STOMAKU

Stomaku është një nga organet kryesore-të aparatit tretës dhe shërben edhe si një rezervuar i përkohshëm ushqimesh. Ai ndodhet ne pjesën e sipërme të barkut, i zhvendosur më shumë nga ana e majtë. Forma e tij ndryshon: kur jemi pa ngrënë, ai ka formën e një tubi cilindrik, ndërsa pas një dreke të bollshme, ai merr një formë të fryrë sferike. Kjo tregon se stomaku është një qese muskulore elastike.

Pjesa e brendshme e stomakut është e veshur nga një mukozë e trashë, e cila është e mbuluar nga një shtresë qelizash cilindrike, që formojnë atë që quhet epiteli. Këto qeliza prodhojnë (sekretojnë) një lloj lëngu që quhet mukus.

Ushqimi i bluar dhe i njomur nga pështyma në gojë, vjen në stomak në formë qulli. Stomaku me muskujt e tij të fuqishëm e përzien dhe e përpunon atë. Ndërkohë gjëndrat që ndodhen në anët e tij prodhojnë disa lëndë kimike, të quajtura enzima, të cilat veprojnë mbi ushqimet dhe r shpërbëjnë ato në pjesë më të thjeshta, që të përvetësohen nga organizmi. Kur përpunimi dhe shpërbërja e ushqimeve ka përfunduar, disa muskuj të posaçëm e shtyjnë atë në duoden, që është pjesa e parë e zorrëve të holla. Nga stomaku në duoden ushqimi kalon nëpërmjet një valvole që quhet pilor, e cila qëndron e mbyllur, kur në stomak vazhdon të përpunohet ushqimi, dhe hapet në kohën ë duhur, kur përpunimi ka përfunduar. Po në mukozë, në disa gropëza të. vogla, ndodhen gjëndrat e stomakut: gjëndrat gastrike, gjëndrat pilorike dhe kardiale. Gjëndrat gastrike lëshojnë në stomak acid klorhidrik dhe pepsinë, që është një enzimë, ndërsa ato pilorike dhe kardiale lëshojnë vetëm pepsinë. Mukusi, pepsina dhe acidi klorhidrik formojnë atë që quhet lëngu i stomakut ose lëngu gastrik, i cili ndihmon në shpërbërjen dhe në tretjen e ushqimeve.

Trupi — Ynë

[cite]