NJË GRUA E SHTIRUR
Odiseu u nis me Palamedin dhe së bashku mbërritën në qytetin e Aulidës, në brigjet e Beotisë, ku ishin mbledhur prijësit me luftëtarët e me anijet e tyre, të cilët e pritën Odiseun me gëzim e bënë festë të madhe për nder të tij. Po aty nuk kishin ardhur të gjithë: mungonte njëri, Akili, biri i Peleut, mbretit të Ftias, më fisniku dhe më guximtari i heronjve. Pse mungonte’ vallë Akili? Ai kurdoherë merrte pjesë i pari në betejat dhe në mundjet; kudo që e lypte nevoja për të përdorur heshtën dhe shpatën, aty do të gjendej patjetër Akili. Pse nuk kishte ardhur vallë? Ku ndodhej tani?
— E marr përsipër unë ta gjej, — tha Odiseu. Dhe shkoi të kërkonte Akilin.
Nuk ishte e lehtë ta gjeje heroin. Akili nuk e dinte se po përgatitej lufta, sepse e ëma, Teti1), e kishte dërguar të veshur si grua te Likomedi, mbreti i Skirës. Në Skirë, Akili e kalonte kohën duke ndenjur me të bijat e mbretit, dhe ishte martuar rne njërën prej tyre, me princeshën Deidamia. Asnjë, përveç Likomedit dhe Deidamias, nuk e dinte se Akili -ishte burrë.
Teti nuk donte që Akili të nisej për Trojë, sepse e dinte që, po të luftonte në Trojë, Akili do të vritej. Prandaj e kishte dërguar në ishullin e Skirës, larg në det, dhe e kishte porositur Likomedin të mos i thoshte asgjë për luftën.
Akili rrinte, pra, tërë ditën me të bijat e mbretit i veshur si grua dhe kurrkujt nuk mund t’i shkonte mendja që kjo vajzë me faqe ngjyrë trëndafili e me flokë të verdhë të ishte Akili, më i forti dhe më trimi i burrave.
Por Odiseu e gjeti mënyrën për të zbuluar heroin, që mbreti Likomed e mbante larg luftëtarëve. Dhe ja se si:
Odiseu u vesh si tregtar, mbushi një kanistër me gjilpëra për flokë, me krehëra, sandale, pëlhura të çmueshme dhe plot sende e zbukurime të tjera si këto. Pastaj u nis për në Skirë e atje u hoq sikur kishte ndër mend t’ua shiste mallin të bijave të mbretit. Kur u gjend përpara vajzave, Odiseu nxori nga kanistra tërë sendet e zbukurimet që kishte sjellë me vete, dhe i vuri mbi tryezë. Vajzat e rrethuan tërë gaz.
— Ç’gjerdan i bukur!
— Ç’vel i bukur!
Këtë qëndismë e dua unë!
— Kjo pëlhurë e kuqe është për mua!
— Sa lajle e lule të bukura paska kjo tokëz e artë!
Por në fund të kanistrës, tregtar’ i rremë kishte fshehur dy gjëra, që nuk i kishte sjellë për të bijat e Lakomedit: heshtën dhe përkrenaren e Akilit. I nxori dhe i vuri në mes të tryezës, midis pëlhurave dhe velave.
Me të parë armët, heroi brofi në këmbë, kapi duart e Odiseut, gjoja tregtarit, dhe ia nguli sytë.
— Cili je ti, o tregtar? — e pyeti Akili, duke i shtrënguar duart Odiseut. — Ti nuk je tregtar e nuk ke ardhur këtu për të shitur pëlhura dhe vela! Ti ke ardhur për mua; më thuaj, pra, ç’ke për të më thënë.
— Kam ardhur të të them, — iu përgjigj Odiseu duke drejtuar trupin, se gjer atë çast e kishte mbajtur të kërrusur, e duke vështruar heroin mu në sy, — se lufta midis Heladës dhe Trojës është në të filluar, se luftëtarët tanë më të mirë janë gati për t’u nisur dhe ti, më i forti i të gjithëve, o Akil, bir i Peleut, nuk ndodhesh në postin tënd. Jam unë që po të flas, Odiseu. Nuk më njeh vallë, o Aikil, bir i Peleut?
— Të njoh, si s’të njoh! Po nuk dija asgjë nga këto që po më thua! Asnjeri nuk më ka thënë gjë! Tani e kuptoj pse nëna më ka dërguar këtu midis grave! Teti ka frikë për mua. Ku janë luftëtarët tanë? Ma thuaj shpejt, që të shkoj t’i arrij!
— Do të të shpie unë në Aulidë, ku të presin prijësit dhe kreshnikët, — u përgjigj Odiseu.
Akili flaku tej rrobën prej gruaje që kishte veshur, rrëmbeu heshtën, vuri në kokën flokëverdhë përkrenaren me pupla të gjata dhe u nis me mbretin e Itakës për në Aulidë. Teti qau kur e pa të birin të nisej, sepse ,e dinte që, po të shkonte në luftë, Akili nuk do të kthehej më i gjallë. Dhe i doli përpara buzë detit që gjëmonte, e i ndenji afër duke e përqafuar.
— Akil, o biri im, mos u nis! Ti je i ri, i pashëm dhe i lumtur! Mos u nis. Atje ku do të vesh, do të kesh vuajtje, do të derdhësh gjakun tënd, aty të pret vdekja! Këtu ke jetën, gëzimin!
Po Akili, duke e përqafuar nënën, iu përgjigj:
— Teti, moj nënë e dashur, lërmë të nisem! Ti kërkon që të gjithë të luftojnë dhe vetëm Akili, biri yt, të mbetet në shtëpi si një frikacak? Do të kem turp të jetoj. Unë s’i trembem vdekjes. Po të vdes i ri, aq më bën! Jam betuar dhe do të shkoj. Këtu jeta ime do të jetë vërtet e gjatë, por e plogët; atje do të jetë e shkurtër, por e lavdishme.
Deidamia, njëra nga vajzat e Lakomedit, mbretit të Skirës, me të cilën ishte martuar Akili, s’hapi gojë dhe mbeti si e ngrirë, kur heroi u shfaq cili ishte përpara motrave të saj. Ajo iu lut heroit që të mos nisej duke qarë:
— Akil, mos më lër! Po të ikësh, djali ynë do të rritet pa baba dhe unë do të jem gjithë jetën fatkeqe!
— Djali ynë do të rritet vërtet pa baba, po mund të thotë e të krenohet gjithmonë se i ati nuk iu tremb vdekjes. Lermë të shkoj, Deidamia, moj grua e dashur; lermë të shkoj, moj nënë. Kam dhënë fjalën dhe dashuria juaj nuk do të më vlente, në qoftë se për hir-të saj unë do të shkelja fjalën e dhënë. Dhe Akili u nis me Odiseun për në Aulidë, ku. i pritnin kreshnikët e tjerë bashkë me një mijë anijet e me luftëtarët që ishin gati për të ngritur spirancat e për t’u nisur drejt Trojës.

1) Teti — nëna e Akilit, ishte perëndeshë

[cite]