TËRMETET
✤ Goditje nëntokësore e lëkundje të sipërfaqes së Tokës, që shkaktohen nga thyerje dhe zhvendosje të menjëhershme të shkëmbinjve në brendi të Tokës dhe që përhapen në largësi të mëdha. Vendi ku ndodh thyerja në nëntokë e ku lind T. quhet vatër, projektimi i saj në sipërfaqe quhet epiqendër. T. mund të jenë me prejardhje tektonike, vullkanike, karstike dhe artificiale (si p.sh. nga shpërthimet nëntokësore etj.). Mbi 90% e T. që ndodhin sot në botë janë me prejardhje tektonike. Të tillë janë edhe T. në Shqipëri. Vatrat e T. gjenden deri në thellësinë 700 km. Sipas thellësive ato klasifikohen në të cekët 0-60 km, të ndërmjetëm 60-300 km dhe të thellë 300-700 km. Vatrat e T. në Shqipëri janë të cekëta, kryesisht me thellësi 10-20 km.
Vatrat e T. në botë shtrihen kryesisht gjatë dy brezave, brezit rrethpaqësor, të cilit i përket 80% e energjisë së T. të botës dhe brezi mesdhetar-transaziatik, të cilit i përket 15% e energjisë. Shqipëria bën pjesë në brezin e dytë; shumica e vatrave të T. në Shqipëri ndodhen në zonën sizmogjene adriatiko-jonike, në atë Korçë-Ohër-Peshkopi dhe në brezat sizmogjenë Luslmjë-Elbasan-Dibër dhe Vlorë-Tepelenë-Ersekë.
Forca e një T. mund të shprehet nëpërmjet magnitudës (M), sipas shkallës së Rihterit, duke përcaktuar nga matjet e stacioneve sizmologjike energjinë e çliruar në vatrën e T. Mund të shprehet edhe nëpërmjet intensitetit (I), sipas shkallëve në ballë, duke matur pasojat e një T. në ndërtimet dhe natyrën e sipërfaqes së Tokës në një vend të caktuar. Në Shqipëri përdoret shkalla 12 ballëshe MSK 64. T. me magnitudë të lartë shoqërohen zakonisht nga një numër i madh goditjesh me magnitudë të ulët, me epiqendra afër asaj të goditjes kryesore dhe që quhen pasgoditje. Mjaft nga T. e forta të Shqipërisë janë shoqëruar me pasgoditje. Disa T. paraprihen nga goditje me magnitudë më të vogël, që quhen paragoditje. T. i 15 prillit 1979 (shih) u shoqërua me një seri paragoditjesh.
Shqipëria është prekur shpesh nga T. të fuqishme, të cilat kanë shkaktuar viktima dhe dëmtime të shumta, vetëm gjatë këtij shekulli kanë rënë 13 T. me intensitet 9 dhe 8 ballë. Të tillë kanë qenë T. i 1 qershorit 1905 (Shkodër), i 18 shkurtit 1911 (Pogradec), i 26 nëntorit 1920 (Tepelenë), 17 dhjetorit 1926 (Durrës), 21 nëntorit 1930 (Vlorë), 27 gushtit 1942 (Peshkopi), 1 shtatorit 1959 (Lushnjë), 26 majit 1960 (Korçë), 30 nëntorit 1967 (Dibër), 15 prillit 1979 (Shkodër) etj.
Pas Çlirimit të vendit pasojat e tërmeteve likuidohen plotësisht brenda një kohe të shkurtër me masat e marra nga shteti socialist dhe me ndihmesën vullnetare të të gjithë popullit. (E. Su.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Tërmetet