7.5 Poetë romantikë: Françesk Santori, Gavril Dara i Riu dhe Zef Serembe
Zgjimi kulturor romantik i arbëreshëve në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë solli një
tjetër shkrimtar me talent origjinal. Françesk Anton Santori67 (ital. Francesco Antonio Santori,
1819-1894) lindi më 16 shtator 1819 në Picilia (ital. Santa Caterina Albanese) në krahinën e
Kozencës. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç filloi mësimet për prift dhe më 1842 hyri në
manastirin françeskan të Urdhërit të Reformuar në San Marko Arxhentano fqinje (San Marco
Argentano). Atje jetoi tetëmbëdhjetë vjet deri më 1860 dhe pasi nuk arriti të themelojë një
manastir në Latariko (Lattarico), aty nga viti 1858, e braktisi jetën e murgut njëherë e
përgjithmonë. I kthyer prapë në Picilia, ai tani nisi të shtyjë ditët me një jetë modeste si mësues
e si shitës i një vegje të bërë me duart e veta me tri apo katër fije. Më 1885 u caktua prift në
famullinë e Shën Japkut (ital. San Giacomo di Cerzeto), ku edhe vdiq në shtator 1894.
Santori është autor poezish, pjesësh teatrale, tregimesh, romanesh, përshtatjesh të 112
fabulave të Ezopit si dhe autor i një gramatike të shqipes të shkruar në vargje. Deri vonë pjesa
më e madhe e shkrimeve, me një drejtshkrim të tijin e mjaft të vështirë, pati mbetur e pabotuar68. Ishte ende në të njëzetat kur përfundoi poezinë e parë Canzoniere albanese
(Këngëtorja arbëreshe). Kjo poemë e gjatë kushtuar dashurisë dhe bukurive të natyrës doli
vetëm tre vjet pas botimit të parë të Këngëve të Milosaos të De Radës dhe në shumë anë mban
vulën e De Radës. U ripërgatit për botim më 1975 nga Françesko Solano (l. 1914) dhe më pas
në Tiranë nga Andrea Varfi69. Me rastin e hyrjes në fuqi të kushtetutës napolitane më 1848, ai
kompozoi edhe një himn shqip me titullin Vale garees madhe (Vallja e haresë së madhe), e cila
u botua në revistën L’Albanese d’Italia të De Radës më 23 shkurt të atij viti. Il prigionero
politico, Napoli 1848 (I burgosuri politik) është një rrëfim poetik në italishte, me disa pjesë në
shqipe, për peripecitë e një familjeje të përndjekur gjatë revolucionit italian më 1848.
Spontaniteti dhe lirshmëria me të cilën Santori kalon nga italishtja në shqipe dëshmon për
talentin e tij krijues në shprehjen kulturore dygjuhëshe. Santori është gjithashtu autori i dy
veprave fetare në shqipe të botuara gjatë viteve që kaloi si murg në manastirin San Marko
Arxhentano: Rozhaari i S. Myriis Virgkiyry, Kozencë 1849 (Ruzaria e Shën Mërisë së Virgjër),
poemë fetare, dhe Kryšten i šyityruory, Napoli 1855 (I krishteri i shenjtëruar), 230 faqe vargje
fetare, përmbledhje lutjesh, tekste kishtare në prozë e poezi dhe përkthime këngësh fetare nga
Cuneus prophetarum (1685) i Pjetër Bogdanit, të cilat Santori i përfshiu në librin e tij në shenjë
vazhdimësie të letërsisë fetare shqiptare.
Me rëndësi më të madhe letrare, nga pikëpamja historike janë dramat e Santorit. Emira
njihet si e para dramë origjinale në gjuhën shqipe. U botua në mënyrë mjaft të çrregullt, disa
pjesë në revistën Fiàmuri Arbërit në nëntor 1887, kurse të tjera në antologjinë shqiptare të De
Radës të vitit 1896. Në vitin 1984 vepra u ribotua nga Françesko Solano70. Santori shkroi një
numër pjesësh melodramatike të tjera si komedi dhe tragjedi, disa të papërfunduara, që i mbetën
në dorëshkrim për tërë jetën. Ndër to janë tragjedia Jeroboam dhe melodrama Alessio Ducagino
(Lekë Dukagjini) të shkruara midis viteve 1855 dhe 1860, që janë botuar tani nga Françesko
Solano71.
Përveç përkthimit të fabulave të Ezopit që përmendëm më lart, Santori hartoi edhe 1845
vargje satirike që kanë dalë në dritë vetëm tani vonë72. Në këto vargje më mirë se kudo mund të
vërehet ndjeshmëria e thellë fshatare dhe lidhja e ngushtë e tij me folklorin, pikërisht në këto
vargje shfaqet më së ploti vokacioni i vërtetë poetik i tij.
Që Santori ishte edhe prozator me rëndësi për historinë e letërsisë shqiptare, është bërë
përherë e më e qartë me anë të botimeve të sotme. Me dy romanet dhe gjashtë tregimet e tij ai
mund të konsiderohet tani shkrimtari më i hershëm shqiptar që të ketë krijuar një korpus të
rëndësishëm proze letrare ndonëse, me kriteret e sotme, asnjëra prej këtyre veprave, të cilat i
mbetën të pabotuara në të gjallë, nuk ka ndonjë vlerë estetike të jashtëzakonshme. Romani i tij
i papërfunduar Sofia Kominiate u shkrua në dy variante: një variant 282 faqesh në shqipe dhe
një 714 faqesh në italishte, ndërsa Il soldato albanese73 (Ushtari shqiptar) u shkrua vetëm në italisht. Tregimet e tij, të njohur me emrat e personazheve kryesorë Panaini e Dellja74, Kolluqi
e Sorofina, Brisandi Lletixja e Ulladheni75, Neomenia76, Filaredo, Rosarja, Emilja, Miloshini,
Virgjinia, Gnidhja e Kusari dhe Fëmija Pushtjerote77 trajtojnë motive nga jeta në fshat. Të
mbushur me mjaft elemente folklorike dhe etnografike konvencionale, ata vuajnë nga zgjidhje
të lumtura sentimentale e naive, që vijnë në shumë raste me një ‘deus ex machina’.
Santori e ushtroi penën e tij në shumë gjini: poezi, romanca në vargje, prozë, drama,
përkthime dhe vjersha humoristike, dhe mu për këtë shumanëshmëri e ka të siguruar vendin e
nderit në letërsinë arbëreshe, menjëherë pas De Radës. Krijimtaria e tij letrare është në
përgjithësi më e kapshme për lexuesin se ajo e De Radës, me gjithë vështirësitë që paraqet
drejtshkrimi i tij (veprat e Santorit tani botohen detyrimisht me transliterim). Nga ana tjetër, ajo
është larg përsosmërisë artistike apo lëmimit estetik, nëse këto mund të shpresoheshin prej
shkrimtarëve shqiptarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Megjithëse kishin kaluar katër shekuj me
traditë shkrimi, gjuha shqipe ishte ende mjaft e papërpunuar për letërsinë, dhe do të mbetej e
tillë deri në shekullin e njëzetë.
Rrjedha ende e ngadaltë e letërsisë arbëreshe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të
cilën Jeronim De Rada e kishte kanalizuar aq thellë brenda lëvizjes romantike, do të nxirrte një
vepër me frymëzim të vërtetë Osianik nga Gavril Dara i Riu78 (1826-1885), i njohur edhe si
Gabriele Dara. Dara lindi më 8 janar 1826 në Pallac (ital. Palazzo Adriano) në Sicili në një
familje të lashtë arbëreshe me emër, duke qenë një nga të parat familje që kishte ikur nga
Shqipëria pas vdekjes së Skënderbeut më 1468. Studioi në Seminarin grek në Palermo dhe më
vonë kreu studimet e larta për drejtësi, dhe e ushtroi avokaturën disa kohë në Agrixhento. Dara
u bë përherë e më aktiv në ngjarjet e bujshme politike të përmbysjes së Mbretërisë së Dy
Sicilive prej Garibaldit dhe shërbeu në detyra të ndryshme. Pas emërimit të parë si
kryekëshilltar i prefekturës së Palermos, ai shërbeu nga viti 1867 deri më 1869 si prefekt i
qytetit të Trapanit. Nga 1871 deri më 1874 ishte edhe drejtor i periodikut La Riforma në Romë
dhe vdiq më 19 nëntor 1885. Interesimet letrare e shkencore të Darës ishin të gjera dhe
përfshinin poezinë, folklorin, filozofinë, arkeologjinë dhe drejtësinë. Ai shkroi vjersha në
italishte si dhe një poemë fetare në shqipe kushtuar Shën Llazarit, por ka mbetur në histori
kryesisht për baladën romantike Kënka e sprasme e Balës, Katanxaro 1906.
Entuziazmi që shkaktoi poeti skocez Xhejms Mekferson (James Macpherson, 1736-
1796) me gjoja zbulimin e tij dhe botimin më 1760 të ‘Fragmenteve nga poezia e lashtë e
mbledhur në malësinë e Skocisë’, e ndezi imagjinatën romantike të shkrimtarëve dhe studiuesve
në mbarë Evropën gjatë më shumë se një shekulli. Mekfersoni hiqej se pati përkthyer poemat
epike kelte të kalorësit dhe rapsodit legjendar Osian (Ossian), por, kur u shprehën dyshime për
këtë, ai nuk paraqiti dot ‘dorëshkrimet e vërteta të lashta’ për të cilat bëhej fjalë. Lëvizja
Romantike, me kultin e saj për sublimen dhe me primitivizmin e saj ‘të vrazhdë fisnik’, zgjoi
pasionin për letërsinë gojore dhe traditat folklorike anembanë Evropës, kurse studiues të shumë
gjuhëve iu vunë kërkimeve e studimeve për eposet e lashta të popujve të tjerë. Kështu një shembull, Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832) ishte adhurues
i madh i poezisë ‘Osianike’. Nuk ka dyshim se tamam nën ndikimet e vona të Osianizmit, Gavril
Dara mëtoi se kishte njohur në përmbledhjen me këngë popullore të gjyshit fragmente nga një
poemë e lashtë epike shqiptare e një rapsodi malësor me emrin Balë. Kjo poemë në katër pjesë,
që rrëfen për bëmat e Nik Petës dhe Pal Golemit, heronj shqiptarë gjatë periudhës së motit të
madh të Skënderbeut, u botua së pari pjesë-pjesë më 1887 në periodikun Arbri i Ri nga Zef
Skiroi (Giuseppe Schirò), kurse e plotë doli në italishte e në shqipe në revistën La Nazione
Albanese (Kombi shqiptar) nga korriku i vitit 1900 e më tej. Skiroi e cilësoi atë që mendohej si
autor i kësaj poeme epike, me këto fjalë:
“Bala ka qenë një luftëtar i lashtë ndër ata që, pas pushtimit të Shqipërisë, erdhën në
Sicili dhe themeluan ngulimin e Pallacit. Pleqtë e moshuar e tregojnë si njeri kuqalash
e harbut. Ai u ikte shokëve dhe kalonte ditë e muaj me radhë duke u endur nëpër malësi
e duke hipur majave për të përshëndetur Shqipërinë. Kishte raste kur, në thellësi të
pyjeve, fliste me veten dhe vajtonte për shokët e rinisë. Nganjëherë, kur dimri ishte i
ashpër dhe malet e fushat i zbardhonte dëbora, ai ulej pranë zjarrit dhe u rrëfente
fëmijëve e të rinjve bëmat e epokës për të cilën vajtonte. Ai ishte poet luftëtar, si Osiani,
që jetoi i veçuar e i tërhequr në kujtimet e veta.”79
Nuk vonoi shumë dhe u njoh se Kënka e sprasme e Balës, me nëntë këngët e saj, ishte
e penës së vetë Gavril Darës. Fjalën që ai hedh sikur ka zbuluar fragmente të një poeme epike
shqiptare të lashtë, mund ta konsiderojmë më shumë si një vlim romantik tipik për kohën sesa
si sajesë me ndërgjegje. Cilatdo të kenë qenë synimet e autorit, poema nuk është pa merita
letrare në vetvete dhe sidoqoftë ka unitet e harmoni më të madhe se veprat e paraardhësit dhe
mësuesit të Darës, Jeronim De Radës. Trajtimi me frymë heroike që ai i bën periudhës epike të
historisë së Shqipërisë, ndonëse i paraqitur në një këndvështrim romantik që në letërsitë
bashkëkohore do të vështrohej si i tepruar, është të paktën edhe më i kuptueshëm se endjet e
ngatërruara poetike të De Radës te Milosao e te Serafina Thopia. Madje, Kënka e sprasme e
Balës përbën diçka mjaft të këndshme për t’u lexuar nga radha e letërsisë romantike arbëreshe
të shekullit të nëntëmbëdhjetë e për më tepër vazhdon të lexohet me ëndje nga studentët edhe
sot.
Poeti lirik Zef Serembe80 (ital. Giuseppe Serembe, 1844-1901) ka qenë një shpirt i
shqetësuar i parathënë për të mbajtur barrën e rëndë të vuajtjeve njerëzore. Ajo atmosferë
tragjike dëshpërimi, që e ndoqi gjatë gjithë jetës, shfaqet herë pas here e duket edhe në vargun
e tij. Serembja lindi më 6 mars 184481 në Strigar (ital. San Kosmo Albanese) në krahinën
kalabreze të Kozencës dhe ndoqi mësimet në kolegjin e Shën Adrianit. Në moshë të re, ra në
dashuri me një vajzë nga fshati i lindjes, e cila emigroi në Brazil me familjen dhe vdiq atje.
Humbja e saj nuk iu shqit nga mendja dhe, me shpresë se mos të paktën ia gjente varrin,
Serembe mori detin për në Brazil më 1874 në kërkim të një jete të re. Me një letër rekomandimi
në dorë nga Dora d’Istria (1828-1888), ai u prit në oborrin e perandorit Dom Pedro II. Pas një
historie të shkurtër dashurie atje, u kthye në Evropë, i mërzitur e i brengosur. Me të mbërritur në Botën e Vjetër në shtator të vitit 1875 rrota e fatit i eci prapë ters. Mbetur pa para, se ia
vodhën me sa duket në portin e Marsejës, u detyrua të kthehet në Itali më këmbë, dhe mendohet
se gjatë udhëtimit humbi shumë dorëshkrime. Në Livorno e ndihmoi Dhimitër Kamarda (ital.
Demetrio Camarda), i cili i dha paratë e trenit për pjesën e mbetur të rrugës deri në Kozencë.
Kudo që shkonte e kapte dëshpërimi, pa dyshim nga ndonjë depresion kronik apo ndonjë formë
tjetër çrregullimi psikik, dhe ndihej i vetmuar e i pasigurt. Prehje gjente në ëndërrimet e tokës
së stërgjyshëve, vizion ky i turbulluar nga realiteti i pushtimit turk të Shqipërisë dhe nga
indiferentizmi i fuqive Perëndimore ndaj vuajtjeve të saj. Në këtë izolim shpirtëror të tij, Italia
po bëhej përherë e më tepër dheu i huaj. Më 1886, Serembja vizitoi ngulimet arbëreshe në Sicili
dhe më 1893 vajti në Shtetet e Bashkuara, ku jetoi rreth dy vjet. Një vëllim me vjersha të tij në
italishte u botua në Nju Jork më 1895. Më 1887, emigroi nga Kalabria e tij në Amerikën e Jugut
për herë të dytë dhe u mundua ta nisë jetën për së pari në Buenos Aires. Pas një viti ra sëmurë
dhe vdiq më 31 dhjetor 1901 në Sao Paolo.
Shumë nga veprat e Serembes (vjersha, drama dhe një përkthim i Psalmeve të Davidit),
të cilat ai vazhdimisht i rishikonte e i ripunonte, humbën gjatë ndërrimeve të shpeshta të
vendbanimit. Në të gjallë ai botoi vetëm: Poesie italiane e canti originali tradotti dall’albanese,
Kozencë 1883 (Poezi italiane dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja) në italishte e
shqipe, Il reduce soldato, ballata lirica, Nju Jork 1895 (Kthimi i ushtarit, baladë lirike), vargje
vetëm në italishte, dhe Sonetti vari, Napoli 189? (Tingëllima të ndryshme), një përmbledhje
tepër e rrallë prej dyzet e dy tingëllimash në italishte të pajisura me një hyrje, të gjitha të
ngjeshura në katër faqe me shkronja të imëta. Një vjershë doli gjithashtu në gazetën e Xhuzepe
Skiroit Arbri i Ri më 31 mars 1887. Nga vjershat në gjuhën shqipe, tridhjetë e nëntë iu botuan
pas vdekjes në përmbledhjen Vjersha, Milano 1926, nga i nipi Kozmo Serembe (ital. Cosmo
Serembe). Krijime të tjera i janë gjetur në dorëshkrime dhe arkiva82 të ndryshme në vitet e
fundit, kurse disa vjersha madje kanë ardhur deri në ditët tona duke kaluar gojë më gojë ndër
fshatarët e Strigarit. Kjo provë e popullaritetit të tij është disi për t’u habitur, po të kemi
parasysh se një pjesë të mirë të jetës e kaloi larg fshatit të lindjes.
Vargu i Serembes, i pikëlluar e i trishtuar nga karakteri, por shpesh patriotik dhe idealist
për nga frymëzimi, konsiderohet nga një numër i madh njerëzish si poezia më e mirë lirike në
shqipe, të paktën para kohëve të reja. Gama tematike e tij përfshin lirika melodioze për
dashurinë dhe himne për vendlindjen (qoftë Italia, toka e lindjes së tij, qoftë Shqipëria, toka e
ëndrrave të tij), vjersha elegante për miqësinë dhe po ashtu për bukuritë e natyrës, si dhe vargje
me frymëzim fetar. Lirikat që i kushtohen atdheut të humbur janë vjersha romantike me frymë
kombëtare e me ndjenjë të ndezur malli, vjersha që çimentojnë lidhjet letrare me brezin që po
lindte të poetëve të Rilindjes në Shqipërinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Po të tilla janë edhe
ato që i kushtohen Ali pashë Tepelenës, Dora d’Istrias dhe Domeniko Mauros. Sado atdhetar që
mund të ketë qenë, Serembja nuk ishte nga ata poetë intelektualë që mund të na jepnin një
kronikë poetike të së kaluarës së Shqipërisë. Ai ishte një poet i ndjenjës, e sidomos i vetmisë e
i zhgënjimit. Në vargun e tij ndihen disa nga anët më intime të poetëve italianë Françesko
Petrarka, Dante Aligieri dhe Xhakomo Leopardi, të cilët i kishte lexuar dhe adhuruar të gjithë.
Lirikat e tij të dashurisë, disa kushtuar vajzës që kishte dashur, përbëjnë një ditar të vërtetë të
zemrës së tij, për shembull Kënthimë tharosi, e njohur edhe nën titullin Kënkë malli:
“Rri e pikosur me mua, ku e di çë ke,
O ti e të bjerrit Parrajs molla më e mirë!
Thuomë çë të bëra u i shkret e kështu më le
Sa gjellen bën – e rronj pa fare hirë.
Oh! si të tharëta më shkuon kto dit, çë fare
Nkë pe ninat e qeshur nd’ata si
Çë shpirtin, dreq, m’e mbijin ndë gavnare
Çë m’e pataksjin lart me mallëmadhi.
Ballet terjorisur rrëmba dielli
Ka jotja dritsorë u më nkë pe,
Ne buzen me at çerë çë i qeshnej qielli,
Se të vrëret m’i mbuluon paru shum re.
Te gjiri, vash, mua zëmra mbëshon me zjarr,
Gjith trutë më vruntullisnjin me noere,
Pushimë u nkë mun çonj, paq nk’ mun marr
E gjellen kështu ti, vash, m’e vret njëhere!”83
_____
67 kr. Straticò 1896, f. 221-238, Z. Kodra 1954a, Gradilone 1974, f. 7-77, Altimari 1982, Qosja 1984, vëll. 2, f. 185-232, K. Kodra 1987, 1990, 1991, Fortino 1991a, 1993, dhe Santori 1993/1994.
68 kr. Gangale 1973 për dorëshkrimet ende të pabotuara që gjenden në Koleksionin Shqiptar në Kopenhagë, sidomos, f. 46 (III 5), (III 17), 102 (V 26) dhe 134 (V 58).
69 kr. Santori 1975, 1980.
70 kr. Santori 1984. Shih edhe Santori 1959, dhe K. Kodra 1977.
71 kr. Santori 1983.
72 kr. Santori 1982.
73 kr. Santori 1976.
74 kr. Santori 1979.
75 kr. Santori 1977.
76 kr. Fortino 1993.
77 kr. Santori 1979.
78 kr. Petrotta 1932, f. 228-232, 1950a, f. 8-24, K. Kodra 1975a, Varfi 1981, dhe Qosja 1984, vëll. 2, f. 349-374.
79 kr. Arbri i ri, 3 (1 qershor 1887).
80 kr. Gradilone 1960, f. 142-161, 1989, K. Kodra 1970, 1971, 1975b, Shuteriqi 1961, 1974, f. 143-196, 1977, f. 251-309, Qosja 1979b, f. 9-38, 1986, vëll. 3, f. 7-66, Belmonte (red.) 1988, dhe Belmonte 1991.
81 Mbi ditëlindjen e Serembes, kr. Serembe 1985, vëll. 1, f. 10.
82 Për fragmente të veprës së tij në Koleksionin Shqiptar në Kopenhagë, shih Shuteriqi 1963a, dhe Gangale 1973, f. 53 (III 24), 61 (IV 5).
83 Transkriptim i Xhuzepe Gradilones nga një dorëshkrim i Koleksionit Shqiptar të Bibliotekës Mbretërore në Kopenhagë, kr. Gradilone 1989, f. 98-99.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia