STRATIOTËT


STRATIOTËT
✤ (Ushtarë). Fshatarë të cilëve në Perandorinë Bizantine u jepej një ngastër toke dhe për të liroheshin nga detyrimet fiskale, me kusht që në rast lufte të shërbenin në ushtrinë ose flotën bizantine. S. shërbenin zakonisht në themat (shih) e origjinës. Me fuqizimin e klasës feudale në kurriz të fshatarësisë së lirë, S. filluan të zëvendësohen me ushtri feudale ose ushtarë rrogtarë. Prej shek. XIV, kur ushtritë feudale në Evropën Perëndimore e humbën rëndësinë, fituan peshë repartet e ushtarëve rrogtarë, që vinin nga Anglia, Zvicra, Gjermania. Në kushtet e vështira të jetesës nën pushtimin osman, shumë fshatarë të trevave malore, si të Labërisë, Himarës, të Veriut, por edhe nga Greqia, Dalmacia, u rekrutuan në reparte të tilla, duke marrë emrin «stratiotë». S. shqiptarë shërbyen në zotërimet venedikase, në shtetet italiane, në ushtrinë e perandorisë gjermane, në Francë, Flandër etj. Këta stratiotë shërbenin kundrejt rrogës me kuajt, armët dhe veshjet e tyre kombëtare karakteristike që përmenden shprehimisht si veshje «në mënyrën shqiptare». Për shërbime të veçanta disave prej tyre u dhanë feude më vete. Rekrutimi i S. zgjati deri në fillim të shek. XIX. Ndryshe nga kalorësia e rëndë e Perëndimit, kalorësia e S. shqiptarë ishte e lehtë, e lëvizshme, me përvojën e fituar në luftën kundër osmanëve në vendin e vet. S. shqiptarë përbënin një armë shumë të shkathët e me efekt, e cila solli një ndryshim në artln luftarak të kohës, një përvojë që e përgjithësoi S. me origjinë shqiptare Gjergj Basta. Edhe pse në dhe të huaj, S. nuk u shkëputën nga atdheu i tyre; në një varg rastesh ata u kthyen dhe morën pjesë në kryengritjet kundër sundimit osman në shek. XVIII (shih, në lëvizjen çlirimtare të kuvendeve shqiptare në shek. XVI-XVII. (shih).

(K. Bo.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Stratiotët


[cite]