SANXHAKU


SANXHAKU
✤ Njësi territoriale-administrative dhe ushtarake osmane më e vogël se vilajeti, që përfshinte një varg kazash dhe qeverisej nga një sanxhakbej. Më 1431 tokat shqiptare të pushtuara u përfshinë në një «Sanxhak shqiptar*. Me organizimin e ri administrativ në fund të shek. XV dhe më pas në shek. XVI-XVIII trojet e Shqipërisë u përfshinë në S. e Shkodrës, Dukagjinit, Prizrenit, Vuçiternit, Vlorës, Delvinës, Elbasanit, Ohrit, Janinës, Shkupit dhe Manastirit. Me reformën administrative të v. 1888 Shkodra e Durrësi ishin 2 S. të vilajetit të Shkodrës, ndërsa Manastiri, Korça, Elbasani, Dibra, Ohri, Serixhepi ishin S. të vilajetit të Manastirit; Janina, Gjirokastra, Berati e Preveza ishin S. të vilajetit të Janinës dhe Shkupi, Prizreni, Peja, Prishtina, Novi-Pazari ishin S. të vilajetit të Kosovës.

S. shqiptare kishin shtrirje tokësore dhe numër popullsie më të vogël në krahasim me S. e tjerë të Rumelisë (shih). Në disa S. periferikë përveç popullsisë mbizotëruese shqiptare, përfshiheshin edhe popullsi malazeze, serbe, maqedone e greke. Porta e Lartë kishte qëllim të copëtonte unitetet etnike-historike të krijuara para pushtimit dhe të dobësonte kështu qëndresën çlirimtare të shqiptarëve, duke mos i bashkuar në një njësi administrative të vetme.

(P. Th.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Sanxhaku


[cite]