UNGJILLI SIPAS MATEUT DHE SIPAS MARKUT, GREQISHT 1
(“CODEX PURPUREUS BERATINUS”, F)
EDOARDO CRISCI
SHABAN SINANI 2
SHEKULLI I 6-TË; PERGAMENË, 314 MM X 268 MM; FLETË-190
BERATINUS-1, TIRANË, ARKIVI QENDROR I SHTETIT
I. Ky kodik i famshëm, i dëmtuar pjesërisht, përmban ungjijtë sipas Mateut dhe sipas Markut.
I pari zë faqet nga 1 recto deri 112 recto. I dyti zë faqet 115 recto deri 190 recto. Faqja 112
recto është e bardhë, ndërsa faqet 113 recto deri 114 recto përmbajnë krerët (“kejalaia”)
e Ungjillit sipas Markut.
Sipas një përllogaritjeje të studiuesit belg Pierre Batiffol, dorëshkrimit duhet t’i kenë humbur
rreth 40 fletë. Ato që mungojnë i përkasin Ungjillit sipas Mateut: 1-6, 3; 7, 26-8, 7; 18, 29-19, 3;
23, 4-13; dhe Ungjillit sipas Markut: 14, 62-16, 20.
Kodiku është i shkruar mbi pergamenë të purpurt me germa të argjendta, dhe me inicialet e
kapitujve të florinjta. Teksti paraqitet i ndarë në 2 kolona, me përmasa rreth 210 x 190 mm 3,
dhe me 17 rreshta të shkruar. Dorëshkrimi është i shkruar me gërma të mëdha biblike,
shkrim që u shenjtërua që në shekullin e 3-të pas Krishtit, dhe vazhdoi të përdorej në praktikën
librore deri në shekullin e 9-të. Në këtë ekzemplar, nëpërmjet formave grafike, dokumentohet
një fazë e përparuar e rregullsisë në shkrim 4. Gërmat janë të modulit të madh dhe paraqesin
një kontrast të stërholluar dhe të studiuar ndërmjet vijëzave mjaft të trasha dhe atyre tepër të
holla. Zbukurimet shtesë të nxjerra në pah në forma kuadrate dhe trekëndore të vogla,
kompletojnë vijat horizontale, e nganjëherë dhe ato pingule të disa gërmave, kryesisht gama,
delta, ypsilon, pi, tau, psi. Për t’u shënuar është dhe prirja e mbarimit të vijave pingule të
germave me një prerje tërthore nga e djathta në të majtë (p.sh.: pi, tau, ypsilon, psi).
Monumentaliteti i formave, mrekullia e stilit grafik, e për më tepër përdorimi i pergamenës së
purpurt si dhe bojërat e çmuara, e bëjnë këtë dorëshkrim të barabartë me dorëshkrimet e
tjera të purpurta të së njëjtës periudhë si: “Rossanensis“ (Rossano Calabro, muzeu i
dioqezës), “Sinopensis“ (Paris, Biblioteka Kombëtare e Francës, Suppl. gr. 1286 5; “Kodiku
N“, ungjij (fragmente të të cilit paraqiten dhe këtu: Vat, gr. 2305; “Gjeneza” i Vjenës (Vjenë,
Biblioteka Kombëtare e Austrisë, Theol. gr. 31).
Ky lloj prodhimi libror (luksoz) është konceptuar më tepër për ekzaltimin simbolik e figuror të
tekstit të shenjtë dhe të vlerave të lidhura me të, sesa për leximin logjik e kuvendor, ose për
praktikën liturgjike të përditshme.
Veçanërisht domethënës, në këtë kuptim, është përdorimi i pergamenës së purpurt, për
cilësitë thellësisht simbolike të rrënjosura në të tilla vlera. Dihet që e purpurta në kohën e
Diokleacianit ishte ngjyrim i atributit tipik të madhështisë perandorake. Pergamena e purpurt
u përdor në libra duke filluar nga shekulli i 4-t. Publilio Optaziano Porfirio i dedikoi Konstandinit
një përmbledhje me poezi shkruar me ar e argjend. Pak a shumë të së njëjtës kohë janë
ankimet e Shën Jeronimit kundër mburrjes së tepërt me kodikët e purpurt të shkrimit, shpesh
jokorrektë në mënyrën filologjike.
Me gjithë këtë pozicion të papajtueshëm (që pasqyron polemikën e etërve të kishës ndaj
librave të shenjtë dhe përdorimit të së purpurtës) në prodhimin libror realizohet, siç vëren dhe
Gulielmo Cavallo, “një zhvendosje e vlerave semantike nga simbolizimi i pushtetit perandorak
në shenjtërinë hyjnore“, ku fjala e krishterë merr ngjyrimin e purpurt, e kjo gjë i përçon librit
(tekstit) vlerën e sendit të adhuruar, vlerë që fuqizohet me përdorimin e bojërave të çmuara
(argjend dhe ar), nga ripunimi i shkrimeve të praktikës librore të kohës, në format monumentale
grafike, dhe, në disa raste, nga shtimi i cikleve ikonografike“. (Cavallo 1987, p. 14)6. Ky shkrim
shquhet për vlerat e veta sidomos në krerët (“kejalaia”), në ndarjet /fletët / paralajmëruese;
në kanonet e Eusebit dhe në titujt e zakonshëm të kohës. Në kodikun “Beratinus” germa e
madhe biblike („maiuscola ogivale“) është e drejtë.
Datimi i dorëshkrimit si i shekullit të 6-të bazohet, veç vlerësimeve të natyrës kodikologjike,
tipologjisë dhe teknikave librore në realizimin e dorëshkrimeve, edhe mbi argumente
paleografike, të bazuara mbi vlerësimin e dinamikave të zhvillimit kanonik të germës së madhe
(majuskole) biblike.
Për sa i përket origjinës së dorëshkrimit, në mungesë të të dhënave objektive, supozohet,
megjithëse me rezervë, që mund të ketë ardhur nga zona siro-palestineze7. Duke parë
analogjitë e qarta grafike mes “Beratinus-it“ dhe të famshmëve: “Rossanensis“, “Sinopensis“,
“Kodiku N“ dhe “Gjeneza“ e Vjenës, mendohet të jenë prodhime të të njëjtit laborator, të
përshtatur, me sa duket, për realizimin e kodikëve të luksit, që të kënaqnin kërkesat e larta, si
ato laike, ashtu dhe ato kishtare. Prania e dorëshkrimit në qytetin e Tiranës është dokumentuar
që nga shekulli i 14-të. Në diptikun e Kishës së Shën Gjergjit, që ndodhet në kështjellën e
Beratit, besimtari Skouripekis përmendet që, në vitin 1356, gjatë marshimit të serbëve, i
nxitur nga murgu Theodulos, çoi në një vend të sigurt 27 dorëshkrime të çmuara, midis të
tjerash dhe “Beratinus“.
II. “Codex Purpureus Beratinus“ (Tiranë, Arkivi Qendror i Shtetit) dhe „Codex Aureus Anthimi“
(Tiranë, Arkivi Qendror i Shtetit, Beratinus-2) kanë qenë ndër veprat e artit që figuronin në
listën e pasurive kulturore “të kërkuara“ gjatë Luftës së Dytë Botërore. Autoritetet kishtare
dhe besimtarët e Beratit, të cilët ishin urdhëruar të dorëzonin menjëherë të dy dorëshkrimet,
refuzuan të tregonin vendin në të cilin i kishin fshehur, megjithëse kjo për ta ishte një sakrificë
e madhe. Ato i kishin fshehur në gurët që vishnin anët e brendshme të një pusi.
Në vitet që pasuan, për një periudhë kohore të caktuar, të dy dorëshkrimet u quajtën të
zhdukura. U rishfaqën në vitin 1968, në një kishë në lagjen “kala” të Beratit, për fat të keq
tepër të dëmtuara.
Në vitin 1971, në bazë të një marrëveshjeje ndërshtetërore, Kodiku i Purpurt i Beratit u dërgua
në Kinë për t’u restauruar. Përveç restaurimit, i cili u krye me sukses, u realizua dhe një
riprodhim i njësojtë, që shërben për qëllime studimore, në vend të origjinalit.
Për të siguruar një ruajtje që t’i qëndrojë kohës, të gjitha faqet e dorëshkrimit, pas restaurimit,
janë futur në pllakëza xhami me mbyllje hermetike. Kodiku është ndarë në nëntë volume, që
ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë.
Ngjyra e purpurt e pergamenës të Beratinus-1 ka pësuar një zbehje dhe çngjyrosje progresive
gjatë shekujve. Vetë pergamena është brejtur dhe dëmtuar.
Kapaku është metalik, me dekoracione në reliev. Kapaku është mjaft më i vonët se kodiku 8.
Midis veshulëve të stilizuar, mbi dy pllakëza të sheshta, është paraqitur skena e kryqëzimit të
Krishtit. Në dy anët janë përkatësisht Shën Mëria dhe Shën Gjon Pagëzori. Rreth tyre qëndrojnë
engjëjt mbrojtës. Një pllakëzë tjetër ka ringjalljen, e shoqëruar kjo në katër anët nga ungjillorët,
secili me simbolet e veta.
“Codex Purpureus Beratinus“ është i përfshirë në programin “Kujtesa e Botës“ (“Memoire du
Monde”) të Unesco-s dhe është gjithnjë nën kujdesin e këtij organizmi ndërkombëtar.
Në të shkuarën ky kodik është ekspozuar vetëm dy herë në Shqipëri. Në jubileun e madh të
2000-vjetorit të krishtërimit, kodiku, për herë të parë, me leje të posaçme të autoriteteve
shqiptare, ekspozohet jashtë kufijve shtetërorë, në ekspozitën “Ungjijtë e Popujve“, organizuar
nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit për nder të kësaj ngjarjeje të madhe.

Bibliografi:
1. Batiffol, Pierre: “Evangelorium codex graecus purpureus Beratinus F”, në “Mélange d’archéologie et
d’histoire”, Ecole Française de Rome, 1885 (5); p. 358-386.
2. Batiffol, Pierre: “Les manuscrits grecs de Berat d’Albanie et le Codex Purpureus F”, në “Archives des
missions scientifiques et littéraires, 3ème sér., 1887 (13), p. 437-556.
3. Alexoudes, Antimus: “Katalogos ton en tais ierais ekklesiais tis sinoikias Kastrou, poleos Beratiou
…”,1900.
4. Koder, Johannes: Zur Wiederentdeckung zweier Codices Beratini“, në „Byzantinische Zeitschrift 65
(1972) p. 327-328.
5. Cavallo, Guglielmo: „Il codice purpureo di Rossano: libro, oggetto, simbolo“, në „Cavallo-Gribomont-
Loerke“, 1987.
Ekspozohen 20 fletë, duke filluar nga fleta 163 recto (Ungjilli sipas Markut, 9, 47-10, 1) dhe kapaku
metalik.
Shënime shpjeguese:
1. Skedë e “Kodikut të Purpurt të Beratit”, botuar italisht në „I Vangeli dei Popoli“, Biblioteca Apostolica
Vaticana, 2000, p. 130-133.
2. Pjesa e parë e skedës u përgatit nga Edoardo Crisci, kurse pjesa e dytë e saj nga Shaban Sinani.
3. Përmasat e fletës së këtij dorëshkrimi në skedën përkatëse jepen gabim. Sikurse njoftohet në
nëntitull, përmasat e sakta të fletës janë 314 mm x 268 mm.
4. Në tekst përdoret fjala “canone”, por nga konteksti përjashtohet çdo kuptim tjetër i kësaj fjale,si: a.
Tabelë përmbledhëse dhe orientuese e leximit dhe përdorimit me lehtësi të ungjijve (“kanonet e Eusebit”);
b. Rregullore, ligj, nom, që ka të bëjë me funksionimin e brendshëm të kishës. Në kontekstin e
përdorur ka kuptimin e rregullit në të shkruar.
5. „Suppl. gr. 1286” është forma e shkurtuar e citimit të këtij kodiku në indeksimin ndërkombëtar të
dorëshkrimeve ungjillore nga Gregory-Aland.
6. Citimet e brendashkruara janë të autorëve dhe identifikohen në bibliografinë në përmbyllje të skedës.
7. Përkundër kësaj teze, ka dijetarë shqiptarë e të huaj që flasin për një kryqëzim ndikimesh „të Lindjes
dhe të Perëndimit“ (Buda) dhe, madje, për një shkollë lokale të shkruesve të dorëshkrimeve ungjillore
(Mullen).
8. Kapaku mban vitin 1804.

* Kodikët e Shqipërisë

 

[cite]