Skizma Skizm/ë-a:
(Term nga Kodikët e Shqipërisë)

Ndarje. Përgjithësisht me termin “skizmë” nënkuptohet ndarja më e madhe që ka ndodhur në historinë e krishtërimit, e shënuar në vitin 1054, kur përfundimisht dy kryeqendrat e krishtërimit, Roma dhe Kostandinopoja, përcaktuan kufijtë e autoritetit të tyre. Skizmës së madhe të vitit 1054 i paraprinë konflikte dhe skizma të tjera më të vogla, si ajo e shekullit të 9- të, e mbiquajtur “skizma e Fotiuis-it”. Kufijtë e autoritetit të dy kishave në hapësirën shqiptare lëvizën për një kohë të gjatë. Njihen letrat e betimit të Balshajve, të cilët, pasi ishin bërë skizmatikë, domethënë pasi ishin ndarë nga kisha katolike, kërkojnë me ndjesë të thellë rikthimin nën fuqinë e Atit të Shenjtë, Papës, “duke i rënë mboh përgjithnjë skizmës”. Në ligjërimin popullor kjo fjalë ka edhe formën “shizmë”.

Lista e fjalëve të fjalorthit
* Kodikët e Shqipërisë

[cite]