SIZMOLOGJIA
✤ Shkencë gjeofizike që studion tërmetet dhe dukuritë e lidhura me to. Pjesa e S. që merret me instrumentet dhe proeesin e matjeve quhet sizmometri. Instrumentet zakonisht vendosen në qendra vrojtuese ose në stacione sizmologjike. Maten: zhvendosja e tokës (me sizmografë) duke përcaktuar energjinë e tërmeteve në vatër (shkalla Rihter); përshpejtimi i tokës (me akselerografë) dhe intensiteti (me sizmoskopë). S. studion shpërndarjen në kohë dhe në hapësirë të vatrave të tërmeteve të pritshëm dhe aktualë, për të bërë raionizimin sizmik (shih) dhe për të njohur ndërtimin e brendshëm të Tokës. Studimet sizmologjike të kryera nga Qendra sizmologjike (shih) kanë hedhur dritë edhe mbi ndërtimin në thellësi të kores së Tokës në Shqipëri, duke e ndarë atë në dy shtresa: sedimentaro-granitike me trashësi 25 km dhe bazaltike ose kalimtare me trashësi 9-10 km.
Përdorimi i plasjeve artificiale për studimin e pjesës së sipërme të kores së Tokës çoi në lindjen e një dege të veçantë të S. së zbatuar (shih) ose të kërkimeve sizmike (sizmikës).
S. ndihmon edhe për mbrojtjen nga pasojat e tërmeteve të mundshëm, për këtë janë krijuar edhe dy drejtime të reja të S. së zbatuar: S. inxhinierike që merret me mikrozonimin sizmik të shesheve industriale dhe të qendrave të banimit, duke dhënë parametrat e lëkundjeve të forta të pritshme, dhe inxhinieria e tërmeteve që merret me studimin e sjelljes së objekteve gjatë tërmeteve, nga të cilat jepen kriteret tekniko-ekonomike të projektimeve antisizmike. Ndër studiuesit e sotëm në fushën e S. përmenden Eduard Sulstarova, Siasi Koçiaj etj.
(Si. Ko.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Sizmologjia