NISESHTEJA


NISESHTEJA
✤ (Amidoni). Pluhur i bardhë e i imët si miell, që nxirret kryesisht nga disa lloje drithërash. N. është komponim organik, një përzierje polisakaridesh që me hidrolizë të plotë jep glukozë. Përmbajtje më të lartë N. kanë orizi (62-86%), misri (57-72%), gruri (57-75%) dhe zhardhokët e patates (12-24%). N. ka vlera të larta ushqyese (100 g. japin rreth 335 kkal). Gjen përdorim të gjerë në ind. ushqimore, tekstile, kimike, farmaceutike etj. Para Çlirimit N. në vend prodhohej në ekonomitë familjare si dhe në mënyrë zejtare në punishte të vogla. Vitet e para pas Çlirimit u ngritën disa punishte të përqendruara në Shkodër, Korçë, Elbasan, në të cilat N. prodhohej me teknologji artizanale duke përdorur si lëndë të parë grurin. Ind. e N. dhe e nënprodukteve të saj (faqol, dekstrinë) filloi më 1958 me ngritjen e Fabrikës së niseshtesë në Shijak që përdor si lëndë të parë misrin. Më 1974 në Maliq u ngrit një fabrikë e re për N. misri me teknologji më të përparuar.

(F.Ll.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Niseshteja


[cite]