SHUSHUNJAT


SHUSHUNJAT
✤ (Hirudo medicinalis, L.). Krimb unazor i familjes Hirudinea. Me emrin Sh., ushunjëz ose pjavicë thirren të gjitha llojet e kësaj familjeje, me trup të gjatë 10-15 cm, pak të shtypur, me ngjyrë ulliri e njolla të kuqe portokalli nga ana kurrizore dhe ngjyrë të verdhë të gjelbër me njolla të zeza nga ana barkore. Ka dy ventuza të vendosura njëra në pjesën e përparme dhe tjetra në pjesën e prapme të trupit. Është notuese e mirë

SH. është e përhapur në të gjithë Evropën dhe Azinë P. Në Shqipëri jeton gjithandej në ujëra të ndenjura (këneta). Ushqehet duke thithur gjak nga vertebrorë të ndryshëm, i ngjitet edhe njeriut. Gjaku i thithur e ruan freskinë për disa javë, në sajë të hirudinës (një lëndë që pengon mpiksjen e gjakut) të cilën e prodhon vetë ajo. Sh. është hermafrodite, shumëzohet në verë dhe në fillim të vjeshtës. Depoziton në baltë dhe në toka të lagura 6-8 mëshikëza të vogla që përmbajnë rreth 30 vezë. Të vegjëlit çelin në pranverën e ardhshme dhe fillojnë të ushqehen me larva të insekteve e krimba, që i gëlltisin dhe u thithin lëngun.

SH. ka pasur përdorim të gjerë në mjekësinë popullore, sidomos kundër hipertonisë e glaukomës, duke i vënë të thithin gjak. Asaj shpesh i janë veshur pa të drejtë shumë veti kuruese. Sot përdorimi ka rënë mjaft.

(L.Gj.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Shushunjat


[cite]