SHQIPTARËT NË RS TË MALIT TË ZI
✤ Gjenden në territoret jugore e jugperëndimore të kësaj republike, nga komuna e Plavës (në J) deri në atë të Ulqinit (në JP). Si pjesë përbërëse e popullit dhe e kombit shqiptar, ata janë banorë autoktonë në trojet e tyre.
Sipas regjistrimit të popullsisë të v. 1981 në Malin e Zi kishte 37.735 banorë të përcaktuar me kombësi shqiptare. Shqiptarët banojnë në komunat e Ulqinit, Tivarit, Titogradit (Podgoricës), Ivangradit (Beranës), Plavës dhe Rozhajës. Në komunën e Ulqinit ata përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë, ndërsa në komunat e tjera, me përjashtim të Tivarit dhe të Rozhajës, janë të përqendruar në mënyrë kompakte kryesisht në rajonet kufitare me RPS të Shqipërisë. Ata përbëjnë 6,46% të numrit të përgjithshëm të popullsisë të regjistruar në atë republikë. Nga të dhënat e statistikës zyrtare jugosllave për vitet 1971-1981 del se shtesa natyrore e shqiptarëve në Malin e Zi është shumë e ulët (5,6 vetë në çdo 1000 banorë me kombësi shqiptare).
Pakësimi relativisht shumë i madh i shqiptarëve në Malin e Zi nga v. 1971 deri në 1981 është i lidhur, përveç mungesave dhe pasaktësive të statistikës, edhe me procesin intensiv ±ë emigrimit të tyre jashtë Jugosllavisë, sidomos në SHBA. Nga rajonet shqiptare të Malit të Zi deri në fund të v. 1983 kishin emigruar në Evropën Perëndimore dhe kryesisht në SHBA rreth 20.000 shqiptarë. Ky proces emigrimi kushtëzohet nga prapambetja e theksuar e viseve ku ata banojnë, si edhe nga shtypja kombëtare, që mori përmasa të reja pas demonstratave të mars-prillit 1981 në Kosovë.
(Z.Sht.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Shqiptarët Në Rs Të Malit Të Zi