NDIJIMI
Ndijimi është një proces me anën e të cilit ne pasqyrojmë në trurin tonë një veti të veçantë të një sendi, të një objekti ose të një dukurie.
Sendet dhe dukuritë e ndryshme nuk kanë vetëm një veti, por disa veti. Kështu, p.sh., një mollë karakterizohet nga veti të tilla si forma, ngjyra, aroma, shija etj. Çdonjëra nga këto veti vepron mbi organet tona të shqisave. Këto ngacmime, organet tona të shqisave i shndërrojnë në impulse nervore dhe i transmetojnë në tru, i cili i regjistron, i ngulit dhe i përpunon. Në këtë mënyrë pasqyrohen në tru vetitë e ndryshme të sendeve e të objekteve. Të shpjegojmë pak më gjerë se ç’është ndijimi. Rrezet e dritës që vijnë nga një objekt në syrin tonë dhe që përcaktojnë ngjyrën e tij, pra një veti të tij, ngacmojnë qelizat nervore ndjesore të këtij organi. Këto qeliza kanë aftësinë që energjinë dritësore të rrezeve ta shndërrojnë në energji bioelektrike, në formë të impulseve bioelektrike, të cilat nervi optik i transmeton në tru, në qendrën e të parit, që ndodhet në lobin oksipital (të prapmë) të hemisferave të mëdha të trurit. Pikërisht në këtë zonë «incizohet»një fakt, një veti e sendit në trurin tonë; në këtë mënyrë pasqyrohet në ndërgjegjen tonë vetia e një sendi.