SISTEMI NERVOR
E gjithë veprimtaria e organizmit tonë, puna e organeve dhe e indeve të ndryshme dhe ajo mendore dhe psikike, varet, drejtohet e komandohet nga sistemi nervor. Sistemi nervor, me organet dhe me degëzimet e tij të pafundme kryen disa detyra: përshkon të gjitha organet e trupit tonë, e lidh organizmin me mjedisin e jashtëm, bën që organizmi ynë të funksionojë si një i tërë.
Sistemi nervor formohet nga dy pjesë kryesore: nga sistemi nervor qendror dhe nga sistemi nervor periferik. Sistemi qendror nervor përbëhet riga palca kurrizore dhe nga truri (encefali), ndërsa sistemi nervor periferik formohet nga nerva të panumërta që lidhin trurin dhe palcën e kurrizit me organet e me indet e ndryshme, me shqisat e me receptorët e shpërndarë në të gjithë organizmin.
Njëra anë e fijeve nervore, mbaresat nervore, janë të shpërndara në të gjithë sipërfaqen e lëkurës, në shqisat tona, në organet dhe në indet e ‘ndryshme. Të gjitha ngacmimet që marrin ato nga bota e jashtme dhe nga organet e brendshme, i dërgojnë menjëherë në sistemin nervor qendror, në tru dhe në palcën kurrizore. Kështu pra, në trurin tonë vijnë pa ndërprerje ngacmime, sinjalizime, të dhëna të ndryshme, një informacion i gjerë mbi çka ndodh jashtë nesh e brenda nesh. Këto të dhëna truri i analizon, i përpunon dhe më së fundi «merr vendime dhe jep urdhra» me qëllim që organizmi ynë të kundërveprojë në mënyrë të përshtatshme e sipas nevojës së tij. Kur ne shikojmë se një top vjen drejt nesh, nervi optik (nervi i të parit) këtë informacion e dërgon në çast në tru. Truri, nga ana e tij, pasi e analizon këtë informacion, me anë të nervave dërgon urdhrin që duart të lëvizin në një drejtim të caktuar e të presin topin. Ose kur në tru vjen informacioni se në gjak është rritur, p.sh., sasia e sheqerit, atëherë ai dërgon «urdhrin» te gjëndra e pankreasit që ajo të shtojë veprimtarinë e saj e të prodhojë më shumë insulinë, me qëllim që të baraspeshohet sasia e sheqerit në gjak. Në këtë mënyrë truri arrin të bashkërendojë në një të tërë të vetme gjithë veprimtarinë jetësore të organizmit të .njeriut.