STILISTIKA E GJUHËS SHQIPE


STILISTIKA E GJUHËS SHQIPE
✤ Degë e gjuhësisë shqiptare, që studion sistemin e stileve e të ligjërimeve, mundësitë e mjetet shprehëse të shqipes dhe organizimin stilistik të veprave e teksteve ligjërimore. Ajo studion nga kjo pikëpamje edhe gjuhën e letërsisë artistike dhe ndihmon stilistikën letrare për analizën tërësore të krijimeve artistike. Deri para Çlirimit nuk ishte e veçuar nga stilistika letrare. Ndër trajtuesit e parë për çështjet e S. është Luigj Gurakuqi, ndërsa vepra më e rëndësishme është teksti i A. Xhuvanit dhe K. Cipos Fillime të stilistikës e letërsisë së përgjithshme (1930). Pas Çlirimit vështrimi stilistik depërtoi në studimet për gramatikën e sidomos për leksikun, i lidhur me njësimin e gjuhës letrare kombëtare. Vitet e fundit ka filluar trajtimi i anëve teorike dhe përpunimi i një metode analize stilistike nga Xh. Lloshi etj.

Stilistika vë në dukje organizimin dytësor gjuhësor, i cili e bën më të efektshëm komunikimin dhe u shërben kërkesave të tjera plotësuese në përshtatje me qëllimet e ligjëruesve, me rrethanat e me traditën kulturore. Ajo studion përdorimin e gjallë të gjuhës dhe variacionin gjuhësor. Nocion qendror është stili, i cili shihet si një tërësi gjuhësore e organizuar në një mënyrë që i jep ligjërimit veçantitë në realizimin e përmbajtjes, të lidhura me kushtet e funksionet e kumtimit ose për të arritur një ndikim. Stilet gjuhësore kanë organizim të ngulitur historikisht, ndërsa stilet individuale kanë edhe veçanti që përftohen nga përpjekjet krijuese gjatë përdorimit të mjeteve e të ndërtimeve gjuhësore. Stili shfaqet si veti e tërësisë, ndërsa gjatë analizës përcaktohen elemente përbërëse që nga përftesat e stilemat si njësi fillestare etj.

Sistemi stilistik i shqipes së sotme përbëhet nga tre tipa themelorë ligjërimesh që’ dallohen prej ligjërimit asnjanës dhe nga katër fusha të gjera, që kanë nëndarjet e tyre: stili i veprimtarisë politike-shoqërore, stili i veprimtarisë shtetërore-administrative, stili i veprimtarisë shkencore-teknike dhe stili i veprimtarisë letrare artistike. Ky sistem ka lindur historikisht dhe u plotësua në etapën e gjuhës letrare të njësuar. Bashkë me visarin e mjeteve e të mundësive shprehëse, ai është dëshmi e zhvillimit të shqipes si një gjuhë e lëvruar, që i shërben një shoqërie dhe një kulture të shumanshme e të përnaruar.

(Xh. Ll.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Stilistika E Gjuhës Shqipe


[cite]