SILURIANI
✤ Periudha e tretë e erës paleozoike, e përfshirë ndërmjet ordovikianit dhe devonianit, që ka zgjatur rreth 45 miiionë vjet (nga para 440 milionë në para 395 milionë vjet) dhe gjatë së cilës janë formuar shkëmbinjtë që përbëjnë sistemin silurian. Ndahet në S. e poshtëm me katet (shekujt gjeologjikë) landoverian e valencian dhe në S. e sipërm me katet ueniokian, ludlovian e dauntonian. Gjatë S. treva mesdhetare dhe Albanidet ishin mbuluar nga një det përgjithësisht i thellë, në të cilin u shfaqën peshqit e parë me mburojë dhe jetonin graptolite të shumta, korale, butakë të ndryshëm, sidomos cefalopodë dhe u zhvilluan algat. Ndërkohë më në J. në kontinentin e madh të Gondvanës me klimë të nxehtë e shumë të thatë, u shfaqën kafshët e para këmbënyjëtuara tokësore si dhe bimët e para enëzore.
Në Albanidet e brendshme, gjatë S. u depozituan kryesisht llume deltinore, nga të cilat janë formuar rreshpet me graptolite të shumtë, që vërehen sot në krahinën e Peshkopisë (Zona e Korabit) dhe përbëjnë një vendgjetje klasike të fosileve të graptoliteve për trevën mesdhetare. Në pjesën më V të Zonës së Korabit, që gjatë S. mbulohej nga një det relativisht më i cekët, vërehen sot edhe gëlqerorë me krinoide, si dhe rreshpe hekurore.
(A. Kod.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Siluriani
[cite]