SYRI
Meqë sot aparatet fotografike janë mjaft të përhapura, nuk është vështirë që çdokush të kuptojë se si funksionon edhe syri, sepse midis aparatit fotografik dhe syrit ka shumë ngjashmëri. Aparati fotografik është një kuti e mbyllur, ku drita mund të hyjë vetëm nga një vrimë në të cilën është vendosur thjerrëza. Rrezet e dritës, që vijnë nga objektet e ndryshme, kalojnë nëpër këtë vrimë, thyhen te thjerrëza dhe përqendrohen në faqen tjetër të kutisë, në të cilën është vendosur fokusi.
Ky i fundit është i mbuluar nga një shtresë e hollë shumë e ndjeshme dhe që ka vetinë të errësohet në ato vende që preket nga drita. Sa më e ndritshme të jetë drita, aq më i thellë është edhe errësimi. Dhe, meqë objektet që ndodhen para aparatit, nuk janë të ndritshme njëlloj, edhe filmi errësohet në mënyrë jo të barabartë. Tërësia e njollave më shumë a më pak të errëta dhe të bardha që formohen te filmi, na jep negativin e objektit, shëmbëlltyrën e përkundërt të tij. Filmi pastaj stampohet e përftojmë fotografinë Edhe mekanizmi i syrit është pak a shumë i njëjtë. Në pjesën e përparme të bulbit, prapa brizës (komesë) së tejdukshme, ndodhet kristalini, i cili i thyen rrezatimet që vijnë nga objektet dhe i përqendron në anën tjetër të bulbit, në një rrjetë të formuar nga funde nervore të imëta, që quhet retinë. Në retinë, ashtu si në filmin fotografik, kryhet perfytyrimi i objektit që, nëpër mjet nervit të të parit, përcillet menjëherë në tru, në qendrën e të parit. Në këtë mënyrë truri merr njoftim mbi tërësinë e objekteve e gjithë panoramën që ndodhet para shikimit tone.
Bulbi i syrit, që është i ngjashëm me kutinë e errët të aparatit fotografik, ka formë sferike dhe është i përbërë nga tri shtresa. Shtresa e parë ose e jashtme, në pjesën e përparme formon një të ngritur të tejdukshme: kjo është briza ose komeja e syrit. Shtresa e dytë ose e mesme, në të cilën shpërndahen enët e gjakut, në pjesën e përparme të saj formon irisin që është një lloj diafragme. Në mes të irisit ndodhet një vrimë, që quhet bebëza e syrit ose pupila. Shtresa e tretë është e formuar nga retina.
Kristalini është i vendosur prapa risit. Ndërmjet komesë, që është pjesa e përparme e syrit dhe irisit, formohet një hapësirë që quhet dhoma e parë e syrit; ndërsa ndërmjet irisit dhe kristalinit krijohet një hapësirë tjetër, më e vogël se e para, që emërtohet dhoma e dytë e syrit. Të dyja këto. dhoma komunikojnë ndërmjet tyre dhe janë të mbushura me një lëng të tejdukshëm e të qartë.