TEKNOLOGJIA POPULLORE


TEKNOLOGJIA POPULLORE
✤ Tërësia e proceseve për përpunimin e lëndëve të para dhe për prodhimin e artikujve zejtarë, bujqel&rë e blegtoralë. Mjetet e mekanizmat që përdoreshin shfrytëzonin forcën e njeriut, të kafshëve dhe të energjisë së ujit. T. P. më të njohura ishin: bluarja e drithit, përpunimi i bulmetit, nxjerrja e vajit, endja e tekstileve, prodhimi i barutit etj.

Bluarja e drithit në lashtësi bëhej në mokër të lëvizur me krahë, më vonë në mullinj uji. , Gjalpi nxirrej në tundës të rrahur me krahë. Vaji nxirrej në trokulla, mullinj të lëvizshëm me krahë ose me kuaj. Buka, frutat, sendet prej balte piqeshin e thaheshin në furra të ndërtuara posaçërisht. Ngjeshja e shajakut ose pushëzimi i shtrojeve të ndryshme bëhej në mullinj zhguni ose dërstila. Drurët e mëdhenj priteshin e bëheshin dërrasa në sharra, të vëna në lëvizje me krahë ose me ujë. Për të ngritur ujin për ujitje në lartësi të mëdha është përdorur «nora» ( e cila pati përhapje të madhe veçanërisht në rrethin e Matit). Për prodhimin e barutit përdorej mekanizmi i njohur me emrin «dinga e barutit» (Mat e Dibër). Përpunimi i gurit gëlqeror bëhej në një lloj furre të posaçme që ndërtohej gati në çdo fshat.

Një pjesë e këtyre mekanizmave vazhduan të përdoren deri në Çlirimin e vendit. Me industrializimin e vendit ato shkuan drejt kufizimit dhe shfrytëzohen pjesërisht për prodhimet tradicionale artistike.

(A. O.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Teknologjia Popullore


[cite]