TOPTANI ESAT PASHË


TOPTANI ESAT PASHË
✤ (1863-1920). Çifligar i madh i Shqipërisë së Mesme, figurë thellësisht antikombëtare. Në prill 1913, duke qenë komandant i forcave rezerviste të Shqipërisë së Mesme, që luftonin për mbrojtjen e Shkodrës nga rrethimi malazez, ra fshehurazi në ujdi me armikun dhe ua dorëzoi Shkodrën forcave malazeze. Në marrëveshje antikombëtare me monarkitë fqinje pas largimit nga Shkodra, ngriti në Shqipërinë e Mesme «Pleqësinë», pushtet separatist që iu kundërvu Qeverisë kombëtare të Vlorës. Më 1914 si ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme në qeverinë e V. Vidit, sabotoi qëndresën e masave popullore për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga forcat greke dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Në tetor të atij viti, me ndihmën e reaksionit italo-serb dhe në interes të tij, E. P. T. shtypi kryengritjen fshatarë të Shqipërisë së Mesme (shih) dhe vendosi pushtetin e vet në Durrës; në verën e 1915-ës nënshkroi një marrëveshje me qeverinë serbe në dëm të pavarësisë politike dhe tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Veprimtarinë e tij prej tradhtari e vazhdoi edhe në mërgim duke pretenduar se përfaqësonte shtetin shqiptar në Konferencën e Paqes. U vra me atentat në Paris, më 13 qershor nga demokrati revolucionar Avni Rustemi.

(G. Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Toptani Esat Pashë


[cite]