13.3 Shkrimtarët shqiptarë në diasporë
Kur folëm për letërsinë arbëreshe, pamë se arbëreshët prej kohësh e quajnë veten kolonë
shqiptarë në dhe të huaj, megjithëse banojnë në Italinë e jugut tash gjysmë mijëvjeçari. Por
gjatë kësaj kohe shqiptarët janë ngulur edhe në shumë vende të tjera të globit, sidomos gjatë
njëqind vjetëve të fundit. Jashtë Shqipërisë ka lindur një diasporë e vogël gjuhësore dhe, bashkë
me të edhe fillimet e një letërsie shqiptare. Në këtë letërsi të diasporës natyrisht nuk hyjnë
ç’është shkruar shqip në Italinë e jugut dhe në zonat e banuara prej shqiptarësh në ish-
Jugosllavi, p.sh. letërsia e Kosovës etj. Atë mund ta përkufizojmë më saktë si fryt i kurbetit dhe
ikjes nga vendi në shekullin e njëzetë në zona të tjera jashtë atyre tradicionaleve.
Ndërsa letërsia ruse, e madje ajo estone, letone e lituane, këto të fundit pak a shumë në
madhësinë e letërsisë shqiptare, as nuk mund të merren me mend pa krijimtarinë e shkrimtarëve
në mërgim, shkrimtarët shqiptarë jashtë janë një dukuri e rrallë. Në krahasim me letërsitë e tjera
të vendeve evropianolindore, nga jashtë apo nga mërgimi kemi pak letërsi shqiptare, kurse ajo
çka është krijuar atje ka ndikuar fare pak në zhvillimin dhe rrjedhat e letërsisë dhe kulturës
shqiptare në tërësi. Bota shqipfolëse është një kozmos tepër mikroskopik e i izoluar për të qenë
në gjendje të përhapë kulturën e vet të shkruar jashtë zonave tradicionale të banimit, që
përfshijnë Shqipërinë, Kosovën, Jugosllavinë jugore, Maqedoninë, Italinë jugore dhe Greqinë.
Megjithatë, shkrimtarët e diasporës, sado të papërfillshëm mund të jenë shumica në zhvillimin
e vetë letërsisë shqiptare, kanë rolin e tyre në mozaikun e kulturës së sotme shqiptare. Ata kanë
dhënë ide të reja dhe mjaft larmi, çka është në të mirë të çdo kulture.
Viktor Eftimiu20 (1889-1972), lindur më 24 janar 1889 në Boboshticë afër Korçës, ishte
dramaturg, poet dhe prozator me prejardhje shqiptare, që si mjet të shprehjes letrare përdori
rumanishten. Eftimiu fillimisht ndoqi një shkollë greke dhe më vonë, më 1897, mërgoi në
Rumani bashkë me familjen e vet tregtare për t’i shtuar radhët e fryra të kolonisë shqiptare atje.
Më 1905 familja u vendos përfundimisht në Bukuresht, kurse ai filloi të shkruajë e të botojë
vjershat e para në revistat letrare. Më 1908 bashkëpunoi me Oktavian Gogën (Octavian Goga,
1881-1938) në Sibiu, në revistën letrare Úara noastr| (Vendi ynë) dhe nëpërmjet punës si
redaktor letrar u njoh me personalitetet kryesore të letërsisë rumune të kohës: me dramaturgun Jon Luka Karaxhale (Ion Luca Caragiale, 1852-1912), me romancierët Liviu Rebreanu (1885-
1944) dhe Mihail Sadoveanu (1880-1961), dhe me poetët Aleksandru Makedonski (Alexandru
Macedonski, 1854-1920) dhe Tudor Argezi (Tudor Arghezi, 1880-1967). Në vitet njëzetë, kur
ishte bërë i njohur si letrar, punoi si drejtor i një teatri në kryeqytetin rumun, që atëherë quhej
‘Parisi i Lindjes’. Më 1948, u emërua sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve Rumunë. Eftimiu është
autor i rreth njëqind vëllimeve letrare në rumanishte: poezi, prozë, letërsi për fëmijë, kujtime,
e sidomos drama e komedi bashkëkohore. Një numër i këtyre pjesëve teatrale, pesëdhjetë e
shtatë gjithsej, kanë tema shqiptare me frymëzim nga fëminia në malet në jug të Korçës, p.sh.
Akim 1912 dhe CocoÕul negru 1913 (Kokoshi i zi). Disa nga këto vepra janë përkthyer në shqip.
Në qershor 1971, për herë të parë pas gjashtëdhjetë e pesë vjetësh, Eftimiu erdhi për një vizitë
në Shqipëri dhe u prit ngrohtë në Tiranë dhe në fshatin e lindjes Boboshticë, ku i uruan
mirëseardhjen me ‘bukë, kripë e zemër’ sipas traditës shqiptare. Vdiq vitin tjetër në Bukuresht
më 27 nëntor 1972.
Studiuesi dhe shkrimtari Arshi Pipa (l. 1920) ka lindur në Shkodër, ku dhe ndoqi
shkollën deri më 1938. Vjershat e para, të shkruara në fund të viteve tridhjetë në Shkodër, u
mblodhën në vëllimin Lundërtarë, Tiranë 1944. Pipa ka studiuar filozofi në Universitetin e
Firences, ku dhe fitoi gradën ‘dottore in filosofia’ më 1942 me një disertacion mbi Henri
Bergsonin (1859-1941), dhe punoi si mësues në Shkodër e në Tiranë gjatë Luftës së Dytë
Botërore. Më 1944 qe redaktor i revistës së përmuajshme jetëshkurtër të Tiranës Kritika. Meqë,
pas kalimit radikal të pushtetit në fund të luftës, nuk deshi të konformohej, u arrestua në prill
1946 dhe u dënua me dhjetë vjet burg. Pasi u lirua më 1956, u arratis në Jugosllavi dhe emigroi
në Shtetet e Bashkuara dy vjet më vonë. Punoi si pedagog në disa universitete amerikane dhe
kur doli në pension ishte profesor i italishtes në Universitetin e Minesotës në Mineapolis. Pipa
i hodhi përjetimet e dhjetë vjetëve të tmerrit në burgje e kampe pune në Durrës, Vloçisht,
Gjirokastër dhe Burrel në përmbledhjen 246-faqesh me poezi Libri i burgut, Romë 1959. Ka
botuar dy vëllime të tjera me poezi në dialektin gegë: Rusha, Mynih 1968, dhe Meridiana,
Mynih 1969, ky i dyti një përmbledhje në frymën romantike e nostalgjike të Xhakomo
Leopardit. Efekt më të madh kanë pasur botimet studimore të Pipës, sidomos kritika letrare.
Ndër to janë studimi letrar në tre vëllime Trilogia albanica, Mynih 1978, dhe monografia
Montale and Dante, Mineapolis 1968 (Montale dhe Dante). Ai ka botuar edhe një studim
sociolinguistik, që ka ngjallur polemikë dhe kundërshtime, mbi formimin e gjuhës letrare shqipe
si gjuhë zyrtare e Shqipërisë, me titull The politics of language in Socialist Albania, Nju Jork
1989 (Politika e gjuhës në Shqipërinë Socialiste); një përmbledhje me pesëmbëdhjetë artikuj
mbi tema politike me titull Albanian Stalinism. Ideo-political aspects, Nju Jork 1990
(Stalinizmi shqiptar. Aspekte ideopolitike), si dhe një studim të kohëve të fundit mbi letërsinë
shqiptare të periudhës së realizmit socialist, Contemporary Albanian Literature, Nju Jork 1991
(Letërsia e sotme shqiptare).
Shkrimtari dhe studiuesi Thoma Kacori (l. 1920) ka lindur në Shtikë të Kolonjës në
Shqipërinë e jugut dhe shkollën e bëri në Korçë, nga ku mërgoi për në Bullgari. Më 1950 kreu
studimet për ekonomi në Universitetin e Sofjes e më pas punoi atje si pedagog i gjuhës shqipe.
Ndër frytet e punës si mësues i shqipes në Universitetin e njohur Klement Ohridski ishte hartimi
i një fjalori bullgarisht-shqip, Sofje 1959 si dhe i njërit prej doracakëve të rrallë të dobishëm për
mësimin e gjuhës shqipe, në një botim bullgarisht dhe anglisht, Handbook of Albanian, Sofje
1979 (Doracak për gjuhën shqipe). Si prozator, Kacori ka botuar përmbledhjet me tregime Jetë
me brenga, Tiranë 1957, Ditë që s’harrohen, Tiranë 1959, dhe Tregime, Prishtinë 1972, si dhe
romanet Për mëmëdhenë, Tiranë 1961, 1963 në dy vëllime, dhe Bijtë e shtrëngatës, Tiranë
1989. Tematika e veprave të tij, që i këndon heroizmit partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore,
në pajtim me rrugën e letërsisë shqiptare në vitet pesëdhjetë, e bëri autor të mirëpritur në
Tiranën e kohës. Kacori ka botuar edhe disa vepra në bullgarishte.
Një shkrimtar emigrant me peshë shumë më të madhe si për studimet ashtu edhe për
letërsinë shqiptare është Martin Camaj21 (1925-1992), i lindur në Temal të Dukagjinit në Alpet
e veriut më 21 korrik 1925. Camaj mori arsim klasik në kolegjin jezuit saverian në Shkodër dhe
ndoqi studimet në Universitetin e Beogradit. Së andejmi shkoi për studime pasuniversitare në
Itali, ku dha gjuhë shqipe dhe kreu studimet në gjuhësi në Universitetin e Romës më 1960. Nga
1970 deri më 1990 ishte profesor i albanologjisë në Universitetin e Mynihut dhe jetoi në fshatin
malor Lenggries në Bavarinë e Epërme derisa vdiq më 12 mars 1992. Kërkimet universitare të
Camajt janë përqëndruar në gjuhën shqipe e në dialektet e saj, sidomos në ato të Italisë jugore.
Është autori i studimeve gjuhësore për dialektet arbëreshe të Greçit (ital. Greci) dhe
Fallkunarës22 (ital. Falconara Albanese) dhe i Albanische Wortbildung, Visbaden 1966
(Fjalëformimi në gjuhën shqipe), Lehrbuch der albanischen Sprache, Visbaden 1969 (Doracak
për gjuhën shqipe) dhe Albanian grammar with exercises, chrestomathy and glossary, Visbaden
1984 (Gramatikë e gjuhës shqipe me ushtrime, krestomaci dhe fjalorth). Doracaku i fundit u jep
mundësi studentëve anglishtfolës të depërtojnë në gjuhën letrare shqipe si dhe në dialektin gegë
të autorit. Camaj ka qenë aktiv edhe në fushën e folklorit23.
Krijimtaria letrare e Camajt gjatë një periudhe dyzetepesëvjeçare kalon nëpër disa faza
zhvillimi. Ajo nis me poezi, gjini së cilës i mbeti besnik gjithë jetën, por më pas iu kushtua për
herë e më tepër prozës. Vëllimi i parë me vargje klasike, Nji fyell ndër male, Prishtinë 1953,
dhe Kânga e vërrinit, Prishtinë 1954, frymëzoheshin nga malet e vendlindjes, për të cilat, me
gjithë kohën e gjatë në mërgim dhe pamundësinë për t’u kthyer, dashuria nuk i rreshti kurrë. Pas
tyre kemi librin Djella, Romë 1958, roman i gërshetuar me vargje, për dashurinë e një mësuesi
me një vajzë nga fusha. Përmbledhjet poetike Legjenda, Romë 1964, dhe Lirika mes dy moteve,
Mynih 1967, që përmbanin variante të rishikuara të një numri vjershash nga Kânga e vërrinit,
u ribotuan në librin Poezi 1953-1967, Mynih 1981. Poezia e periudhës së pjekurisë së Camajt
dëshmon për ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Xhuzepe Ungareti (Giuseppe
Ungaretti, 1888-1970). Me kalimin e kohës erdhi duke u shtuar karakteri metaforik dhe
simbolik i gjuhës si dhe gama tematike e poezisë. Një përmbledhje vjershash të zgjedhura i
është përkthyer italisht nga Françesko Solano në një botim dygjuhësh Martin Camaj – Poesie,
Palermo 1985 (Poezi), anglisht nga Leonard Fox, Selected Poetry, Nju Jork 1990 (Poezi të
zgjedhura), dhe gjermanisht nga Hans-Joachim Lanksch, Gedichte, Mynih 1991 (Poezi).
Romani Rrathë, Mynih 1978, është cilësuar si i pari roman psikologjik në gjuhën shqipe.
Është vepra më e gjatë e autorit në prozë që i mori pesëmbëdhjetë vjet punë për ta shkruar.
Agroni, shkrimtar dhe agronom në ‘Arbërinë’ pasrevolucionare, dërgohet në fshatin Ripa e
Mesme për të njoftuar për mbërritjen e disa traktorëve të rinj. Këtu e magjeps malësia e veriut
pas shpëtimit të bareshës së bukur Sose, personifikim i zanave të malit. ‘Rrathët’ e ujit, zjarrit
dhe gjakut, me të cilët ndahet romani, simbolizojnë jo vetëm shtrëngesat metafizike e sociale,
por edhe rrugën e shkrimtarit nëpër trashëgiminë mitike të së kaluarës së Shqipërisë drejt një të
ardhmeje të re.
Ndër botimet e tjera letrare të Camajt janë një vëllim me vjersha me titullin Njeriu më
vete e me tjerë, Mynih 1978; Dranja, Mynih 1981, përmbledhje madrigalesh, siç i quan autori;
Shkundullima, Mynih 1981, përmbledhje me pesë tregime dhe një pjesë teatrale; dhe romani
Karpa, Romë 1987, me subjekt të vendosur në brigjet e lumit Drin në vitin 2338, prozë e gjatë që Camaj e ka pëlqyer ta quajë parabolë. Temat më të zakonshme në veprën e Camajt janë
humbja e traditës, vetmia në një botë në ndryshim e sipër dhe kërkimi i prejardhjes. Gjuha është
e ngjeshur me mendim, e kursyer dhe herë-herë e lodhshme, ndonëse autori termin hermetik e
quante të rastit. Për të përcjellë tablonë poetike të vendlindjes malore baritore buzë Drinit, me
ujëvarat vezulluese e pyjet rrezeplotë, ai mbështetet në burimin gjuhësor tradicional e të gjallë
të dialektit gegë të vendlindjes. Prandaj nuk është e rastit që Camaj zgjodhi për të banuar një
vend të shkëlqyer, me atmosferë disi të paqme e të virgjër shtëpiake, si alpet e Bavarisë, që çdo
çast i kujtonin malet e thepisura të vendlindjes, ku nuk do të mund të kthehej kurrë.
Të gjithë shkrimtarët e tjerë të diasporës shqiptare janë të zbehtë para Martin Camajt.
Megjithatë, me punën e tyre plot kurajë e shpesh të talentuar, ata kanë dhënë ndihmesë për t’ia
zgjeruar horizontet kulturës shqiptare dhe, sado që pa ndonjë peshë të madhe, kanë vendin e
tyre modest në këtë letërsi.
Pak para se të vdiste në Forestville, shteti Merilend, më 8 nëntor 1989, shkrimtari
shqiptaro-amerikan Xhevat Kallajxhi (1904-1989) botoi vëllimin e dytë me poezi shqip me
titull Tingëllimet e zemrës, Augusta GA 1988, tridhjetë vjersha me tema patriotike, personale e
politike, disa prej tyre me fuqinë shprehëse të Naim Frashërit dhe të Fan Nolit. Kallajxhiu, i
lindur në Gjirokastër, përmendet si botues i gazetës jetëshkurtër të Gjirokastrës Labërija më
1925 e sidomos për pasardhësen e saj, të përjavshmen Demokratia, e cila doli nga 28 nëntori
1925 e deri më 1939. Ka botuar edhe revistën satirike vjetore në vargje me titullin Pif-paf, e cila
doli në Gjirokastër nga 1933 deri më 1938, në fillim si shtojcë e gazetës Demokratia. Gjatë
Luftës së Dytë Botërore Kallajxhiu ishte anëtar i Ballit Kombëtar dhe në fund të luftës iku në
Itali, prej ku emigroi në Shtetet e Bashkuara. Atje punoi në seksionin shqip të Zërit të
Amerikës, kurse më pas në gazetën Dielli të Bostonit. Kallajxhiu është autor i shtatë librave
shqip të botuar në Shtetet e Bashkuara, ndër to Lot e shpresa, Milford NJ 1976, përmbledhje me
vjersha patriotike. Si besimtar bektashi, ndihmoi për ngritjen dhe mbajtjen e teqes bektashiane
të Detroitit më 1954 dhe botoi për këtë sekt panteist e për traditat e reja të tij në Amerikë
broshurën Bektashizmi dhe teqeja shqiptare n’Amerikë, Nju Jork 1964. Romani i tij historik
Larg atdheut mbeti në dorëshkrim.
Poeti dhe botuesi Kosovë Rexha-Bala (l. 1929) ka lindur në Gjirokastër dhe është rritur
në Kosovë. Pas studimeve në Beograd, punoi për një farë kohe si mësues dhe gazetar në
Kosovë. Më 1964 emigroi në Suedi. Në fillim punoi në industri e më pas si mësues në
Gëteborg, ku banon edhe sot. Krijimet e para iu botuan në organe letrare të Kosovës, si Jeta e
re. Është autor i dy përmbledhjeve me poezi në gjuhën shqipe: Belbëzime poetike, Gëteborg
1972, dhe Kronika poetike e një shpirti të ndezun, Gëteborg 1974, si dhe i dy vëllimeve me
poezi në gjuhën suedeze: Poetiskt mummel, Gëteborg 1980 (Mërmërima poetike), dhe
Viskningar och slammer, Gëteborg 1980 (Pëshpëritje e britma). Rexha-Bala gjithashtu ka
botuar revistën kulturore në gjuhën shqipe Stinët e jetës në Västra Frölunda.
Nga Lindja e Mesme është Abdylatif Arnauti (l. 1941), autor e përkthyes sirianoshqiptar
i lindur në Damask në një familje të ardhur nga fshati Dobërllukë afër Vushtrrisë në
Kosovë. Kreu studimet për gjuhë dhe letërsi arabe në Damask. Arnauti, mbiemër ky me
kuptimin ‘shqiptari’, është autor romanesh, tregimesh, përkthimesh dhe poezish arabisht (me
pseudonimin Ibn Kosova) dhe shqip. Ndër veprat shqip janë dy romane, tregime për fëmijë nga
Siria dhe një përmbledhje poetike me titullin Përtej maleve, deteve, Prishtinë 1981, që e
përshkon malli i mërgimtarit për vendin e vet. Ka hartuar dhe ka përkthyer arabisht antologji të
poezisë shqiptare, kosovare e jugosllave, si dhe ka përkthyer arabisht romane të Dritëro Agollit
(l. 1931), Ismail Kadaresë (l. 1936) dhe të shkrimtarit kroat Miroslav Kërlezha (1893-1981).
Edhe bashkësia shqiptare në Siri ka luajtur rol aktiv e me rëndësi për zhvillimin e kulturës arabe në atë vend24. Mustafa Huluki (1850-1915), për shembull, ka qenë poet arab-sirian i lindur në
Damask në një familje shqiptare të ardhur nga Kavalla e Greqisë. Studimet i filloi në Damask
dhe më pas ndoqi një kolegj ushtarak në Stamboll. Për një kohë ishte drejtor i Kolegjit al-
Sultanije në Beirut dhe bashkëpunoi në hartimin e enciklopedisë al-Bustani. Poezia e tij, e
shkruar arabisht dhe turqisht e që dëshmon për ndjenjat e tij nacionaliste kundërosmane, është
botuar në një numër organesh shtypi siriane e libaneze në fillim të shekullit të njëzetë. I biri, Ali
Huluki (l. 1910), që kreu studimet në Damask dhe punoi nga viti 1929 e këndej si mësues në
vise të ndryshme të Sirisë, konsiderohet babai i tregimit sirian dhe pionier i realizmit në këtë
gjini. Maruf Arnauti (1892-1948) ka qenë një tjetër shkrimtar i rëndësishëm arab-sirian me
prejardhje shqiptare. I lindur në Beirut në një familje nga Vlora, studimet i kreu në kryeqytetin
libanez, dhe më 1916 u shpërngul në Stamboll, ku shërbeu si oficer në ushtrinë osmane. Arnauti
mori pjesë në kryengritjen arabe, që shpërtheu atë vit në Mekë, kurse më pas në lëvizjen për
çlirimin e Sirisë nga pushtimi francez. Për pjesëmarrjen në këtë kryengritje e lëvizje u dënua me
vdekje më 1920, por u lirua pas pak kohe nga një amnisti dhe jetoi në Damask derisa vdiq.
Maruf Arnauti është autor i katër romaneve të para në letërsinë arabo-siriane.
Ndër autorë të tjerë të diasporës, mund të përmenden shkarazi: Prenk Gruda (l. 1912)
nga Exhuotër (Edgewater) Florida, autor i librit autobiografik 766-faqesh Ditari i nji zemrës së
lëndueme 1937-1975, Detroit 1985; shkrimtari dhe botuesi arbëresh Vinçenz Golletti-Baffa
(l. 1924) që banon në Hajdelberg; Nijazi Sulça (l. 1938) nga Peja me banim në Ankara të
Turqisë; Nexhmije Zaimi nga Nju Jorku, autore e Daughter of the eagle, the autobiography of
an Albanian girl, Nju Jork 1937 (Bijë e shqiponjës, autobiografi e një vajze shqiptare); dhe
Nermin Vlora Falaski (l. 1921) nga Roma, nga gjaku i Ismail Qemal bej Vlorës, e cila, përveç
disa teorive të veçanta për prejardhjen e gjuhës shqipe, ka krijuar edhe prozë, poezi dhe sprova
në italisht e në shqip.
Sikundër u tha më sipër, shkrimtarët shqiptarë në diasporë nuk lozin rol të madh në
letërsinë shqiptare e, me përjashtim të Martin Camajt, nuk kanë dhënë ndonjë ndihmesë me
peshë për të. Më shumë se gjithçka tjetër, kanë rëndësi përpjekjet e tyre gjithëfarëshe në fushën
e shkrimeve e të botimeve për të mbajtur ndezur flakën e qiririt të kulturës shqiptare në viset
gjegjëse të globit.
_________
20 kr. Bala 1978.
21 kr. Altimari 1991a, 1994, Mandalà 1991, Pipa 1991a, 1991b, f. 125-164, dhe Albanica vëll. 2 (pranverë 1991), si dhe A. Berisha 1994, 1995b.
22 kr. Camaj 1971, 1977.
23 kr. Camaj 1972, dhe Camaj & Schier-Oberdofer (red.) 1974.
24 kr. Mufaku 1981a, 1981b, 1983, 1990.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia