TEATRI
✤ Lloj i artit të skenës, në të cilën një trupë aktorësh luan pjesë letrare dramaturgjike. Zbulimet arkeologjike që janë bërë në Shqipëri, në Kosovë dhe në tërë trevën ku në kohët e lashta banonin ilirët kanë nxjerrë në cfritë godina T. dhe objekte të tjera si maska, figura aktorësh në terrakota apo vizatime aktorësh në vazo. T. e pati origjinën nga lojërat e manifestimet popullore. Në shek. IV-III p.e.r. kur Iliria njohu zhvillimin e saj më të madh, mori përhapje edhe teatri si në qytetet ilire Bylis (Hekal), Nikaia (Klosi), Finiq, Butrot, Sofratikë etj, ashtu edhe në Apoloni, Dyrrah etj. Amfiteatrot ku jepeshin shfaqje kishin 3000 gjer 7000 vende, një dëshmi se T. ishte një art mjaft popullor e masiv. Pushtimet e huaja sollën shkatërrimin edhe në T. Traditat teatrore u ruajtën dhe u kultivuan nga populli në fushën e folklorit. Populli kultivoi gjithashtu T. e hijeve dhe të kukullave. Tradita u bë mbështetje për zhvillimin e T. amator në periudhën e Rilindjes Kombëtare e të Pavarësisë (shih: Lëvizja teatrore amatore).

Teatri i realizmit socialist. Gjatë Luftës ANÇ në skenat e teatrit -partizan (shih) u ngritën heronjtë e rinj, punëtorët, fshatarët, intelektualët përparimtarë, komunistët, partizanët. Në Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944 u krijua i pari teatër profesionist, që më 1945 u shndërrua në Teatër të Shtetit, nga i cili më 1947 doli Teatri Popullor (shih). Me këtë vendim të rëndësishëm T. në Shqipëri hyri në fazën e T. profesionist cilësisht të ndryshëm si në përmbajtje dhe në formë nga T. i së kaluarës. Me fitoren e revolucionit popullor u krijuan kushtet historike-shoqërore për zhvillimin e T. profesionist të realizmit socialist. Krahas «Teatrit Popullor* në Tiranë u krijuan më pas edhe teatro të tjera në rrethe, si «Migjeni» në Shkodër (1949), «A. Z. Çajupi» në Korçë (1950), «Aleksandër Moisiu» në Durrës (1953). T. i Vlorës (1962), «Skampa» në Elbasan (1962), T. i Gjirokastrës (1968), i Fierit (1972), i Beratit (1984) e Peshkopisë (1984). Krahas T. dramatik profesionist sot veprojnë 15 estrada profesioniste, T. i kukullave në Tiranë dhe në çdo rreth janë ngritur teatro amatore të kukullave. Për përgatitjen e aktorëve të T. më 1959, u çel Shkolla e Lartë Dramatike «Aleksandër Moisiu», e cila që nga viti 1966është degë e Institutit të Lartë të Arteve. T. i realizmit socialist zhvillohet në bazë të parimit të partishmërisë komuniste, ka karakter realist, kombëtar e popullor. Zhvillimi i T. profesionist të dramës e të estradës, shtroi si detyrë kryesore forcimin e karakterit socialist e kombëtar të tij, gjë që nuk mund të bëhej jashtë zhvillimit të dramaturgjisë (shih) kombëtare. Në dekadën e parë repertorin kryesor të tij e përbënin pjesët e huaja. Pas vitit 1955 e sidomos në vitet 60-70 repertori kombëtar fitoi epërsi jo vetëm si sasi, por në radhë të parë si cilësi. Në këto vite dramaturgjia u pasurua si në përmbajtje edhe në formën artistike, dhe u zgjerua tematika e saj. Veprat dramatike duke vënë në qendër heroin pozitiv, duke pasqyruar fenomenet më tipike, më karakteristike të realitetit socialist, të kaluarën historike apo Luftën ANÇ, duke krijuar personazhe dramatike me karakter e psikologji shqiptare, ndihmuan për krijimin në skenë të karaktereve shqiptare me thellësinë e gjerësinë e tyre. Realizimet më të mira aktoreske si Jonuzi (N. Frashëri), Tuç Maku (L. Kovaçi), Prefekti (M. Popi), Lokja (M. Logoreci), Olimbia, Ollga (V. Manushi), Xha Kasemi (P. Raidhi), Bato (P. Raidhi, S. Pitarka), Baca i Gjetajve (N. Luca), Bektashi (K. Roshi), Vuksan Sadria (S. Prosi) etj. u arritën jo vetëm mbi bazën e materialit dramaturgjik, por edhe me punën këmbëngulëse që bënë aktorët në gjirin e popullit për të njohur nuancat, detajet e gjesteve, të plastikës, të sjelljes, të gjuhës etj, për të krijuar në skenë figurat artistike me taban kombëtar e popullor. Ndihmë të rëndësishme dha për këtë edhe ngritja e nivelit të regjisurës (shih). Edhe në krijimin e figurave artistike nga dramaturgjia e huaj, krahas

dhënies së karakteristikave të epokës dhe të personazhit, aktorët dhanë edhe veçoritë e natyrës së tyre kombëtare. Në forcimin e karakterit realist të T. tonë të ri ndikoi dhe vënia në skenë e veprave më të mira të dramaturgjisë botërore e përparimtare klasike e bashkëkohore. Veprat e Shekspirit, Molierit, Goldonit, Shilerit, Gogolit, Ibsenit, Çehovit, Gorkit, Pogodinit, Brehtit, Garsia Lorkës, Xhon Pristlit, Peter Vajsit, Viktor Eftimiut etj. janë në repertorin aktiv të teatrove tona. Në rolet e ndryshme mund të përmenden edhe aktorët Pjetër Gjoka, Zef Jubani, Tinka Kurti etj.

Forcimi i parimeve të realizmit socialist në T. është arritur duke mënjanuar të meta të trashëguara nga e kaluara, si loja deklamative, me kantilenë, emfazë e teatralitet, melodramatizmi, skematizmi e natyralizmi. Ndikimet e ideologjisë së huaj dhe të artit dekadent e formalist u goditën në veçanti nga Plenumi IV i KQ të PPSH i qershorit 1973, duke i dhënë një shtytje të re zhvillimit të mëtejshëm të T. Duke vënë në qendër të vet problemet e mëdha shoqërore të kohës dhe të historisë së vendit. T. është bërë pjesë vepruese e kulturës së kombit, ka krijuar një traditë të pasur dhe shërben si një armë politike dhe ideologjike për edukimin e masave.

(K. V.)

✤ (1981). Buletin dymujor, botim i Shtëpisë Qendore të Krijimtarisë Popullore. Numri i parë doli më 1961. Në fillim botonte drama, komedi dhe pjesë me një akt. Pas v. 1968 boton edhe materiale teorike e metodike për të ndihmuar lëvizjen teatrale amatore.

(Me. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Teatri


[cite]