6.1 Përçarje në identitetin kulturor
Para inkursioneve turke të fundit të shekullit të katërmbëdhjetë Shqipëria shpesh kishte
qenë kufiri midis sferave antagoniste të ndikimit të katolicizmit roman dhe ortodoksizmit grek.
Edhe pse si rrjedhojë e kryqëzatave disa zona të Shqipërisë veriore e në veçanti portet e
Adriatikut nën ndikimin në rritje të Serenissimas i kthyen sytë nga Roma, pjesa më e madhe e
Shqipërisë qendrore e jugore mbeti bizantine. Edhe sot e kësaj dite shqiponja dykrerëshe e
Bizantit, simbol i kësaj trashëgimie, zbukuron flamurin shqiptar.
Ashtu si në lashtësi, vetë grekët e kohës së Bizantit nuk patën kurrë ndonjë interesim të
veçantë për ‘barbarët’ jogreqishtfolës të Perandorisë, dhe nuk mund të ketë kurrfarë dyshimi se
banorët e egër malësorë të Shqipërisë përbënin shembullin më të mirë të atyre që për ta ishin
barbarë jashtë kufijve të qytetërimit helen. Edhe pas pushtimit osman të Evropës dhe rënies së
Perandorisë së Bizantit, popullsia greke e Ballkanit jugor nuk ishte zhveshur plotësisht nga
trashëgimia perandorake e dy mijëvjeçarëve, për të cilat ajo ishte krenare. Pavarësisht nga
nënshtrimi i dhunshëm ndaj sundimit turk, midis grekëve mbretëronte një farë vazhdimësie
idesh dhe zakonesh, të ushqyera në veçanti nga kisha ortodokse, vetë kuintesenca e madhështisë
së venitur bizantine. Në Shqipërinë e jugut dhe Epir, që gjatë shekujve të sundimit turk e deri në
ditët tona kanë pasur një popullsi të përzier folësish shqiptarë, grekë e aromunë, Kisha
ortodokse mbeti shprehje e qytetërimit grek dhe iu përkushtua tërësisht gjuhës greke si mburojë
kulturore kundër hordhive pushtuese të Islamit. Të ishe i fesë ortodokse do të thoshte të ishe
grek, ashtu si të ishe i fesë islame do të thoshte të ishe turk. Në secilën prej këtyre kulturave pak
vend kishte për zgjimin shkallë-shkallë të aspiratave kombëtare shqiptare. Kështu që shqiptarët
e shkolluar në traditën greke do të orientoheshin doemos drejt gjuhës dhe kulturës greke.
Përdorimi i shkrimit grek për të shkruar gjuhën e folur nga shqiptarët shihej nga kisha ortodokse
si tepër i panevojshëm dhe më vonë shpesh edhe si herezi.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]