STIMULI MATERIAL


STIMULI MATERIAL
✤ Mjet nxitës që çdo anëtar i shoqërisë sonë socialiste të marrë pjesë në veprimtari të dobishme ekonomiko-shoqërore për shtimin e produktit shoqëror dhe për ngritjen e rendimentit të punës. S. M. realizohet kryesisht nëpërmjet pagës, por në raste të veçanta, sipas dispozitave ligjore, edhe në formën e shpërblimit plotësues mbi pagën. Për këtë përdoret edhe një pjesë e fondit të veçantë që krijohet në ndërmarrjet e institucionet shtetërore.

Ndërtimit socialist i shërbejnë vetëm ata stimuj materialë që përputhen me parimin e shpërndarjes sipas punës, me interesin e përgjithshëm shoqëror dhe që nuk lejojnë të krijohen privilegje për individë ose për grupe shoqërore. Lëvizjet e mëdha ideologjike për thellimin e revolucionit tek ne çuan në heqjen e atyre stimujve materialë që ishin të tepërt, të panevojshëm dhe që prishnin ndërgjegjen socialiste të njerëzve, duke i dhënë përparësi stimulit moral (shih). Në BS dhe në vendet e tjera revizioniste, ku është rivendosur kapitalizmi, stimujt materialë janë absolutizuar si formë e përvetësimit të mbivlerës dhe janë shndërruar në mjetin më të rëndësishëm për të rritur të ardhurat e borgjezisë së re.

(M. Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Stimuli Material


[cite]