali i jashtëm i Veshit. Llapa e veshit është një ind kërcor elastik dhe ka formën e një hinke. Elasticiteti dhe forma e saj bëjnë që ajo t’i marrë tingujt ashtu siç janë në natyrë, pa i ndryshuar. Kanali i jashtëm i veshit fillon te llapa e veshit dhe mbaron te veshi i mesëm, te daullja (timpani). Në këtë kanal ndodhen disa gjëndra që sekretojnë një lloj lëngu të yndyrtë, dyllin e veshit. Po ashtu, ky kanal është i pajisur edhe me qime, që e mbrojnë veshin nga pluhurat e papastërtitë. Veshi i mesëm fillon me daullen, e cila është një membranë në formë vezake. Pas saj ndodhet një hapësirë, e mbushur me ajër, që quhet zgavra e daulles, dhe në vazhdim janë vendosur radhazi tri kocka: kudhra, çekiçi dhe yzengjia. Këto tri kocka janë nyjëtuar midis tyre dhe lidhen me fibra e me muskuj të hollë. Ndërtimi i veshit të brendshëm është më i ndërlikuar, sepse në të ndodhen organi i dëgjimit dhe organi i ekuilibrit. Te veshi i brendshëm ndodhen disa pjesë që quhen: labirinti eshtëror, labirinti membranor, kërmilli dhe organi i Kortit. Pjesë të organit të dëgjimit janë: kërmilli dhe organi i Kortit.