SKULPTURA


SKULPTURA
✤ Arti i pasqyrimit vëllimor në hapësirë i figurave të njerëzve, kafshëve ose sendeve të gdhendura, të modeluara a të derdhura në materiale të forta.

Në truallin e Shqipërisë S. shfaqet me terrakotat (shih) neo-eneolitike të figurës së gruas nënë, të idhujve skematikë, të kafshëve, si dhe në enët antropomorfe e zoomorfe duke arrirë një nivel të lartë artistik («Gruaja e ulur» e Dunavecit, neoliti i mesëm; vazoja antropoRiorfe e Kamnikut, neoliti i vonë; vazoja ornitomorfe e Maliqit, eneolit). Në periudhën e bronzit të vonë dhe hekurit të mesëm S. zhvillohet në stoli trupore ose në objekte magjikofetare të vogla prej bronzi, të gjetura në tumat e fiseve ilire e që paraqesin figurën e njeriut, të kafshëve dhe sendeve me silueta harmonike e ndjeshmëri plastike.

Në kolonitë bregdetare të antikitetit që nga shek. VI p.e.r. S. e mbështetur në traditën helene ka zhvillim të madh në funksion të arkitekturës dhe monumenteve të varrit. Lulëzimin e saj S. e kolonive e arrin në shek. IV-II p.e.r. E punuar në mermer ose në gur të vendit ajo jep shtatore si dhe koka të perëndive e të atletëve në stilin klasik, duke fituar tipare lokale («Perëndesha e Butrintit*, shek. IV p.e.r; «Atlasi», Apoloni, shek. II p.e.r.). Zhvillim të madh kanë edhe statujat prej bronzi, ndërsa terrakota trajton edhe tema laike në një S. zhanri (Hydrofora», Apoloni, shek. IV p.e.r.; «Bariu me qengj», Durrës, shek. III p.e.r.).

Tipare të veçanta mori nga shek. IV deri në shek. I p.e.r. S. e qyteteve ilire. Shtatoret dhe reliefi të punuar me gurin e Karaburunit, Kaninës, Dumresë etj. japin përfytyrime realiste të njerëzve të individualizuar e me veshje vendase (Stele me reliefin e një gruaje, Belsh shek. III p.e.r.; shtatorja e gruas Dimal, shek. II p.e.r.). Ka një prodhim të madh statujash prej bronzi dhe terrakotash ilire që arrijnë në realizime të përkryera të figurave të hyjnive («Poseidoni» bronz, Antigone, shek. II p.e.r., «Afërdita», terrakotë, Dimal shek. II p.e.r.).

Nga shek. I e.r., S. përvetësoi tipare të realizmit romak. Statuari i Apolonisë ka dhënë figura të tipizuara por në frymën e traditës klasike (shtat nëpunësi, shek. III e.r.; «Koka e filozofit» shek. II-III e.r.; «Busti i Bilies» shek. II-III e.r.). Në shek. I-III relievi me ndeshje gladiatorësh, skena betejash etj. i lidhur me zbukurimin e monumenteve përkujtimore etj.; u përhap shumë. Në gurët e varrit të vendbanimeve fshatare evokohen me mjete të thjeshta skena nga jeta e përditshme. Nga shek. III S. skematizohet dhe humbet plasticitetin.

Në mesjetën e hershme S. paleokristiane është e sheshtë, dekorative dhe zbukuron godinat e kultit, ajo jep edhe përfytyrime kafshësh e rrallë të njeriut. Gjatë mesjetës S. mohohet prej estetikës bizantine dhe në shekujt e pushtimit osman ndalohet nga ligjet e Sheriatit. Në shek. XVIII-XIX arrin zhvillim të lartë S. dekorative me ornamente bimore në dru të latuar në tavanet, trapazanët e pjesë të tjera të brendisë së banesave dhe të godinave të kultit e sidomos në ikonestaset e amvonat ku ka edhe përfytyrime zogjsh, kafshësh e disa herë figurash njerëzore e skenash fetare. S. e rrumbullakët fillon të lëvrohet sërisht në periudhën e Rilindjes kombëtare me bustet patriotike të Murat Toptanit («Busti i Skënderbeut», 1898 etj). Në periudhën e Pavarësisë Odhise Paskali e ngre S. shqiptare në nivel profesional. Veprat e tij si monumentet («Luftëtari kombëtar» 1932, «Çerçiz Topulli* 1937, busti i Skënderbeut 1939) e një radhë të tjera janë realiste, me përmbajtje patriotike dhe frymë popullore. Kushtet politike-shoqërore të krijuara me vendosjen e pushtetit popullor pas v. 1944, kërkesat kulturore të popullit në Shqipërinë e re, revolucioni e ndërtimi socialist i dhanë hov S., e cila bëhet një art i realizmit socialist. Që në periudhën e parë pas Çlirimit u ngritën një radhë veprash të S. monumentale të figurave të shquara në stil realist dhe me një frymë patetike luftarake («Qemal Stafa», bust 1949, «Monumenti i Skënderbeut» në Krujë 1959 nga Janaq Paço etj.). Hov të ri mori S. monumentale në vitet 60, kur ngrihen një radhë veprash që dallojnë për karakterin demokratik, pasqyrimin masiv, lëvizjen dinamike të formave dhe frymën revolucionare, shpesh krijime me grup autorësh (monumentet «Skënderbeu» në Tiranë, 1968, i «Pavarësisë» në Vlorë, 1972, i Mushaetasë 1969, «Katër heroinat e Mirditës», 1971 etj.). Në vitet që vijnë vazhdoi krijimi i veprave të S. monumentale komplekse që ndërthurin gjini të ndryshme të S. me arkitekturën dhe me një thellim në shprehjen plastike të një përmbajtjeje socialiste revolucionare (Monumentet «Drashovicë 1920-1943», 1980, Mumtaz Dhrami, «Heronjtë e Vigut», 1984, Shaban Hadëri etj.). Njëkohësxsht arrijnë realizime të shquara edhe shtatorja (shih) dhe grapi skulpturor të destinuar për mjedise të jashtme e të brendshme. Krijime me vlera jep edhe relievi (shih) më vete ose i zbatuar në monumente e lapidarë. Realiste e me trajtim plastik të larmishëm e shprehës janë portretet skulpturore të konceptuara edhe si vepra të S. monumentale, si busti i sh. Enver Hoxha (1965) nga Odhise Paskali, «Fan S. NoIi» (1978) nga Thoma Dhamo etj.. Në objektet e arkitekturës fillon të zbatohet S. dekorative, e cila në një stil modern gërsheton motive tradicionale kombëtare me motive të jetës së re socialiste. S. e realizmit socialist në një formë komunikuese zë gjithnjë e më shumë vend në mjediset e qyteteve, fshatrave dhe ndërtesave. (A. Ku.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Skulptura


[cite]