RUMELIA
✤ Emër që i dhanë osmanët Gadishullit Ballkanik në kuptimin «Vend i Romejve», meqë bizantinët e quanin veten romej. Në Perëndim këtij emri i përgjigjej termi Romania që ishte në përdorim për këto vise para pushtimit osman. Gjatë periudhave të ndryshme emri R. ka përfshirë territore të ndryshme. Në shek. XV tokat e pushtuara nga Perandoria Osmane në Gadishullin Ballkanik u përfshinë në një njësi të madhe administrative-ushtarake në emrin ejalet i R., qendra e të cilit ishte Manastiri dhe që qeverisej nga Bejlerbeu i R. (ndërsa tokat e Azisë së vogël nga Bejlerbeu i Anadollit). Nga fundi i shek. XVI prej ejaletit të R. u shkëputën Bosnja e Moreja, që formuan ejalete më vete. Në periudhën e Tanzimatit në shek. XIX në truallin e R. u formuan një varg ejaletesh të vogla dhe vilajete të mëdha.

(P. Th.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Rumelia


[cite]