7.6 Shkrimtarë të tjerë arbëreshë të shekullit të nëntëmbëdhjetë

Ndër shkrimtarët arbëreshë më të vegjël të fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë mund
të përmendet Benjamin Frashini84 (ital. Beniamin Frascini), poet dhe prift nga Frasnita (ital.
Frascineto) në krahinën e Kozencës, autor i një poeme të gjatë, por me interes letrar të paktë.
Ajo trajton ngjarjet e vitit 1807 kur trupat frënge shkretuan krahinën. Kjo vepër me 168 strofa,
me titullin italisht I Francesi in Frascineto-Porcile nel 1807. Triste conseguenze delle discordie
degli abitanti, divisi in Giacobini, partigiani de’ Francesi, e Realisti, devoti al Re Ferdinando
IV di Borbone (Francezët në Frasnitë-Purçill më 1807. Rrjedhojat trishtuese të
mosmarrëveshjeve midis banorëve të ndarë në Jakobinë, partizanë të francezëve, dhe ruajalistë,
besnikë të mbretit burbon Ferdinand IV), u kopjua më 1900 nga profesor Domeniko Manjeli
(ital. Domenico Magnelli) dhe u zbulua në një nga dorëshkrimet e tij më 1960. Një poemë e
dytë historike në shqipe që flet për pushtimin francez në atë periudhë është shkruar nga
Kostantino Askuri85 (ital. Costantino Ascuri, 1810-1871) nga Ejanina (ital. Eianina), student
në kolegjin e Shën Mitrit. Ajo ndodhet në një dorëshkrim të titulluar thjesht Kënka (Kënga), që
mban datën 1834. Një tjetër poet arbëresh nga Shën Mitri dhe student në kolegj ishte Kostantin
Beluçi Shalja86 (ital. Costantino Bellucci Sciaglia, 1796-1867). Beluçi ishte poet satirik i
njohur, që asokohe e nxirrte jetesën duke punuar si rrobaqepës, kurse më vonë si pylltar. Veprat e tij u botuan pjesërisht nga Jeronim De Rada më 188487 dhe u përkthyen në italishte nga
Salvatore Braile (1872-1960) në Shkodër më 1924 nën titullin La commediante, satira ai
galantuomini di San Demetrio Corone. Euxhenio Peta (ital. Eugenio Petta), prift dhe poet
sicilian i cili, ashtu si Nikolë Filja (1693-1769), shërbeu në Qeuti në Puljen veriore më 1804 dhe
1807, ishte autor i dy distikëve shqip të gjetur në kishën e San Merkurio in Serrakapriola (ital.
San Mercurio in Serracapriola). Ata u botuan nga Mikel Markianoi88. Vinçenco Suli nga
Pallaci (ital. Palazzo Adriano) në Sicili ka shkruar në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë një
vjershë për verën (pije)89. Françesko Parrino90 (1754-1831) nga Hora e Arbëreshëvet ishte
autor i dy vjershave shqip për Shën Llazarin. Thuhet se i ati, Demetrio Parrino91, prift në
Horën e Arbëreshëvet, ka përkthyer shqip pjesë të liturgjisë, disa në vargje, ndonëse këto
përkthime nuk kanë ardhur deri në ditët tona. Një vjershë tjetër për Shën Llazarin na ka lënë
Gavril Dara Plaku92 (ital. Gabriele Dara, 1765-1832), gjyshi i Gavril Dara të Riut dhe
folklorist nga Pallaci në Sicili, përmbledhja me këngë popullore arbëreshe e të cilit ka humbur.
Edhe i biri, Andrea Dara93 (1796-1872), babai i Gavril Dara të Riut, dëshmoi interesim të
gjallë për folklorin arbëresh dhe qe autor jo vetëm i një përmbledhjeje me këngë popullore
arbëreshe të Sicilisë dhe i një vepre mbi Usi e costumi di Palazzo Adriano, 1859 (Zakonet e
Pallacit), por edhe i një fjalori 5000 fjalësh shqip-italisht (1862-1868), pas një gramatike të
shkurtër të shqipes (1830) dhe një përkthimi të Ungjillit të Shën Mateut. Shumica e këtyre
veprave mbetën të pabotuara dhe ruhen në formë dorëshkrimi në Koleksionin Shqiptar të
Bibliotekës Mbretërore në Kopenhagë94. Mosè Troiano95 nga Pllatani (ital. Plataci) në veri të
Kozencës njihet si përkthyes i dy vjershave italiane në shqipe duke përdorur alfabetin e
përhapur nga Jeronim De Rada. Ato datojnë nga fillimi i mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Nja dy a tri vjersha humoristike në shqipe të shkruara nga Karlo Dulçi (ital. Carlo Dulci, 1765-
1850), i njohur edhe me emrin Carlo Dolce ose Luz Glikjini, nga Hora e Arbëreshëvet, u botuan nga Dhimitër Kamarda më 186696. Akil Parapunja97 (ital. Achille Parapugna, 1855-1883), të
cilit De Rada i parashikoi një të ardhme të madhe si poet, vdiq para kohe më 16 mars 1883,
duke mos lënë veçse disa këngë në dialektin e tij vendës të Ejaninës.
Nga letërsia fetare e gjysmës së parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë kemi katekizmin
shqip në dialektin kalabrez të Shën Vasilit98 të vitit 1834 nga një i quajtur Bonifac Tamburi
(ital. Bonifacio Tamburi, l. 1799), i njohur ndryshe me emrin Françesko Saverio Tamburi, si
dhe një përkthim tjetër shqip të katekizmit të Shën Robert Belarminit (1542-1621) nga Zef
Gualiata S. J.99 (ital. Giuseppe Guagliata, l. rreth vitit 1814). Ky përkthim i Belarminit nën
titullin Dottrina e Kerscten (Doktrina e krishterë), e botuar nga Propaganda Fide në Romë më
1845, ndjek traditën e përkthimit të Pjetër Budit (1618) e të Bernardit të Kuintianos të gjysmës
së parë të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Thuhet se Gualiata, prift jezuit italian i dërguar si
misionar në Shqipëri më 1841, ka qenë bashkautor (me Vinçenc Bazilen) i një gramatike tani të
humbur të shqipes, të shkruar në italishte rreth vitit 1842. Përveç kësaj gramatike, Vinçenc
Bazile S. J.100 (ital. Vincenzo Basile, 1818-1882), edhe ky prift jezuit italian e misionar në
Shkodër, botoi Ruga e parrisit, Romë 1845 (Rruga e parajsës), një përmbledhje 144 faqesh
rrëfenjash moralizuese, ndër to edhe legjendën e ikjes së Shën Mërisë nga Shkodra për në Itali
më 1567101. Propaganda Fide, përherë e shqetësuar për mendjet dhe zemrat e grigjës shqiptare
të kishës, që po rrëmbeheshin nga Islami, botoi edhe një numër veprash të tjera fetare autorësh
anonimë.
Gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë që, me gjithë rrëzimin e dinastisë së
Burbonëve, ishte një periudhë konfliktesh sociale të vazhdueshme në mbarë Italinë e jugut, na
jep një shkrimtar i cili shpesh është cilësuar si poeti i parë socialist në letërsinë shqiptare,
Vinçenc Stratigo102 (ital. Vincenzo Straticò, 1822-1885). Ai ishte nga katundi kalabrez Ungër
në provincën e Kozencës ku lindi më 16 dhjetor 1822 dhe studioi në Shën Mitër në Kolegjin e
Shën Adrianit. Mori pjesë në ngjarjet e vitit 1848 ku për pak kohë ishte kapiten ushtrie. Me t’u
kthyer në qytetin e lindjes, ku edhe kaloi pjesën tjetër të jetës, iu përkushtua me gjithë shpirt
mbrojtjes së të drejtave sociale e politike të fshatarësisë së varfër të Kalabrisë dhe luftës së saj
për një jetë më të mirë. Poezitë e tij me tema atdhetare, shoqërore e dashurie, nga të cilat një
numër i vogël dolën në dritë, dëshmojnë për një vetëdije të mprehtë sociale të shfrytëzimit klasor, një tipar krejt unikal në letërsinë arbëreshe.
Pak e njohur deri vonë ka qenë poezia e Zef Engjëll Noçitit103 (ital. Giuseppe Angelo
Nociti, 1832-1899) nga Spixana (ital. Spezzano Albanese) në Kalabri. Ashtu si Stratigoi, Noçiti
studioi në kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën Mitër, ku edhe mori një arsim klasik të
qëndrueshëm. Përmbledhja e tij prej njëzeteshtatë vjershash lirike me titull Rëmenxa t’arbresha
(Rima shqiptare), e hartuar midis viteve 1858 e 1876 së bashku me një përkthim italisht, ka
qenë botuar me një fjalor nga Italo Costante Fortino104.
Bernard Bilota105 (ital. Bernardo Bilotta, 1843-1918), ishte vjershëtor amator, filolog
e mbledhës folklori që krijoi një numër të madh vjershash fshatarake. Lindur më 29 nëntor 1843
në Frasnitë në Kalabrinë e veriut, ai ndoqi kolegjin e Shën Adrianit dhe shërbeu si klerik më
1866, dhe më vonë si mësues. Mik dhe pasues i Jeronim De Radës, nga i cili trashëgoi vrullin
e zjarrtë për të rizbuluar kulturën shqiptare, Bilota ishte antar i ‘Consiglio Albanese d’Italia’
(Këshillit Shqiptar të Italisë) dhe nismëtar, bashkë me De Radën dhe Anselm Lorekion, i
kongresit të parë gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro më 1895. Bilota ishte autor
prodhimtar, ndonëse botoi pak. Përveç një numri veprash pak të njohura në italishte për
historinë biblike, arkeologjinë dhe origjinën ‘pellazgjike’ të shqiptarëve, ai ishte autori i një
Dizionario filologico albanese, 1888 (Fjalori filologjik të gjuhës shqipe) prej 6000 fjalësh, i cili
përmban dyqind faqe me material gjuhësor në dialektin e Frasnitës si dhe disa sprova të
habitshme etimologjike; i një Monografia di Frascineto, 1891 (Monografia e Frasnitës),
kronikë poetike e papërfunduar në pesë pjesë për vendlindjen që përfshin rreth 2000 vargje
njëmbëdhjetërrokshe, dhe Zakonet e Frasnitës, 1894, ku përshkruan traditat e fshatit, ritualet
dhe ceremonitë e përvitshme, në 1710 vargje njëmbëdhjetërrokshe. Deri tani asnjë nga këto
vepra nuk e ka gjetur dritën e botimit. Të pabotuara janë edhe një numër rrëfenjash në vargje,
me tipare prozaike, fjala vjen E bukura e Jetës, 1895, sipas përrallës shqiptare të së Bukurës së
Dheut; E Bukura Harezë, 1896, dhe Minosi, nga e cila gjenden tri variante, të viteve 1903, 1909
dhe 1918. Poema e tij satirike me 150 faqe, 8664 vargje, Minosi106, na jep një tablo fshatarake
e herë herë therëse satirike të skëterrës, në flakët e së cilës Bilota ndjen kënaqësinë Danteske të
ndëshkimit të kundërshtarëve dhe armiqve të tij nga Frasnita. Ndër veprat e tjera të pabotuara,
mbi 20,000 vargje gjithsej, janë Jeta e Shën Mërisë, 1896, me 1720 vargje; Të vdekurit, 1896;
Monografi i Shën Nilit dhe një komedi me 3500 vargje Don Kishoti, 1908.
Në të gjallë Bilota botoi vetëm dy përmbledhje modeste me poezi shqipe: Versi lugubri,
Kastrovillari 1894 (Vargje të zymtë), që përmban rreth dyzet sonete elegjiake me përkthim në
italisht, dhe Stima agli ottimi, biasimo ai tristi, Kastrovillari 1898 (Nder më të mirëve, përbuzje
të trishtuarve), një përmbledhje e vogël kushtuar Pjetër Buljarit (ital. Pietro Bugliari), që
përmban edhe disa përkthime në italishte. Bilota lëvroi edhe temën shumë të dashur në letërsinë
shqipe, atë të Skënderbeut, me poemën epike popullore me 10,000 vargje Shpata Skanderbekut
ndë Dibrët Poshtë, Tiranë 1967. Kjo poemë historike në 13 këngë plot patos heroik u nis më
1874 dhe përfundoi më 1890, dhe është me interes të veçantë për shqiptarët në kontekstin e
zgjimit kombëtar në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Si në të tjerat, edhe në këtë
vepër Bilotën e shohim shkrimtar që të habit me forcën e tij imagjinuese, të ndezur me vrull dhe
entuziazëm patriotik, por pa ndonjë talent letrar e stil të spikatur. Skenave të zgjatura me përshkrime betejash në Shpata Skanderbekut ndë Dibrët Poshtë u mungon dukshëm
dramaticiteti, kurse vepra e tij në përgjithësi është pak e përpunuar. Ajo që duhet nënvizuar
është merita që ka Bilota në përdorimin e gjuhës amtare për herë të parë në një gamë aq të gjerë
temash, duke i hapur kështu horizonte së idiomës fshatare të arbëreshëve.

_________
84 kr. Shuteriqi 1976, f. 162.
85 kr. Shuteriqi 1976, f. 205.
86 kr. Gradilone 1960, f. 218-232, Gangale 1973, f. 88 (V 10), dhe Shuteriqi, 1976, f. 249.
87 kr. Fiàmuri Arbërit 1884, Nr. 11-12, f. 84-93.
88 kr. M. Marchianò 1906.
89 kr. Schirò 1923, f. 330-331.
90 kr. Schirò 1907 dhe 1923.
91 kr. Schirò 1923.
92 kr. Schirò 1907, dhe Shuteriqi 1976, f. 201-202. Vjersha në fjalë ruhet në Koleksionin Shqiptar në Kopenhagë. kr. Gangale 1973, f. 68 (IV 16).
93 kr. G. Dara 1906, f. 6-7, Schirò 1923, dhe Petrotta 1932, f. 81-82.
94 kr. Gangale 1973, f. 16 (II 10), 21 (II 17), 25 (II 20a), 62 (IV 6), 82 (V 4), 126 (V 50) dhe 129 (V 53).
95 kr. Shuteriqi 1976, f. 271.
96 kr. Camarda 1866, f. 195-197. Shih edhe Schirò 1923, Petrotta 1932, f. 157, 187,
dhe Shuteriqi 1976, f. 237, 271, dhe për dorëshkrimet e Dulçit në Kopenhagë, Gangale 1973,
sidomos f. 11 (II 6) dhe 157 (V 81).
97 kr. Selvaggi 1962.
98 kr. Solano 1983.
99 kr. Shuteriqi 1976, f. 244-245.
100 kr. Shuteriqi 1976, f. 245.
101 Sipas legjendës, kur turqit zunë Shkodrën, ikona e Zojës së Shkodrës ose Zojës së Bekueme (ital. Madonna di Scutari) u shkëput nga muri i një kishe në rrëzë të kalasë së Rozafës dhe u arratis nëpër Adriatik. Atë e ndoqën dy shqiptarë, Gjorgji dhe De Sklavisi, të cilët pas shumë gjurmimesh e zbuluan në Genazzano afër Romës, ku edhe sot e kësaj dite është vend i shenjtë i Zojës së Shkodrës, ku shkojnë e falen katolikët shqiptarë.
102 kr. Straticò 1896, f. 263-270, dhe Z. Kodra 1965.
103 kr. Laviola 1991, Acquafredda 1991, dhe Francesco Marchianò 1993.
104 kr. Nociti 1992.
105 kr. Giordano 1959.
106 kr. Gangale 1973, f. 137 (V 61).

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]