RRUAZAT E BARDHA
Rruazat e bardha janë qeliza me bërthamë dhe më të mëdha se rruazat e kuqe: në një milimetër gjak ka rreth 6000-9000 rruaza të bardha. Rruazat e bardha, që qarkullojnë në gjak, kanë një detyrë të posaçme: të mbrojnë organizmin nga armiqtë e jashtëm, si p.sh. nga mikrobet.
Kur një mikrob arrin të hyjë në organizmin tonë, rruazat e bardha e kapin atë me anën e disa zgjatimeve, e rrethojnë nga të gjitha anët dhe, me anën e disa enzimave që prodhojnë, e shkatërrojnë fare. Kjo dukuri quhet fagocitozë. Numri i rruazave të bardha ndryshon brenda disa kufijve. Shtimi i numrit të tyre vihet re 2-3 orë pas ngrënies. Por sidomos numri i rruazave të bardha rritet kur organizmi preket nga ndonjë infeksion mikrobik. Në këto raste, është logjike se duhet të forcohen mjetet që e mbrojnë atë dhe, në radhë të parë, rruazat e bardha.
Rruazat e bardha prodhohen në palcën e kockave, por edhe në sistemin limfatik.