REALGARI
✤ (As2S2). Mineral i arsenikut që ka trajtë dejzash e folesh, me ngjyrë të kuqe portokalli me shkëlqim dylli. Formon agregate kokrrizore, cipa dhe rrallë kristale prizmatike ose gjilpërore. Ka fortësi 1.5 deri në 2, dendësi 3.4-3.6. Vazhdimisht shoqërohet nga auripigmenti (As2S3) me ngjyrë të verdhë limoni. Formohet nga tretësirat hidrotermale të temp. të ulëta. Përdoret për luftimin e dëmtuesve në bujqësi, në metalurgji për prodhimin e lidhjeve, si çngjyrosës i xhamit, në farmaceutikë, për përgatitjen e ngjyrave, të lëndëve helmuese, për regjjen e lëkurëve dhe në lidhjet me galiumin përdoret për prodhimin e gjysmëpërçuesve.
Në Shqipëri gjendet në Koman, gjatë kontaktit tektonik të Zonës së Mirditës me nënzonën e Cukalit, në flishin e kretak-paleogjenit, si dhe në Zonën e Korabit në Radomirë, midis rreshpeve të metamorfizuara të paleozoit dhe në Dipjakë të Peshkopisë midis blloqeve të serpentiniteve.
(A. Gr.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Realgari
[cite]