RECEPTORËT E SHIJES
Receptorët e shijes janë papilat e gjuhës, që ndodhen të përhapura në sipërfaqen e mukozës së gjuhës dhe në qiellzën e butë. Ato janë katër llojesh dhe secila prej tyre percepton një nga katër shijet bazë të ëmblën, të hidhurën, të thartën dhe të kripurën. Shpërndarja e receptorëve të shijes në sipërfaqen e gjuhës nuk është e njëjtë.
Kjo ka sjellë që edhe zona të ndryshme të gjuhës sonë të dallojnë më shumë një nga shijet kryesore. Kështu ma ja e gjuhës percepton të ëmblën, rrënja të hidhurën, anët e saj perceptojnë më shumë të kripurën, ndërsa pjesa e mes me të thartën. Por në të vërtetë ne përcaktojmë më tepër se katër shije, të cilat formohen nga kombinimi i katër shijeve bazë.
Ne arrijmë të përcaktojmë shijen e një lënde, të një ushqimi, vetëm atëherë kur kjo lëndë përhapet në gojën tonë në prani të pështymës. Ngacmimet që shkaktojnë molekulat e lëndës, papilat i shndërrojnë në impulse nervore, të cilat nervat e shijes i transmetojnë në tru, ku analizohen.
Por duhet të theksojmë se shija është e lidhur ngushtë edhe me nuhatjen. Vlerësimi i shijes së ushqimeve bëhet zakonisht nga kombinimi i këtyre dy ndjesive kryesore: e të shijuarit dhe e të nuhaturit. Perceptimi i shijes ulet kur ushqimi është i nxehtë ose dhe i ftohtë. Shijen e ushqimeve ne arrijmë ta dallojmë më mirë, kur temperatura e tyre është rreth 24°C. Të shijuarit dhe të nuhaturit kanë një rëndësi të madhe jetësore, sepse në kohën që ne provojmë shijen e një ushqimi, përgatitet aparati tretës, gjëndrat e stomakut sekretojnë lëngjet që do të përpunojnë ushqimin.