NDARJA DHE DIFERENCIMI QELIZOR
Nga zigota, nga kjo qelizë e vetme, formohen miliardat e qelizave të organizmit të ri. Kjo ndodh në bazë të ndarjes dhe të diferencimit qelizor. Qeliza e re, sapo formohet, ndahet menjëherë në dy qeliza dhe këto dy qeliza ndahen po ashtu, duke formuar katër qeliza. Procesi i ndarjes qelizore vazhdon me një shpejtësi të habitshme, aq sa brenda disa ditëve formohet një grumbull i tërë qelizash, që krijojnë atë që quhet embrioni i organizmit të ri. Në ditën e shtatë pas fekondimit, grumbullimi i qelizave të reja, pra embrioni, vendoset në një organ të veçantë të femrës, që quhet mitër. Në këtë shtrat natyror do të qëndrojë embrioni paskëtaj për nëntë muaj rresht, derisa të lindë.
Në procesin e ndarjes qelizore vihet re edhe një dukuri e re: diferencimi qelizor. Në një çast të dhënë, qelizat që krijohen nga ndarja qelizore fillojnë të diferencohen, pra të ndryshojnë disi nga njëra-tjetra, duke formuar shtresa të veçanta. Në ditët e para, nga bashkëvendosja e qelizave, formohet një cilindër, në të cilin më pas dallohen mirë tri shtresa qelizore: shtresa e jashtme, e brendshme dhe e mesme. Të tria këto shtresa qelizore janë origjina e pjesëve të ndryshme që formojnë organizmin tonë: shtresa e jashtme do të jetë burimi nga do të formohen lëkura, sistemi nervor, truri dhe palca kurrizore; shtresa e mesme do të formojë muskujt, veshkat, skeletin, zemrën dhe enët e gjakut; shtresa e brendshme është ajo që do të formojë mushkëritë, aparatin tretës, mëlçinë e shumë gjëndra e organe të tjera të brendshme. Në javën e katërt, embrioni, ashtu siç quhet qenia e re në zhvillim, pothuaj është ndërtuar dhe po fillon të marrë pamjen e t’i ngjajë gjithnjë e më tepër krijesës që ‘do të lindë pas tetë muajsh.