Pijet freskuese, prodhimi, llojet.
Pijet freskuese ndahen në dy grupe kryesore: natyrore, që prodhohen nga përbërës natyral, pijet e buta të frutave (10-15% lëng frutash, ujë, sheqer, esenca, me ose pa CO2, shtesa të tjera ushqimore), dhalla, hirra, boza, birra joalkoolike e pije me ekstrakte të bimëve aromatike; artificiale.
Shumë prodhues kanë formulat e tyre të esencave apo të aromave, prandaj dhe pijet freskuese janë të shumta. Faktori kryesor që përcakton ecurinë e pijve freskuese në treg është shija. Uji që përdoret, në prodhimin e pijeve freskuese duhet të jetë i zbutur, pasi uji i fortë shkakton turbullirë të pijeve. Dioksidi i karbonit jep efektin freskues e zgjat kohën e ruajtjes së pijeve. Në pijet dietike sheqeri zëvendësohet me zaharinë. Shtesat e acideve si acidi citrik,tartrik,malik rregullojnë shijen dhe frenojnë veprimtarinë e mikrogjallesave. Esencat e aromatizueset ndikojnë në shijen e në emrin e saj.
Prodhimi i Pijeve Freskuese kalon në këto etapa: Përzierja e lëndëve të para në të ngorhtë ( ujë,sheqer,lëng frutash,essencë apo shtesa te tjera); Ftohja e masës që ndihmon në përthithjen e CO2 deri në 0ºC; Ngopja me CO2 (gazimi); Ambalazhimi në mbushës automatik me ambalazh qelqi, plastik/ tetra pak; Sterilizimi në parametra minimal temperature e kohe; Etiketimi.
Llojet e Pijeve Freskuese: Coca cola (receta e përgatitjes është sekret, por dihet se përmban kafeine e karamel si ngjyrues); pijet nga ekstraktet e agrumeve, limoni, qitro, portokalli, etj; tonikët, që përmbajnë sasi të bollshme alkaloidi kinine; pijet biter; pijet energjike; pijet e buta të frutave me përmbajtje të ulët të lëngut natyral të frutave deri në maksimumi 15 %.; pije te buta me barëra, erëza; pije të buta me maja (birrat pa alkool); pijet me hirrë (përmbajnë deri ne 40 % hirrë); pijet e buta artificiale (me esenca aromatike e ëmbëlsues artificial); boza (prodhohet nga tharmimi i lehtë i ekstraktit të nxjerrë nga mielli i grurit, misrit); dhalla etj.
Treguesit e vlerësimit cilësor të pijeve freskuese ndahen në 2 rupe: organoshqisorë (pamja, ngjyra, era, prania e turbullirave,precipitate,shija,etiketa, ambalazhi etj); laboratorikë (përcaktimi i aciditetit, përcaktimi i sheqerit, prania e metaleve të rënda etj).
Difektet e pijeve freskuese mund të vijnë nga: lëndët e para; makineritë e prodhimit; enët e ambalazhit; ruajtja jo e përshtatshme.
Ruajtja e pijeve freskuese. Pijet freskuese ruhen në vende të thata, të freskëta, jo në prani të rrezeve të diellit. Kur produkti nuk ruhet si duhet shfaq defekte si: precipitat, ç’ngjyrosje, turbullira, thërmija notuese, rrjedhje, si i tillë edhe pse brenda afateve të ruajtjes në ambalazh nuk duhet përdorur.
Shërbimi. Pijet freskuese shërbehen në temperaturë 6- 8ºC, me shishet e tyre origjinale, që hapen te klienti, me/pa akull, në gota të ndryshme sipas llojit, kryesisht në tumbler. Disave mund tu shtohet dhe ndonjë fetë limon si p.sh tonikut, biterit, schweppes etj.
Ambalazhet e pijeve joalkoolike, kërkesat që duhet të plotësojnë ato.
Materialet e ambalazheve që përdoren më shpesh për pijet janë ambalazhe: qelqi; alumini; plastike; “tetra pak“ (70% letër, 24 % polietilen, 6 % alumin). Ambalazhi i pijeve dhe etiketa e tyre ndikon në tërheqjen e blerësve.
Ambalazhi i pijeve duhet të plotësojë këto kushte: mundësi për mbajtje, transport e përdorim; ruajtje e mbrojtje të përbërësve për jetëgjatësinë e përcaktuar dhe ndonjëherë mbrojtje nga kushtet e jashtme; identifikimi i përbërësve, sasive e përgatitjes; thjeshtësi në përdorim, hapje e mbyllje të thjeshtë të kapakëve, mundësi të shumta përdorimi; duhet të mos jetë i dëmshëm për shëndetin e të ruajë mjedisin.
Etiketa nuk duhet të keq informojë blerësin për produktin ushqimor e vetitë e tij. Ajo është detyrim ligjor . Me anë të etiketës marrim informacion për: emërtimin e produktit; prodhuesin e shtetin ku prodhohet; emërtimin, adresën e prodhuesit, tregëtuesit/ambalazhuesit; origjinën; datën e prodhimit, të skadencës; mënyrën e ruajtjes; sasinë e produktit në ambalazh; udhëzimet e përdorimit; përbërësit e produktit e sasinë e tyre.
Vlerësimi i ambalazheve, etiketave të pijeve joalkoolike.
Në kontrollin që u bëhet ambalazheve hyjnë analiza të thjeshta, që mund të verifikohen me anë të vëzhgimit të jashtëm të produktit (organoshqisore) si dhe analiza të tjera fizike, fiziko-kimike, mikrobiologjike etj. Ambalazhet e pijeve nuk duhet të kenë dëmtime fizike (deformime, dëmtime,rrjedhje,thyerje,çarje,shpime,oksidime,etj). Etiketat duhet të jenë të plota, të lexueshme, të mos fshihen nën veprimin e agjentëve të ndryshëm.
Përgatiti:
Albana Pelivani