RECEPTORËT NDJESORË TË LËKURËS
Në gjithë shtrirjen e lëkurës së trupit tonë janë shpërndarë me mijëra e mijëra receptorë të vegjël, të cilët kapin ngacmime të natyrave të ndryshme, si p.sh. ngacmimet që shkakton të nxehtit, të ftohtit, prekja etj. Këto ngacmime shndërrohen në impulse nervore dhe transmetohen në tru me anën e nervave përkatëse. Në këtë mënyrë truri ynë është i informuar vazhdimisht për temperaturën që na rrethon, për sendet që ne prekim etj. Këta receptorë luajnë një rol me rëndësi shumë të madhe, sepse e mbrojnë organizmin tonë nga rreziqe të mundshme dhe na lejojnë që ‘të marrim masat e duhura për t’iu përshtatur kushteve të mjedisit.
Receptorët ndjesorë të lëkurës i ndajmë në tri grupe kryesore: në receptorë të dhimbjes, në receptorë të temperaturës dhe në receptorë të prekjes.
Në çdo 1 cm2 të lëkurës sonë ndodhen rreth 100 receptorë që kanë aftësinë të perceptojnë dhimbjen. Këta receptorë e mbrojnë organizmin nga shumë rreziqe, sepse ne menjëherë e largojmë trupin ose krahun nga çdo objekt që na shkakton dhimbje e që mund të na dëmtojë.
Receptorët e temperaturës janë dy llojesh: receptorë që perceptojnë të nxehtit dhe të ftohtit. Kur temperatura e lëkurës sonë është 32°C, ne nuk ndiejmë as të ftohtë as të ngrohtë. Nëse temperatura e lëkurës ulet nën 32°C, ne kemi ndjesinë e të ftohtit dhe, në të kundërt, nëse ngrihet mbi 32°C, kemi ndjesinë e të ngrohtit. Këta receptorë, duke njoftuar trurin vazhdimisht mbi ndryshimet e temperaturës, na lejojnë që t’i përshtatemi kohës, stinës, mjediseve të ndryshme, të vishemi më trashë ose më lehtë etj. Në gjithë sipërfaqen e lëkurës janë të shpërndarë rreth 50 mijë receptorë të prekjes. Me anë të këtyre receptorëve ne dallojmë natyrën e sendeve që prekin, nëse janë të forta, të ashpra, të buta, të lëmuara etj. Por jo të gjitha pjesët e lëkurës e kanë të zhvilluar njëlloj ndjesinë e prekjes. Ajo është më tepër e zhvilluar në mollëzat e gishtërinjve, e më pak në thembër, në krahë etj.