SHËRBIMI GJEOLOGJIK


SHËRBIMI GJEOLOGJIK
✤ Tërësia e institucioneve dhe e veprimtarive për kërkimin dhe vlerësimin e pasurive minerale të vendit. U krijua pas Çlirimit, në fillim, në shtator 1951 si shërbim gjeologjik i industrisë së naftës, ndërsa në gusht 1952 mori strukturë organizative si Drejtori e përgjithshme e gjeologjisë, që kryente studime dhe punime gjeologjike të kërkimit e zbulimit për naftën e gazin dhe për mineralet e tjera të dobishme. Më 1955 kjo drejtori u shndërrua në Komitet Shtetëror të Gjeologjisë. Pas vitit 1960 Sh. Gj. u riorganizua në kuadrin e Ministrisë së Minierave e të Gjeologjisë.

Sot Sh. Gj. në RPSSH kryhet nga: Ministria e Industrisë dhe Minierave për mineralet e dobishme të ngurta; nga Ministria e Energjetikës për kërkimin e zbulimin e naftës dhe të gazit; nga Ministria e Ndërtimit për studimet gjeologo-inxhinierike, etj. Për këtë qëllim janë ngritur ndërmarrjet gjeologjike (shih). Studime gjeologjike për veprat ujitëse kryhen edhe nga Ministria e Bujqësisë, ndërsa studime sizmologjike kryhen nga Qendra Sizmologjike e Akademisë së Shkencave. Për kërkimet gjeologjike veprojnë edhe Instituti i Studimeve e Projektimeve të Gjeologjisë për mineralet e ngurta, si dhe Instituti i Studimeve e Projektimeve Teknologjike të Naftës e Gazit (shih). Studimet e punimet gjeologjike kanë vërtetuar se vendi ynë ka perspektiva për shtimin e rezervave të mineraleve të njohura dhe për gjetjen e mineraleve të reja.

(H.Ca.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Shërbimi Gjeologjik


[cite]