RRETH “VENDLINDJES” SË KODIKËVE MESJETARË TË SHQIPËRISË1
KOSTA NAÇO
Në Arkivin Qendror të Shtetit ruhet një koleksion i konsiderueshëm kodikësh mesjetarë të
shkruar në gjuhën greke, në pergamenë, ashtu dhe në letër. Këto dorëshkrime janë një
material autentik, që na vjen nga thellësia e shekujve, në një kohë kur burimet për historinë e
Shqipërisë për shekujt VI-XI janë të varfra.
Natyrisht, numri i kodikëve që kanë arritur te ne është shumë herë më i vogël në krahasim
me numrin e kodikëve të shkruar nëpër kishat, manastiret dhe në qendrat e tjera të shkrimit
në vendin tonë. Burimet e ndryshme historike njoftojnë se numri i kodikëve ishte shumë më
i madh. Kjo çështje mund të përbëjë në të ardhmen objektin e një studimi të veçantë.
Kodikët janë shkruar në gjuhën greke, se gjuha greke ka qenë për një kohë të gjatë gjuha
zyrtare e Perandorisë Bizantine, ku bënte pjesë edhe vendi ynë; ka qenë gjuha e kishës
ortodokse, dhe ishte afirmuar si gjuhë kulture në përgjithësi.
Këto dorëshkrime të shkruara në gjuhën greke i cilësuam “kodikë mesjetarë 2 shqiptarë„ për
arsye se në pjesën e tyre dërrmuese janë shkruar në vendin tonë, prej njerëzve tanë, siç do
të përpiqemi ta provojmë më poshtë. Për të provuar këtë, do të mbështetemi, së pari, në të
dhënat që na japin kodikët, dhe kryesisht në shënimet e tyre bibliografike dhe anëshkrimet,
dhe, së dyti, në njoftimet që na japin burimet historike nga fushat e tjera, që drejtpërsëdrejti
ose tërthorazi lidhen me çështjen që trajtojmë.
Në përgjithësi, kopjuesi, pasi kishte kopjuar kodikun, në fund të tekstit linte një shënim
bibliografik, në të cilin theksonte kohën kur e mbaroi së kopjuari, vendin ku e shkroi, emrin e
vet, emrin e personit ose të institucionit që financoi punën për kopjimin e kodikut, zotëruesin
e kodikut, që mund të ishte një person ose një institucion (kishë ose manastir në përgjithësi),
dhe arsyen pse e shkroi kodikun.
Natyrisht, të rralla janë shënimet bibliografike kaq të plota. Zakonisht gjejmë shënime
bibliografike për kohën, emrin e autorit dhe më rrallë për vendin ku u shkrua.
Veç kësaj, shumë nga shënimet bibliografike janë shuar, nga që koha dhe kushtet e
papërshtatshme të ruajtjes kanë dëmtuar kodikun dhe natyrisht, edhe shënimet bibliografike,
që zakonisht liheshin në fletën e fundit.
Fatmirësisht, në kodikët që kemi, hasim një pjesë të mirë kodikësh që i ruajnë shënimet
bibliografike. Këto shënime tregojnë se në qendrat kishtare, manastiriale dhe në qendra të
tjera të vendit tonë kopjoheshin kodikë, të cilët kanë një natyrë të larmishme përsa i përket
përmbajtjes së tyre: ata përmbajnë tekste ungjillore, jetëshkrime shenjtorësh, mujore 3, psalme,
muzikë dhe letërsi bizantine e deri tekse historike dhe filozofike.
Po japim disa nga këto shënime:
Në Kodikun e 13-të të Beratit 4 gjejmë shënimin e mëposhtëm: “Ky ungjill është punuar në
kohën e Andreas e të Joanit të Papa Joanit dhe në kohën e Nikollë Anastasit dhe të
Konstandinit, të bijtë e Joanit, me kontributin e tyre. Dhe iu kushtua tempullit të nderuar të
Fjetjes së Shën Mërisë, 1729, mars 30. Me dorën e Voskopojarit Filip Anastasit„.
Kodiku i 21-të i Beratit, në fletën 31, ruan vitin e kopjimit, që është viti 1181, dhe emrin e
autorit, që është dhjakon Joaniqi (dhjaku Gjon).
Një shënim interesant gjejmë në fletën 251 të Kodikut të 24-t të Beratit. Shënimi është shumë
i dëmtuar nga grisja e fletës në mënyrë vertikale, saqë nuk mund të lexohet gjë, veç dy fjali: “i
është dhënë Gjergjit të Madh„ dhe në fund të fragmenteve, data 6946 (viti i krijimit të botës
sipas kishës, gjegjësisht viti 1438 sipas kalendarit të ri); “E shkroi Theodhor Gramatia”. Ky
Gjergj i Madh që përmendet, nuk mund të jetë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, për arsye
se ky në atë kohë nuk ishte bërë i dëgjuar që të quhej i madh, por ka mundësi të jetë Gjergj
Arianiti, i cili atëherë sundonte në Myzeqe 5. Shkruesi i shënimit fragmentar është Teodori, që
duhet të ketë qenë gramatia (sekretari) i qytetit të Beratit. Në këtë kohë Berati ka qenë “qytet
shumë i shkëlqyer“, siç shkruan piktori Onufri në mbishkrimin autograf të tij në Kishën e
Shën Apostujve në Kostur të Greqisë, të cilën e ka pikturuar.


Në Kodikun e 27-të të Beratit hasim katër anëshkrime, që janë shënime të mëvonshme nga
koha e kopjimit të kodikut. Në këto anëshkrime hasim emrin e një meshtari të quajtur Foti
Skuripeqi, dhe të gruas së tij, që thirrej kontesha Skuripeqi. Ka të ngjarë që kjo të jetë nga
familja e njohur e Skurajve. Sipas burimeve të tjera, që i gjejmë në artet figurative, këta
bashëshortë kanë jetuar në shek. XIV. Këto shënime të konteshës dëshmojnë se kjo nuk e ka
njohur mirë greqishten, siç del nga gabimet drejtshkrimore të shënimeve.
Në Kodikun e 49-të gjejmë një shënim të peshkopit të Beratit, Joasafit, që ishte me origjinë
nga Bubullima e Lushnjës.
Kodiku i 50-të u shkrua nga Teodori, ish-sekretar i Beratit pranë zotit Teodor Muzaka dhe që
në kohën kur e shkroi ka qenë i mbyllur në kalanë e Skraparit.
Kodiku i 51-të i Beratit, që është i vitit 1426, është kopjuar nga jeromanak Simeoni në manastirin
Evangjelistra 6, në kala të Beratit. Ndërsa Kodiku i 52-të u shkrua në vitin 6937 (gjegjësisht
1429), dhe kjo saktësohet në shënimin bibliografik 7 të këtij kodiku, ku thuhej: “U shkrua ky
minej (mujor) me shpenzimet e të shumënderuarit Leut, legjislatori i qytetit të Beratit, dhe u
vu në manastirin e Shën Mitrit“.
Shënime bibliografike kanë edhe kodikë të tjerë, por nuk dua të lë pa theksuar se Kodiku i 71-
të u shkrua me dorën e Teodor Haxhifilipit, që është i njohur edhe për alfabetin e hartuar prej
tij, ndërsa në Kodikun e 72-të gjejmë edhe një himn të Jan Kukuzelit nga Durrësi, të cilin
kopjuesi e quan “maestro”.
Në Kodikun e 74-t është kopjuar fizika dhe metafizika e voskopojarit Anastas Kavalioti.
Veç kodikëve të plotë kemi edhe fragmente kodikësh prej pergamene. Në shumë kodikë prej
letre janë lidhur fletë të shkruara pergamene për të forcuar lidhjen. Këto fletë janë pjesë nga
kodikë më të vjetër, të dëmtuar dhe të shkatërruar. Kjo vërteton faktin se numri i kodikëve ka
qenë shumë herë më i madh, gjë që përforcohet nga të dhënat dokumentare.
Peshkopi i Beratit, Anthim Aleksudhi, në librin e vet “Përshkrim i shkurtër historik i mitropolisë
së shenjtë të Beratit„ na njofton se në Berat gjendej edhe një kodik tjetër me shkronja të arta,
i shkruar në pergamenë, të cilin sot nuk e kemi 8. Po ashtu, shumë manastire dhe kisha të
tjera të përmendura të vendit tonë kishin kodikë të vjetër të shkruar në pergamenë, të cilët sot
nuk gjenden.
Karakteristikë e kodikëve tanë mesjetarë është vazhdimësia e tyre në planin kohor nga shekulli
VI, që është kodiku më i hershëm, gjatë gjithë periudhës bizantine, madje edhe gjatë periudhës
së sundimit osman, çka tregon se forcat tona intelektuale edhe në periudhën e errët të sundimit
osman bënin përpjekje për të zhvilluar kulturën e tyre. Nga ana tjetër, kjo dëshmon se ekzistonte
një traditë, një bosht i qëndrueshëm, një elitë intelektuale brenda vendit, ndryshe pushtimi
osman do ta kishte shuar fare traditën e kopjimit të kodikëve.
Fakti që në vendin tonë ekzistonin shumë kisha dhe manastire të ndërtuara nga njerëzit tanë,
që kishin shkollat, bibliotekat dhe arkivat e tyre, ku kodikët ishin pjesë e pandarë e pajisjeve të
këtyre institucioneve; fakti tjetër që në vendin tonë u thirrën sinode lokale kundër herezive të
ndryshme fetare që shpërthyen gjatë mesjetës, duke mbështetur vendimet e sinodeve të
shenjta ekumenike, si dhe fakti që nga gjiri i popullit tonë, edhe në kohërat më të errëta të
pushtimeve kanë dalë personalitete të shquara, si në fushën politike, në atë të arteve, të
shkencës, si dhe figura hierarkësh të kishës, dëshmojnë për një ngritje kulturore e intelektuale,
që pasqyron një zhvillim të caktuar ekonomik, për një qëndrim aktiv të forcave politike dhe
intelektuale shqiptare.
Një karakteristikë tjetër është shpërndarja e gjerë gjeografike e kodikëve brenda vendit. Kemi
kodikë nga Vlora, Gjirokastra, Voskopoja, Korça, Elbasani, Berati etj. Shumica e tyre janë
gjetur në Berat, por nuk do të thotë se të gjithë u përkasin kishave dhe manastireve të Beratit.
Kur Berati u bë qendër ipeshkvnore, mblodhi arkivat, rrjedhimisht edhe kodikët e Vlorës, të
Apolonisë, të Bylisit, të Gllavenicës, prandaj është më e madhe sasia e kodikëve të Beratit.
Pra, kodikët mesjetarë nuk janë gjetur në dy ose tri qendra të veçuara, por kanë një shtrirje
gjeografike mjaft të gjerë, ashtu siç kanë edhe një larmi të mahnitshme tekstesh për sa i
përket përmbajtjes.
Ndër kodikët që janë identifikuar plotësisht se janë shkruar në vendin tonë dhe nga njerëzit
tanë, një pjesë e mirë janë të një cilësie të lartë për sa i përket kopjimit të tekstit, çka tregon
për një nivel të lartë realizimi artistik, sepse të shkruarit bukur ishte me të vërtetë një punë
artistike.
Shënime të redaksisë:
1. Botuar për herë të parë në revistën “Shkenca dhe jeta”, viti 1991, nr. 3, fq. 34-36. Ribotohet me pak
shkurtime.
2. Ky përcaktim, relativisht i pranueshëm (në kodikët e Shqipërisë ka edhe dorëshkrime të periudhës
së paleokrishtërimit, para-mesjetarë), është përdorur më herët nga Theofan Popa.
3. Kalkim i autorit për termin “minej”.
4. Në këtë studim autori të gjithë kodikët i cilëson “të Beratit”, pavarësisht se cili ka qenë burimi vendor
i tyre. Kjo mund të ketë ardhur edhe nga njësimi i shkurtesave që ka përdorur autori prej redaksisë
(Kod. Br.).
5. Ky konstatim gjendet analogjikisht në „Katalogun …“ e Theofan Popës, hyrje.
6. Në kishën e ungjillëzimit.
7. Këtu fjala „bibliografik“ është në kuptim jo terminologjik.
8. Duhet të jetë fjala për „Liturgjinë e Shën Gjon Gojartit“.

* Kodikët e Shqipërisë

 

[cite]