SKERDILAIDI


SKERDILAIDI
✤ Komandant ushtarak dhe sundimtar i shtetit ilir më 217-205 p.e.r. Përmendet për herë të parë si komandant i 5000 trupave të dërguara nga Teuta (shih) më 230 p.e.r. kundër Epirit. Këto trupa kaluan nëpër ngushticat e Antigonesë, u bashkuan diku në pellgun e Vurgut me forcat e tjera ilire, që kishin marrë Foiniken me sulm nga deti e qenë vënë përballë etolëve, të thirrur për ndihmë nga epirotët. Pas rënies së Teutës, S, veproi përkrah Demetër Farit (shih) që u bë regjent i mbretërisë ilire. E mbështeti kursin e tij promaqedon deri më 220 p.e.r., kur S. u lidh me etolët, kundër aleatëve të Maqedonisë. Përballë kërcënimit të hapur të mbretit maqedon, Filipit V, S. pas vitit 217 e ktheu fytyrën nga Roma. Pas këtij viti del si sundimtar i vetëm i shtetit ilir. Më 205 p.e.r. në marrëveshjen për paqe midis konsullit romak P. Semprionit dhe Filipit V, në vendtë tij përmendet i biri, Pleurati. S. ishte një nga përfaqësuesit më të fuqishëm të klasës sunduese ilire, që ndikoi në politikën e brendshme e të jashtme të shtetit ilir gjatë tri dekadave të fundit të shek. III p.e.r. (F. D.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Skerdilaidi


[cite]