SYLA MIFTAR
✤ (1837-1912). Veprimtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane. Lindi në fshatin Zogaj të Bytyçit. Së bashku me Ali Ibrën dhe Mic Sokolin mori pjesë në ngjarjet e Gjakovës kundër mareshalit osman Mehmet Ali Pashës (1878), në betejat për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë (1878-1880) dhe në ato të Shtimjes kundër forcave osmane të Dervish Pashës (1881). Si përfaqësues i Bytyçit mori pjesë në «Besa-Besë» të Pejës (1897), në Kuvendin e Verrave të Llukës (1904) dhe në Kuvendin e Junikut (1912). Në qershor 1912 ra në fushë të betejës në përleshje me forcat osmane për çlirimin e Pejës. (M.M.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Syla Miftar
[cite]