NJË I ÇMENDUR I SHTIRUR
Luftë! Mbarë Greqia ishte armatosur: më shumë se një mijë anije me luftëtarë ishin gati për t’u nisur. Edhe Odiseut, mbretit të Itakës, që e urrente luftën dhe donte paqen, iu desh të bashkohej me të tjerët.
Odiseu e kishte qortuar Menelaun për padurimin e tij. — Pse u ngrite dhe more fjalën e i shave trojanët? Po të mos kishe hapur gojë dhe të ma kishe lënë mua, çdo gjë do të shkonte më mbarë. Do t’ua kisha mbushur mendjen trojanëve ta dorëzonin Helenën dhe atdheu ynë nuk do të shkatërrohej nga lufta!
Kështu i tha Menelaut Odiseu. Dhe ai vetë nuk kishte dëshirë të shkonte të luftonte. Kishte një vit e gjysmë që ishte martuar dhe nuk donte të largohej nga gruaja e tij e mirë dhe e bukur, Penelopa, dhe nga i biri foshnjë, Telemaku. Ai vetë kishte bërë çmos që ta shmangte luftën; në qoftë se Menelau s’u tregua i matur, s’qe faji i mbretit të Itakës! Duke menduar kështu, Odiseu ishte bindur se kishte përmbushur detyrën e tij ndaj Menelaut dhe po kërkonte tani të gjente mjetin që të mbetej në shtëpi.
Më në fund mendoi një dredhi, që iu duk e mirë.
Kur mori vesh se Palamedi, miku i Menelaut, po vinte ta merrte që të niseshin së bashku, Odiseu mori një thes plot me kripë dhe e shpuri buzë detit, duke ngarë dy qe të mbrehur në një parmendë. Kur pa anijen e Palamedit që po i afrohej bregut, zuri t’i ngiste qetë buzë detit, duke mbjellë kripë.
Palamedi arriti në breg dhe pa së largu një njeri që po mbillte.
— Cili të jetë ky njeri që po mbjell buzë detit? A nuk e ditka se bimët nuk mbijnë buzë detit? Pa shiko: po mbjell kripë! Sigurisht që do të jetë ndonjë i çmendur!
Në këtë çast, i çmenduri i shtirur po kalonte me qetë e tij përpara Palamedit, e vështronte me bisht të syrit, shtrembëronte gojën dhe tundte këmbët. Si e vështroi mirë e mirë, Palamedi e njohu që ai s’ishte kush tjetër veçse Odiseu.
— Ti qenke, Odise, mbret i Itakës? Pse e bën këtë punë? Nuk e di se kripa nuk mbillet? Nuk e di se buzë detit nuk rriten bimët?
— Rriten, ore, si s’rriten! Rriten mbi rërë, rriten mbi ujë, rriten mbi muret, rriten edhe mbi kokën e njerëzve! Edhe mbi hundët! Hunda jote kaq e bukur dhe e rrumbullakët duket sikur është bërë enkas që të rritet përsipër saj një bimë kripe! Dua të mbjell dhe aty!
Kështu foli Odiseu rëndë-rëndë nxori gjuhën një pash, i hodhi një grusht kripë në fytyrë Palamedit dhe vazhdoi rrugën.
Palamedi e shkundi nga fytyra kripën e lagur, se i digjnin sytë, dhe tha i sëndisur:
— I mjeri Odise, qenka çmendur! A është e mundur? Një njeri kaq i urtë, dinak dhe i matur! Po tani si do të bëjë që duhet të niset për në luftë? Është e pamundur të niset. Duhet ta lëmë në shtëpi!
Por, në këto fjalë e sipër, Palamedit i shkrepi një mendim. «Të jetë vallë e vërtetë? Odiseu i çmendur? Sikur s’më besohet! Është shumë dinak Odiseu. -Mos vallë bën gjoja sikur është i shkalluar! Ashtu ma ha mendja. Por si t’ia bëj që të. zbuloj të vërtetën?»
Palamedi e peshoi punën mirë e mirë, më në fund tha me vete i kënaqur: «I rashë më të! E gjeta!»
— Çfarë kishte gjetur? — pyeti Leoja.
— Se si të zbulonte të vërtetën. Shkoi në shtëpinë e Odiseut, ngriti nga djepi, tek po flinte, Telemakun, të birin e Odiseut, dhe, pa e zgjuar, e shpuri buzë detlt.
Odiseu vazhdonte të mbillte, veçse nuk i ngiste qetë si më parë, por i shtynte të shkonin mbrapsht si gaforre, Palamedi e lëshoi Telemakun përdhe, pranë parmendës.
«Në qoftë se Odiseu është vërtet i çmendur, — mendoi Palamedi, — nuk do të vërë re se ky është i biri e nuk do t’i ndalë qetë.»
Kur pa përdhe përpara parmendës foshnjën e tij që flinte, Odiseu s’dinte ç’të bënte. Të shkonte përpara duke ndërruar rrugë? Të kthehej prapa? Tani që Palamedi e kuptoi trillimin e tij, ishte e kotë të vazhdonte të hiqej si i çmendur. Kështu Odiseu ndali qetë e parmendën dhe pushoi së mbjelli.
— O Odise, o i shkalluari Odise! — tha Palamedi. — Ku të vajti tërë çmenduria? Pse nuk mbjell kripë edhe mbi trupin e Telemakut? Kushedi sa bimë të bukura do të rriteshin!
Odiseu nuk dinte ç’të përgjigjej dhe mbeti i heshtur, duke vështruar të birin që ishte zgjuar e po qeshte, duke lëvizur duart mbi rërë.
— Lëri ato, o mbret i Itakës, ti je i urtë si unë, e pe vetë. Shpjer në shtëpi kripën dhe foshnjën, çoji qetë në shtallë, pastaj eja të nisemi bashkë për në luftë. Odiseu mori në krahë foshnjën, shpuri në shtëpi kripën dhe i çoi qetë në shtallë. Pastaj armatosi luftëtarët e tij, nxori në det anijet dhe u nis me Palamedin, duke lënë në Itakë, t’anë, plakun Laert, gruan e tij të mirë, Penelopën, dhe Telemakun e vogël. Populli i Itakës, Penelopa, Laerti dhe Telemaku pritën për shumë e shumë vjet me radhë kthimin e heroit, sepse pas lufte Odiseut i ndodhën aventura të çuditshme clhe ai u kthye në atdhe i fundit nga gjithë heronjtë e luftës së Trojës.

[cite]