SINJA
✤ Fshat malor në rrethin e Beratit (P), në rrëzën J të Shpiragut, në kufirin me Mallakastrën. Qendër e fshatit të bashkuar që përfshin edhe fshatrat:

Mbolan e Mbjeshovë, popullsia gjithsej 1936. S. është vendbanim i vjetër. Një pjesë e fshatarëve kanë ardhur nga Lekli, të dëbuar prej turqve pas rënies së Ali Pashë Tepelenës. S. përmendej për prodhimin e vajit të ullirit dhe për gdhendjen në dru. Banorët morën pjesë në kryengritjen fshatare me Rrapo Hekalin. Këtu u bë gjyqi kundër bejlerëve Vrionas, që u ekzekutuan më 1847 në Qafën e S. Në korrik 1912 u bë Kuvendi i S. që miratoi Memorandumin e Gërçës (shih) dhe përkrahu kryengritjen e malësorëve të V. Në dhjetor 1942 u ngrit Këshilli NÇ i fshatit, më 10.1.1943 këshilli krahinor dhe më 17.7,1943 u formua Grupi II partizan i qarkut të Beratit. Në Qafën e S. në korrik 1943 dy çeta partizane përballuan 3000 forca italiane. Kolektivizimi u bë më 1S57. S. është qendër e koop. së bashkuar, formuar më 1971. Ka drejtim kryesor prodhimin e drithërave të bukës dhe blegtorinë e imët. S. është e njohur për qershitë. Ka shkollë të mesma bujqësore, shtëpinë e kulturës, muzeun, spitalin, shtëpinë e lindjes, farmacinë.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Sinja


[cite]