TANZIMATI


TANZIMATI
✤ Periudha e reformave të moderuara të Perandorisë Osmane (shekulli XIX) që kishin për qëllim ndalimin e shthurjes së mëtejshme të Perandorisë si dhe përshtatjen e sundimit feudal turk me kërkesat politike dhe ato të zhvillimit kapitalist evropian nëpërmjet centralizimit të pushtetit dhe forcimit të regjimit shtypës. Këto reforma të vendosura gjatë dy periudhave (1839-1856 dhe 1856-1876) synonin: a) rimëkëmbjen e forcës ushtarake të Perandorisë me anën e organizimit të ushtrisë mbi bazën e thirrjes së detyruar të shtetasve nën armë pa shpërblim për një afat të caktuar; b) rimëkëmbjen dhe forcimin e autoritetit shtetëror me anën e centralizimit të pushtetit administrativ dhe financiar që do të zhdukte pushtetin lokal arbitrar feudal dhe sistemin e parregullt të nxjerrjes së taksave; c) rimëkëmbjen shoqërore që do t’u siguronte shtetasve jetën, nderin dhe pasurinë e tyre.

Me gjithë deklaratat e ndryshme të shpallura në pallatin e Gjylhanesë, reformat e sulltan Abdyl Mexhitit, të zbatuara pjesërisht nuk e përmirësuan dot gjendjen e Perandorisë. Nga pikëpamja ekonomike, shoqërore e politike ato nuk iu jepnin asgjë shqiptarëve dhe popujve të tjerë të robëruar vetëm se u shtonin vuajtjet dhe ua bënin më të rëndë robërinë e tyre. Ato nuk u njihnin shqiptarëve as kombësinë, as të drejtën e tyre për arsim dhe shkollë amtare, as edhe ndonjë lloj forme qeverisjeje lokale. Përkundrazi, duke qenë si një nënshtrim i ri i Shqipërisë (S. Frashëri), ato vendosën kudo një shtypje të egër administrative-ushtarake të shoqëruar me një regjim fiskal të padurueshëm dhe me një shërbim të rëndë ushtarak shumëvjeçar (deri në shtatë vjet) që S. Frashëri e quajti pushtim të r’i të Shqipërisë. Arbitrariteti i funksionarëve të korruptuar osmanë, favoret, ryshfetet, regjimi i egër i terrorit keqësuan edhe më tepër gjendjen shoqërore dhe ekonomike të shtresave të varfra qytetare e fshatare të vendit. Në këto rrethana u ashpërsuan shumë kontradiktat shoqërore dhe politike të popullit me pushtuesin duke ndezur kudo luftën çlirimtare kundër zgjedhës së rëndë osmane.

(Z. Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Tanzimati


[cite]