SISTEMI NERVOR AUTONOM

Përveç sistemit nervor qendror, organizmi ynë ka edhe një sistem tjetër nervor, që quhet sistemi nervor autonom. Veprimtaria e këtij sistemi nuk varet nga vullneti ynë. Ky sistem nervor kontrollon dhe rregullon punën e pavarur, automatike, të shumë organeve, si p.sh. punën e organeve të aparatit tretës, të aparatit të frymëmarrjes, veprimtarinë e gjëndrave endokrine, veprimtarinë e zemrës e të enëve të gjakut etj.

Fijet nervore që formojnë sistemin nervor autonom ose vegjetativ, siç quhet ndryshe, ndahen në dy pjesë: në pjesën që quhet simpatike dhe në atë parasimpatike. Fijet nervore të pjesës simpatike shpërndahen në shumë organe të trupit tonë dhe, në bazë të impulseve që sjellin, veprojnë në punën e këtyre organeve në dy mënyra: ose rritin veprimtarinë e tyre, ose e ngadalësojnë atë. Kështu, p.sh., fijet nervore simpatike kanë aftësinë të rritin veprimtarinë e gjëndrave të djersës, të shpejtojnë të rrahurat e zemrës, të ngadalësojnë punën e stomakut dhe të zorrëve etj. Fijet nervore të pjesës parasimpatike shpërndahen dhe ato në të gjitha organet, në të cilat kanë shkuar edhe fijet nervore të pjesës simpatike, por veprojnë në drejtim të kundërt: nëse nervat simpatikë kanë aftësinë të rritin veprimtarinë e një organi, këto e pakësojnë atë dhe anasjelltas. Në këtë mënyrë, të dyja pjesët që formojnë sistemin nervor autonom, simpatik dhe parasimpatik, duke vepruar sipas rastit e nevojës në organet e ndryshme, rregullojnë punën e tyre të pavarur në përputhje me nevojat e organizmit.

Trupi — Ynë

[cite]