PORTOKALLI
✤ (Citrus sinensis Osbeck). Drufrutor i familjes rutore (Rutaceae) i grupit të agrumeve, me gjelbërim të përhershëm me trung që arrin lartësinë 5-6 m, me gjethe vezake që përfundojnë me majë, me ndajgjethëza të vogla, me lule të bardha e aromatike. Lulëzon në prill-maj, bën fryt një kokërr të rrumbullakët, pak a shumë të shtypur në majë, mesatarisht e madhe, e verdhë deri në portokall, shumë të shijshëm, me lëvore të ngjitur me tulin. Tuli është i ndarë në 9-13 thela, me ose pa fara, përgjithësisht me ngjyrë të verdhë por te disa kultivarë ka njolla të kuqe ose është krejt i kuq. Jeton 60-70 vjet. P. është me prejardhje nga vendet e Azisë Jugore, në Shqipëri është i përhapur në rrethet Sarandë, Vlorë dhe Elbasan, më pak në Lushnje, Fier e Durrës. Kultivarët më të përhapur janë: P. i vendit, Gjakoshare, Navel, Taroko etj. P. do klimë të ngrohtë, venhe me temp. që nuk e kalon -5°C e të mbrojtura nga era, toka argjilo-gëlqerore të pasura e të përshkueshme. Shumëzohet me fidanë të shartuar mbi filiza nerenxe, limoni ose trifoliane. Fruti i P. është me vlera ushqyese, ka vitaminë C, ‘vitaminë P. kripëra të kaliumit, fosforit etj. Frutat hahen të freskëta, prej tyre përgatiten pije freskuese, reçele etj. Nga lëkura e frutit, lulet dhe gjethet prodhohen esenca që përdoren në parfumeri, farmaceutikë dhe për përgatitje likernash. Lëngu i P. është i ëmbël, aromatik dhe shumë i shijshëm.
(J.Dh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Portokalli
[cite]